E Diel, 1 Nëntor 2026

Pikëpyetjet e daljes nga greva

Pritshmëria ndaj grevës së urisë së 10 deputetëve të disa partive të vogla parlamentare ka lënë disa pikëpyetje hapur, ndërsa ata vendosën në mënyrë krejt të papritur të dilnin nga greva para miratimit të Kodit të ri Zgjedhor. Megjithëse kjo pikë nuk preket aspak nga vetë grevistët të cilët nuk preferuan të sqarojnë pse-në e daljes, por format e reja të protestimit, burime nga partitë respektive bëjnë të ditur se greva kishte disa arsye që përfundoi pikërisht të martën në darkë. Sipas këtyre burimeve, pikësëpari, nuk ka pasur ndonjë vendim ekstrem të forumeve politike të partive për vazhdimin e kësaj greve deri në sakrifikim të shëndetit të deputetëve, pasi është menduar më shumë si një mënyrë sensibilizimi për opinionin dhe elektoratin. Ndërkohë, ajo që ka nxitur ata në një vendim të shpejtë për t’u larguar nga Kuvendi ku ishin ngujuar prej më shumë se një jave, ishte mesazhi i qartë i ndërkombëtarëve që nuk mbështeste presionin e këtyre partive për të ndryshuar Kodin. Takimi disa orë para seancës së Kuvendit i kryeparlamentares Topalli me ambasadorin Xhon Uidhers ishte dhe momenti kur Ilir Meta dhe kolegët e tij vendosën të mos vazhdonin më tej me këtë metodë proteste.

Format e reagimit

Faza e dytë e reagimit të partive që kontestojnë Kodin e ri Zgjedhor përbën ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, protesta në rrugë, por edhe komunikimin me faktorin ndërkombëtar. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, disa orë pasi la sallën e Kuvendit së bashku me 9 deputetët e tjerë që hynë në grevë urie, zbardhi rrugët e reagimit ndaj miratimit të Kodit Zgjedhor tani e tutje. Në një komunikim me mediat, i shoqëruar nga kryetari i grupit parlamentar, Pëllumb Xhufi, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho, la të nënkuptohej se pavarësisht kontestimit të disa pikave të Kodit, nuk vihet në diskutim mundësia për të mos hyrë në zgjedhjet e ardhshme. Zërit të Metës iu bashkua dje edhe kreu demokristian, Nard Ndoka, i cili tha se PDK-ja do të dalë në protestë si shenjë e kontestimit të disa pikave të Kodit Zgjedhor, ndërsa kreu i PS’91, Petro Koçi, nënvizoi se është i nevojshëm aksioni kombëtar për çlirimin e votës.

Ndërsa ligji i ri zgjedhor pret firmën e Presidentit të Republikës, tri partitë kryesore që kontestojnë këtë ligj, janë duke menduar format e reagimit ndaj tij. Kreu i LSI la të nënkuptohej se një prej tyre është edhe ankimi në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa u lajmërua zhvillimi i protestave popullore, e para e të cilave do të zhvillohet ditën e mërkurë, në kryeqytet. “Nga sot nis etapa e dytë shumë e rëndësishme e këtij aksioni shumë të madh qytetar mbarëkombëtar, e cila do të karakterizohet nga manifestime shumë të fuqishme paqësore brenda dhe jashtë vendit, por edhe nga mjaft forma të tjera të komunikimit me qytetarët dhe me partnerët ndërkombëtarë, duke denoncuar përpjekjen për të fabrikuar shumica jolegjitime në dëm të votës së lirë dhe të barabartë”, - deklaroi Meta. I pyetur nga gazetarët për mundësinë e ankimit në gjykatë, kreu i LSI-së tha se “ne do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore dhe institucionale, pa asnjë diskutim. Ky është një ndër drejtimet e aksionit tonë, duke evidentuar të gjitha shkeljet, që janë bërë gjatë gjithë kësaj kohe: shkeljen e të gjitha principeve ndërkombëtare, shkeljen e rekomandimeve ndërkombëtare, shkeljen e Kushtetutës, shkeljen e rregullores së Kuvendit”. Në lidhje me miratimin e Kodit Zgjedhor, tre krerët e partive që hynë në grevë urie për nëntë ditë, akuzojnë direkt krerët e dy partive të mëdha, por, si Meta dhe Ndoka, i individualizojnë akuzat, i pari tek Rama dhe i dyti tek Berisha. Meta tha se miratimi i Kodit nga ana e PS-së e bën me turp të majtën, ndërsa Koçi u shpreh se përmes këtij miratimi, Rama e ndau të majtën.

“Qëndrimet e të tjerëve turpërojnë të majtën dhe të gjitha forcat progresiste në Shqipëri, sepse ne kemi pasur mazhoranca, të cilat kanë tentuar të dëmtojnë rregullat e lojës për të qëndruar në pushtet, por që dje kemi një precedent të turpshëm, që një pjesë e opozitës, megjithëse lidershipi i saj është në pushtet, po formalisht e opozitës, me vetëdije të plotë ul garancitë, jo vetëm të opozitës, por të gjithë qytetarëve për zgjedhje të ndershme e të lira”, - deklaroi kreu i LSI-së.

Deputetët e LSI-së dhe PDK-së, nga greva e urisë në mbledhje partie

Dita e parë jashtë grevës së urisë ishte mjaft intensive, me takime e deklarata politike për 10 protagonistët e grevës së urisë, të cilët i dhanë fund asaj mbrëmjen e dy ditëve më parë. Miratimi i Kodit Zgjedhor nga dy partitë e mëdha dhe aleatët e tyre nuk u ka lënë kohë të kujdesen për veten deputetëve grevistë, as të bëjnë një gjumë të rehatshëm, pasi duheshin kërkuar mënyrat e mëtejshme të reagimit kundër Kodit. Rreth orës 9 e 30 minuta, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka hyrë në selinë e partisë së tij për të bërë mbledhjen e parë zyrtare qyshkur doli nga greva. Por, ai nuk ka munguar as në Kuvend, ku nga një ish-grevist, dje është kthyer në rolin e tij si kryetar i Komisionit të Integrimit. Kujdesja e zakonshme për pamjen e një politikani ishte ajo çfarë e dallonte nga pamja kur doli nga greva para mbështetësve të tij. Sa për të tjerat, në fytyrë dalloheshin mjaft mirë shenjat e nëntë ditëve të vështira në grevë urie. Në mjediset e LSI-së është parë dje edhe deputeti me moshë më të madhe, Spartak Braho. Pavarësisht problemeve të mëdha shëndetësore që hasi gjatë ditëve të grevës, Braho nuk mund të mungonte kurrsesi në seli. I hequr, por aktiv, u shfaq edhe Pëllumb Xhufi, i cili gjente rastin të falënderonte njerëzit e administratës së partisë për mbështetjen që u dhanë gjatë ditëve të grevës. Tek deputeti Ndre Legisi dallohej ndonjë kilogram më pak, por kjo nuk e pengonte aspak të takohej me të gjithë të njohurit, brenda partisë, tek lokali ngjitur me LSI-në, por edhe në rrugë. Po aq intensive ka qenë dita edhe për deputet demokristianë. Që në orët e para të paradites, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, përpiloi një deklaratë dhe më pas komunikoi me mediat për hapat e mëtejshëm të kontestimit të Kodit të ri Zgjedhor. Nevoja për të marrë sa më parë masa ndaj ligjit të ri, zhvendosi vëmendjen nga ditët e vështira të grevës së urisë, e duket se 11 aktorëve të një prej ngjarjeve më të bujshme të javës së shkuar, do t’u duhet së pari të gjejnë rehati me Kodin, pastaj të ulen, të tregojnë e kujtojnë momente nga 9 ditët e bashkëjetesës në sallën e Kuvendit.

Rama sulmon Metën: Politika e vjetër të shkojë në shtëpi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vijoi dje të japë përgjigje në adresë të ish-aleatit të tij, Ilir Meta, duke e konsideruar atë politikë e vjetër, që duhet të shkojë në shtëpi. Në këtë këndvështrim, Rama vuri të parin në listë Kryeministrin Sali Berisha, ndërsa shtoi se ai, së bashku me shkaktarët e përçarjes së shqiptarëve, do të shkojnë në shtëpi në zgjedhjet e 2009-ës. Pa dashur ta lërë jashtë sulmit të tij Kryeministrin, deklarata e Ramës në ditët kur marrëdhëniet mes PS-së e LSI-së janë më të acaruara se kurrë, duket qartë se i mëshon pikërisht grevës së urisë të drejtuar nga Ilir Meta. “Shkaktarët e kësaj përçarjeje dhe kësaj dasie, duke filluar nga Sali Berisha, duhet të shkojnë në shtëpi. Një politikë e re bashkimi mes zgjedhësve duhet të marrë jetë. Kësaj do t'i japim jetë ne”, - tha Rama. Më tej, gjatë fjalës së tij, ai vuri në dukje se “të gjithë së bashku duhet t'i kundërvihemi politikës së vjetër, të dasive, të sherreve, akuzave, përçarjeve për interesa personale njerëzish të përveçëm”. Ndër të tjera, Rama e ka parë të udhës të sqarojë sërish qëllimet e tij, atë që nuk është kundër njerëzve apo ndarjes së tyre, një tjetër përgjigje kjo ndaj akuzave të Metës e Koçit të cilët thonë se me miratimin e Kodit nga ana e Ramës, e majta u përça. “Unë s'kam dalë në luftë kundër shqiptarëve. Për mua të gjithë jemi shqiptare dhe shqiptarë, që kanë të drejtë të mendojnë në mënyra të ndryshme”, - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›