Ministri kosovar: Faleminderit për rrugën Durrës-Kukës
Kryeministri Berisha priti dje zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës, z. Gjergj Dedaj. Ai i shprehu zv.ministrit Dedaj vlerësimet për progresin që Kosova ka bërë gjatë kësaj periudhe. Duke e falënderuar për mikpritjen e ngrohtë, zoti Dedaj i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimin e tij më të lartë për arritjet e qeverisë shqiptare, si dhe për reformat e suksesshme dhe arritjet në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Zoti Dedaj i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e thellë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm personal, si dhe për kontributin e qeverisë shqiptare, si përpara shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ashtu dhe në periudhën pas saj. Në veçanti, zoti Dedaj u ndal në ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës, duke e cilësuar atë si një projekt të jashtëzakonshëm të qeverisë shqiptare dhe një rrugë që nuk i shërben vetëm Kosovës dhe Shqipërisë, por i shërben të gjithë rajonit. “Ndërtimi i kësaj autostrade, - u shpreh ai, - shënon dhe shembjen e murit të fundit në Evropë”. Zoti Dedaj i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohje për prioritetin që i dha këtij projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm. Duke e falënderuar Kryeministrin Berisha për mbështetjen që qeveria shqiptare i ka dhënë qeverisë së Kosovës, Zoti Dedaj theksoi se është e rëndësishme që këtë bashkëpunim të shkëlqyer ta shtrijmë dhe në fusha të tjera sociale, si dhe në përpjekje të Kosovës për rritjen e mirëqenies sociale dhe uljen e papunësinë atje. Dy personalitetet diskutuan dhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.