E vërteta e thërmuar - Raymond Aron
16/03/2005 Pothuajse një javë më parë, në Shkollën e Lartë të Shkencave Shoqërore të Parisit, u përkujtua 100-vjetori i lindjes së mendimtarit, sociologut, filozofit, gazetarit, studiuesit dhe teoricienit të gjeopolitikës – Raymond Aron. Mes studentëve me këtë rast kishte ardhur vetë Kryeministri francez, zoti Jean – Pierre Raffarin, i cili, veç trajtimit të vlerave të këtij përkujtimi, u ndal edhe në probleme shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me politikën e reformave dhe të sfidave të sotme të vendit.
Në fakt, vetë jeta dhe veprimtaria intelektuale e Raymond Aronit është sa teorike aq edhe praktike, duke iu përmbajtur kështu të gjitha karakteristikave të brezit të tij në Francë, në Evropën Perëndimore dhe në SHBA në periudhën e pasluftës së Dytë Botërore dhe përgjatë të gjithë luftës së ftohtë.
Ikën dhe bashkohet me trupat e De Gaulle, në Londër, sapo Mareshalli Petën kapitullon përpara ushtrisë hitleriane. Paslufta e gjen duke shkruar pamfletet e tij të paharrueshëm politikë te gazeta Combat, pështjellësja e një plejade intelektualësh të mëdhenj të angazhuar të asaj kohe si Sartre, Camus, Barthes etj. Vazhdon karrierën e tij të madhe si profesor, duke mos hequr dorë nga veprimtaria publicistike mbi marrëdhëniet ndërkombëtare tek e përditshmja Figaro, nga ku bën përgjithësime teorike, që lexojmë sot nëpërmjet veprave të tija.
Ndërkohë që kemi dalë nga periudha e luftës së ftohtë ideologjike, kemi mundësi të shohim në një mënyrë pothuajse të qartë se cilët janë ata prej këtij brezi intelektualësh, që i konfirmoi koha dhe ngjarjet në parashikimet e bëra. Në fund të fundit, duhet të kujtojmë se vlera e një pune intelektuale nuk matet thjesht me impaktin e ditës. Në fakt, jo vetëm publiku, por edhe vetë intelektuali nuk e di dhe s’mund ta dijë se sa do t’i rrezistojë kohës puna e tij. Llogaritë bëhen shumë më vonë, nga njerëz krejt të tjerë dhe jashtë vullnetin të gjithkujt.
Nisur këtej, mendoj se kanë shumë të drejtë të gjithë ata studiues, politikanë, qytetarë, pedagogë perëndimorë, që i japin plotësisht të drejtë vetes të pohojnë në këtë njëqindvjetor të Raymond Aronit se ai është mendimtari i madh që e konfirmoi koha.
Mendimtari i parë nga larg dhe mendimtari i ndjekur nga afër
Ndjehem i detyruar moralisht të bëj këtë homazh për njëqindvjetorin e Raymond Aronit, në radhë të parë sepse kam lexuar, shijuar dhe vlerësuar pothuajse gjithçka që ai ka shkruar, duke mësuar etshëm dhe ethshëm prej veprës së tij qysh në vitet e hershme ’80, pikërisht atëherë kur fati më ndihmoi si punonjës shkencor i Universitetit të Tiranës të kisha akses në veprat e tij që, ashtu sikurse ishin kanalet e asaj kohe, i sollëm, fotokopjuam, vendosëm që atëherë në raftet e Bibliotekës Shkencore të Universitetit tonë.
Ishin vite tejet të rënda për punën intelektuale dhe pedagogjike në filozofi, sociologji dhe në shkencat politike. E gjithë shkolla e lartë, sidomos kërkimi shkencor dhe mësimdhënia e shkencave sociale kërkëlliste vajtueshëm nën peshën e ideologjisë moniste të sterilizuar dhe ngurtësuar që na imponohej neve studentëve dhe pedagogëve të rinj të asaj kohe nga institucionet sunduese politike dhe nga lloj–lloj komisionesh ideologjike ad hoc, të paligjshëm institucionalisht, të jashtëzakonshme si ato të tatimeve të pasluftës, fuqiplotë dhe që jashtë strukturave zyrtare të arsimit na impononin formimin teorik, horizontin kulturor, metodat e njohjes, aksionet, zborret, pra gjithçka.
S’kishe ku të lëvizje fare, sepse në fillim duhej bërë kritika e asaj që na kishin bërë ta interiorizonim me përdhunë.
Disave nga brezi ynë iu deshën ndofta dhjetë vjetë, ose edhe më shumë, deri në fillim të viteve ’90 - të, për ta zhbërë nga vetvetja atë që na kishin programuar në kokë nëpër fakultetet trekëndore. Të tjerë, me ardhjen e kohëve të reja - nga fillimi i viteve ’90 e këtej – fatkeqësisht e lanë fare punën e mëparshme. Ndërsa disa vazhdojnë në pozicionet e mëparshme.
Gjithësekush bën në jetë atë që i duket më mirë. Kjo është logjika e sotme e jetës së lirë, por s’ishte ajo e së djeshmes.
E bëra këtë parantezë për të treguar se pikërisht në ato kohë të vështira, ne fusnim në frëngjisht Raymond Aronin, për herë të parë në Shqipëri, në bibliotekën universitare, sikurse fusnim në anglisht Poperin dhe mjaft autorë të tjerë perëndimorë, të ndaluar nga qarkullimi publik në atë kohë. Këta autorë, por edhe të tjerë, janë lexuar në Shqipëri që në fillim të viteve ’80, pra 25 vjet përpara.
Por, nuk mund të mos shkruaj për Raymond Aronin edhe për një arsye të dytë, edhe më të çuditshme. Jeta e solli që të kem mundësinë ta vendos Raymond Aronin në bibilografinë e kurseve të leksioneve të mia pesëvjeçare, mbajtur në një universitet të vendlindjes së mendimtarit të madh, në Francë. Aty kuptova të vërtetën tronditëse se tjetër është ta citosh një autor nga larg dhe krejt tjetër të punosh nën këndvështrimin e tij në vendin ku ai ka jetuar dhe punuar.
Nga larg, autori është një libër, nga afër është një qenie e gjallë. Nga larg, ai është një teori e formalizuar në mënyrë të ngrirë në fjali të zeza shkruar mbi të bardhë, nga afër është një debat i vazhdueshëm oral pasionant, ku merren dhe përplasen idetë e tij prej pasardhësve. Nga larg, ai është një kulturë e qetë, që të hap sytë e dijes, nga afër, ndërsa atje ku është prodhuar dija e tij, ai është luftë, histori, konflikt, taktikë, strategji, mbijetesë…
Autori i parë nga larg dhe i kundruar nga afër – dy qenie krejt të ndryshme.
Edhe mund të mos ta vija emrin e Raymond Aronit në krye të bibliografisë të kursit tim të leksioneve. Kjo gjë ishte krejt në dorën time, të pedagogut, që në Perëndim mban i vetëm përgjegjësinë e plotë për programin mësimor që paraqet përpara studentëve të tij.
Përgjegjësi e rëndë!
Por s’mund të mos e vija emrin e tij atje ku e meritonte, s’mund të mos i çoja studentët francezë drejt veprës së Aronit, jo vetëm sepse kisha nostalgjinë e çlirimit tim të lidhur pjesërisht edhe pas emrit të tij, por edhe sepse i besoja me symbyllur tashmë, duke e ditur se nuk do të më tradhtonte përpara auditorit të vështirë që kisha përpara.
Pikërisht në këtë plan mësova të vërtetën tronditëse.
Në mjedisin universitar, vendosja e veprave të Aronit në bibliografinë e kursit personal të leksioneve nuk ishte thjesht diçka neutrale, sikurse mund të ndodhte në Shqipëri. Pa dashje kisha përdorur një kod, duke i vënë vetes pa kuptuar një etiketë pedagogjike dhe intelektuale, atë të Raymond Aronit. Aty ndjeva dashamirësit e partizanëve të teorive dhe pozicioneve të tij, po aty ndjeva edhe idhnimin e kundërshtarëve të tyre.
Autori që nga larg dukej vetëm si një emër i madh i shkruar mbi kopertinën e një libri të magjishëm, atje, në terrenin ku ai jetoi dhe krijoi, ishte një marrëdhënie, një shesh i papritur dhe i pazgjedhur beteje, një sfidë, një rrugëtim pa kthim, një angazhim.
Jeta politike dhe jeta universitare
Kurrë s’kam patur fatin të dëgjoj një orë leksioni të këtij profesori dhe pedagogu të shquar. Kishte vdekur shumë më parë sesa të kisha mundësi ta bëja këtë. Por, falë mediave, kam gjithmonë mundësinë që ta korrigjoj pakëz atë që historia ma privoi, sikurse bën një arbitër i rreptë dhe i pakundërshtueshëm. Në një videokasetë kanë regjistuar Raymond Aronin ku flet për disa orë rresht për veprën e tij. Kolana e videokasetave të kësaj natyre quhet «Kujtesa e së ardhmes». Aty mund të «takohesh» me Sartrin, Barthes –in, Gabriel Marcel –in e të tjerë, duke dëgjuar nga goja e tyre jetën, rrugën intelektuale të ndjekur, teoritë e tyre - në formë orale dhe ashtu sikurse ata kanë dashur t’ua lënë brezave të ardhshëm, duke i parë përjetësisht sy më sy.
E shoh profesorin tek rrëfen rrjedhën e jetës dhe të mendimeve të tij. Shpjegon veprat e veta. Raymond Aroni është pakëz i zbehtë në këtë regjistrim. Një fytyrë fisnike, e hollë, pakëz e zgjatur, me flokë disi të rrallë dhe me një hundë pakëz të përkulur, si një pikëçuditëse, që i jep ritëm mendimeve të tij. Ironik, por jo tallës; dyshues, por aspak mosbesues; dinjitoz, por në asnjë rast kryelartë; i vendosur, por aspak kokëfortë; rinovues, por kurrësesi revolucionar; filozof, por armiqësor ndaj formulave ideologjike pa jetë; vëzhgues i hollë i veprimeve të tjetrit, por kritik edhe ndaj vetes; aristokrat, por jo i zhytur në një luks vulgar; solidar, por i bindur se njeriu vjen dhe ikën i vetmuar nga kjo botë – mjerë ata që kanë iluzione në solidaritetet false; i qetë në të folur, por tronditëse është fjala e tij e vendosur në një gojë që jepet mbi buzë të zhdërvjellta.
Jam mirë: kam nevojë ta shoh profesorin.
Jam keq: e nxjerr profesorin nga dollapi i videokasetave dhe e dëgjoj, e shoh, ndonëse i di përmendësh ato që ka thënë dhe do të thotë. Lexuar mijëra herë, parë, dëgjuar – qindra. Nuk shterron mesazhi tij.
Të përulem deri në tokë dhe deri sa të kem jetë profesor!
Nuk bie në ankthin e barazisë anarkiste që të më bëjë të mbyll vesh, hundë, sy, përpara fjalës tënde!
Më mëso të lutem që PËRTEJ përmes kësaj videokasete që të më japësh pa fund lirinë në këtë anë të universit!
Shpesh kasetën e vizionoj më shpejt për të arritur te pjesa që adhuroj. Intervistuesi e pyet profesorin se si kishte guxuar t’iu kundërvihej studentëve revolucionarë, që kishin pushtuar universitetet e kthyera në fortesa të zaptuara gjatë ngjarjeve të mëdha të majit të viti 1968 në Paris dhe gjetiu. Profesori, pak a shumë, përgjigjet se ai në atë kohë kishte qenë konservator si kurdoherë, por aspak reaksionar. Konservator dhe reaksionar janë dy koncepte që s’puqen fare – thotë, duke parë me bisht të syrit nga kamera. Në buzë i ndrit një buzëqeshje. Detyra ime në atë kohë ishte t’iu thosha studentëve kryengritës se e kishin gabim. Studentët e asaj kohe mendonin se pedagogët s’duhen të kishin autoritet mbi ta, se s’duhej të kishte provime, se të gjithë në shkollë duhet të ishin të barabartë – si në politikë: një njeri, një votë – se të gjitha qeniet njerëzore janë të barabarta, se në shkollë duhej të zbatohej vetëm kriteri i votimit me shumicë votash si në parlamente, se demagogu më i parë, që i mbush mendjen masës se kishte të drejtë duhej të bënte historinë pedagogjike, se instancat universitare nuk ishin veçse letra a kartone që i merrte era e rrugës dhe se nuk ngjanin veçse si gjelat prej hekuri në majat e kishave e që kthehen andej nga fryn era.
Shkolla dhe universiteti - flet profesori - nuk mund të ndërtohen thjesht dhe vetëm me logjikë plebishitare, me hierarkira politike, me logjikën e demokracive parlamentare, me idenë dhe parimin se të gjitha qeniet mbi këtë tokë dhe nën këtë qiell janë të barabarta. Jeta shkencore dhe pedagogjike nuk mund të udhëhiqet nga opinioni dhe dinamikat e tij.
Shkolla është një vend ku dija rrjedh në radhë të parë nga lart-poshtë. Hiqini këtë përmasë shkollës dhe edukimi, transmetimi i dijes përfundon, krijohen këneta, moçalishte mendore. Studentët bëhen viktima të iluzionit të barazisë. Në barazi mendja vdes. S’mund të barazohet mësuesi me nxënësin pikërisht kur duhen trajtuar patjetër si dy qenie krejt të lira. Liria dhe barazia nuk janë dy koncepte politike të ngjitur mekanikisht me njëri-tjetrin. As nuk mbivendosen mbi njëri-tjetrin si të ishin dy trekëndësha të barabartë. Në një farë kuptimi pabarazia është kusht për lirinë e vërtetë. Problemi është shumë më i vështirë sesa në filozofimet rusoiste. Problemi i vërtetë është gjithmonë një problem i ndërlikuar, që nuk zgjidhet me një të rënë të kalemit, me një frazë, në mënyrë të vendosur. Puna është që në universitete dhe shkolla të ekuilibrohet hierarkia profesionale me lirinë.
Por, në të njëjtën kohë - vazhdon profesori që nga videokaseta - unë e dija shumë mirë se studentët ishin revoltuar për arsye të kuptueshme. Universitetet e kohës jepnin një dije të sklerotizuar, të vjetër, me era myk, që iu prishte të ardhmen brezave të tërë, një dije parazite, një atmosferë mbytëse, pa liri, pa përgjegjësi, një hierarki absurde, të mbështetur në një autoritet fals të zhytur në luksin pedagogjik – ja shkaku i revoltave, pavarësisht se ato tejkalonin pastaj të drejtën e tyre legjitime, duke shkarë drejt anarkisë vetëvrasëse.
Profesori qesh pas disa vitesh nga ajo histori, sepse koha i ka dhënë të drejtë. Universitetet e vërteta në Perëndim nuk janë thjesht klonime të demokracive parlamentare, por bashkojnë parimin konservator, sipas të cilit dija dhe pedagogjia janë në radhë të parë hierarki, kaskadë, kastë, shkallëzim profesional, nënvendosje e më të ultës ndaj më të lartës, drejtim, me parimin e lirisë se dija është zgjedhje, përzgjedhje, debat, përmbysje e së vjetrës nga e reja, mobilitet, ballafaqim me auditore të lira, se rruga drejt dijes është përgjegjësi e nxënësit, po aq edhe e pedagogut. Duket si një kaos i ndërlikuar, por e vërteta – në kundërshtim me atë që thotë fjala e urtë popullore – nuk është kurrë e thjeshtë, e vërteta nuk ndrit si dielli, sikurse thoshte Platoni.
E vërteta rri në errësirë, në heshtje – sikurse shprehet Niçja.
Dielli e shkrin të vërtetën.
Marksizma imagjinarë
Raymond Aroni, qysh nga vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, tregoi se marksizmi po pësonte fatin e çdo filozofie tjetër pararendëse, atë të shpërbërjes. Pikërisht atëherë kur marksizmi ishte në apologjeun e ndikimit të vet mbi klasën intelektuale perëndimore, konservatori i madh guxonte të thoshte të kundërtën.
Ai e dinte se çdo teori e madhe pas një kohe zbërthehet në interpretime nga më të ndryshmet dhe kontradiktoret. Nga kjo pikëpamje, ajo humbet natyrshëm vlerën e saj si formulë ideologjike veprimi politik. Kjo i mjaftonte për të thënë se bota komuniste do të ndiqte një proces thërmimi dhe përçarjesh të brendshme që do ta shpartallonin. Kaq i mjaftonte për të thënë se marksizmi politik në vendet socialiste do të hante bijtë e tij, duke u shndërruar në një ideologji dhe politikë që godet edhe vetë bazën e vetë shoqërore.
Nga marksizmi, Aron kalon në emërtimin në numrin shumës: marksizma. Po përse imagjinarë? Kjo vjen për arsyen, sepse pas një analize shumë të hollësishme dhe të mençur, ai zbulon se historia nuk e kishte verifikuar, por përgënjeshtruar marksizmin, ndonëse në pushtet, në shumë pjesë të globit, kishin ardhur forca politike që hiqeshin si marksiste. Mendimtari i madh nuk heziton të shprehë të vërtetën e madhe se forca e një ideologjie nuk matet me faktin se sa i referohen asaj klasat e politikanëve sundues. Përkundrazi, ka nevojë të shqyrtohet thellë nëse referimi tek ajo nga pushtetarët bëhet në mënyrë të saktë apo të manipuluar. Sepse mund të ndodhë sikurse po ndodhte me marksizmin, që ai të konsiderohej sikur ishte në pushtet në shumë pjesë të globit, ndërkohë që historia po e kapërcente dhe përgënjeshtronte.
Marksizmi i sotëm fitimtar - guxonte të ngacmonte ndërgjegjen e bashkëkohësve të tij Raymond Aroni - është iluzor, i manipuluar, imagjinar. Marksizmi i vërtetë, sikurse çdo teori tjetër e ka bërë jetën e vet në mënyrë të natyrshme, kurse marksistët e sotëm kërkojnë ta mbajnë gjallë kundër së vërtetës së tij historike – duke e kthyer në një marksizëm imagjinar, pra të gënjeshtërt.
Marksizmi fliste për një revolucion në vendet më të zhvilluara industriale, kurse revolta fitoi në vende të prapambetur dhe antidemokratikë. Marksizmi pretendonte të ishte ideologji e lëvizjeve punëtore, por ishte bërë formulë politike e regjimeve të vendeve me popullsi fshatare dhe rurale. Marksizmi pretendonte të godiste kapitalin e madh, në fakt ai kishte ricikluar përqëndrimin e kapitalit në ndërmarrjet e mëdha me emrin socialist, duke e përqëndruar goditjen e tij ndaj pronarit të vogël dhe të mesëm. Nën marksizmin sundues kapitali i madh vetëm ndërron dorë, kurse ai që goditet është pronari i vogël që shtetëzohet. Marksizmi aspironte për një demokraci të prodhimit, në fakt kemi një diktaturë politike në vendet socialiste.
Leksionet për shoqërinë industriale
I paarritshëm mbetet Raymond Aroni në analizat dhe përfundimet e tij të fuqishme në tetëmbëdhjetë leksionet e famshme për shoqërinë industriale. Në këtë vepër madhore, ai kalon përtej realiteteve të sipërfaqshme të fshehura pas formulave ideologjike, duke kërkuar të hedhë paradigma të reja tronditëse.
Me fakte të pakundërshtueshëm, ai vërteton se në të dy anët e perdes së hekurt të asaj kohe, në fakt, gërmonte rrugën e saj ajo që quhej me një emër të vetëm: shoqëria industriale. Duke u ngitur kundër metodologjisë veberiane, Raymond Aron mbronte hipotezën se në të dy anët e perdes së hekurt po çante në mënyrë determinuese shoqëria e mbështetur në industrializimin. Në Perëndim, jo për shkak të «tipit të saj ideal» veberian, por për shkak të koniunkturës historike, industrializimi që vinte qysh nga fundi i shekullit të 19-të, ngrihej kryesisht mbi pronën private, por pa hequr dorë nga pjesë strategjike të kapitalit shtetëror, politikisht shoqërohej me një sistem politik të lirive politike dhe të të drejtave të individit, si edhe me kriza e faza zhvillimi ekonomik, shoqëruar me luftëra periferike. Ndërkohë në Lindje, shoqëria industriale, po për shkak të koniunkturave të rastit dhe aspak për shkak të ndonjë thelbi «qiellor», universal, akohor, hapësirisht homogjen, sado paradoksale dhe irracionale që të dukej, çante rrugën nëpërmjet një strukture që, medoemos, kishte të bënte me totalitarizmin, injorimin e të drejtave politike individuale, çentralizmin shtetëror etj. Ky ishte industrializmi i sforcuar i shteteve rurale, dalë me vonesë në tregun botëror, i shoqërive të prapambetura që kërkojnë të kapin të kaluarën.
Raymond Aroni i kërkon të vërtetat portë më portë, shtëpi më shtëpi, duke refuzuar të ndërtojë dhe të predikojë një të vërtetë «idealtipike», universale, të vërtetë për të gjithë kohërat dhe vendet. Sado konservatore që të duket, sipas tij, edhe modeli politik i mbështetur në të drejtat dhe liritë politike të qytetarit nuk zbret në tokë nga qielli, nuk është i zbatueshëm në çdo rast dhe në çdo kohë, nuk lidhet aspak me një natyrë esencialiste të njeriut, nuk është një krijesë morale e predikuar, por është një strukturë historike që e krijon koha, raporti i forcave politike, marrëdhëniet shoqërore dhe historike, ku politika dhe feja, ekonomia dhe kultura, njeriu dhe institucionet hyjnë në një marrëdhënie shumëfaktorëshe ku s’ka kuptim të thuhet e të pyetet se cili prej faktorëve në veprim është parësor apo dytësor.
Parashikimet shkencore mund të bëhen, por vetëm për çështje shumë të përgjithshme. Përderisa çdo arsyetim tipologjik nuk është veçse hipotetik dhe janë - në fakt - koniunkturat e ndryshueshme historike, që vendosin për rrjedhën e ngjarjeve, kjo e bënte Raymond Aronin të parashikonte shpartallimin e të gjitha strukturave, institucioneve, regjimeve të mbështetura në ideologjitë e ngrira, të ngurtësuara, në idetë-objekt. Historia nuk çon në fundin e saj, ajo nuk e tret objektin te koncepti sipas mënyrës hegeliane, pra nuk na lejon që duke u tretur si mendimtarë te koncepti universal të shkrihemi dhe të bëhemi një me të ardhmen tonë. Cilado shoqëri e ndërtuar mbi këto mentalitete do të zbërthehet përpara të papritura të jetës – shprehej Aroni. Ai parashikonte pra pikërisht duke u nisur nga ideja se çdo parashikim dhe regjim politik që kujton se mund të parashikojë ligjin e përjetshëm historik janë të destinuar të dështojnë.
Ai nuk parashikonte në mënyrë pozitive, por në mënyrë negative.
Përtej dogmave ideologjike të kohës, Raymond Aron vërtetonte se në vendet socialiste shkalla e pabarazive ishte më e madhe sesa në vendet e tipit perëndimor. Në vendet socialiste, tregu ishte edhe më kaotik sesa në Perëndim. Krizat ekonomike socialiste më të forta sesa krizat e kapitalizmit. Në shoqërinë socialiste këto cikle krizash dhe rimarrjesh ekonomike nuk shfaqeshin thjesht në formën e tyre monetare apo ekonomike, por si spastrime politike, si gjyqe, si shpallje grupesh armiqësore etj. Si konservator i padevijueshëm, Raymond Aroni mendonte se, përderisa shoqëria i përmban pabarazitë, shkëmbimet, interesin personal, hierarkitë, ngritjet dhe uljet, atëherë, socialiste, apo kapitaliste, barazimtare apo elitare, demokraci apo diktaturë, perandori apo koloni, shoqëria kurdoherë, fshehur apo hapur, përmban të gjitha tiparet e saj bazë.
Raymond Aroni parashikoi se industrializimi, shpresa e vendeve marksiste, do të ishte kurthi i fundit të tyre. Ato do të urbanizoheshin. Shoqëria do të stabilizohej në strukturat e saja urbane. Do të lindnin marrëdhënie të reja qytetare, që nuk do të përputheshin më me sundimin totalitar. Vetë partia unike do të kërkonte të shpërbëhej, duke u copëzuar në mijëra copëza dhe duke i lënë aktorët e rinj – të vjetër politikë të luanin tashmë në një tip të ri rregullash loje pluraliste.
Ai na sheh që nga larg, nga lart.
Demokracia dhe totalitarizmi
Nga kjo pikëpamje, sikurse e trajton te vepra me të njëjtin titull, Raymond Aroni ndjek në politologji linjën mbizotëruese në mendimin filozofik grek, pra atë të një logjike politike dinamike. Racionaliteti politik nuk është një çarje e thjeshtë, një proces që shkon drejt së «Mirës» së përgjithshme, një kërkesë morale, por një dinamikë evolutive, e përbërë nga çarje, por edhe nga vazhdimësi, ku e reja lind tek e vjetra dhe e vjetra ringjallet në mijëra forma tek e reja. Nga kjo pikëpamje, Raymond Aron ndahet nga teoricienët revolucionarë dhe bashkohet me ata konservatorë, demokratë dhe partizanë të orëve të para, të pakushtëzuar, të panegociueshëm të lirisë. Ai ndjek linjën e filozofëve si Tokëvili, Monteskjë - më larg në histori - duke hapur rrugën e filozofëve të së djathtës së sotme neokonservatore.
Përtej dogmave ideologjike dhe zakoneve politikisht korrekte të historianëve dogmatikë, Raymond Aroni mendonte dhe shpjegonte se koha politike është e pakthyeshme po aq sa edhe mund të jetë reversibël. Kjo nuk do të thotë se e kaluara mund të restaurohet në format e saja të shkuara, por se ajo mund të rikthehet në forma të reja. Demokratizimi i një shoqërie nuk fillon në një datë, në një orë, në një trokëllimë trumpete, a në një fjalim. Ai s’është thjesht një akt oratorie, një ngjarje komplotiste, një dëshirë personale, një marrëveshje liderash botërorë. Urithi ka gërmuar tokën atje poshtë në errësirë, në baltë, lagështirë, duke çarë tunelin e nëndheshëm, të padukshëm për bashkëkohësit, derisa e ka shëmbur kështjellën prej letre të ngrehinave institucionale të kohës. Historia vepron në mënyrë të fshehtë. Sado skandaloze që duket kjo, Aroni mendonte se elementët e demokratizimit fillojnë brenda sistemeve autoritare dhe kundër dëshirës së tyre, se ka një periudhë tranzitore ku autoritarja liberalizohet dhe liberalizon, kundër vullnetit të vet, për të mbijetuar, se revolucioni francez nuk bëri veçse njohu ligjërisht ato që ancien régime i kishte kryer tashmë si reforma shoqërore, ndonëse duke i mohuar në politikë, ideologji, zakone dhe në moral.Autorizmi çon drejt demokratizimit në mënyrë të pashmangshme, porse brenda strukturave politike demokratike gjallojnë prirje të forta autoritarizmi. Politikisht njeriu nuk do të gjejë kurrë qetësi në modele politike të përkryer, të përjetshëm dhe universalë. Bota s’i ka kaluar ende peripecitë e veta, për të hyrë në periudhën e fundit të saj, në një kohë pa ndryshim. Iluzioni se kanë jetuar në çastin e fundit, më të përkryer të historisë e kanë të gjithë brezat njerëzore. Nuk është veçse një iluzion kalimtar. Shoqëria e përkryer, fundi logjik i historisë, nuk do të ishte veçse vdekja e njeriut që nga natyra e qenies së tij nuk është gjë tjetër, por kërkim, tronditje, krijim.
Paqja dhe lufta
Raymond Aroni është një studiues i shquar i gjeopolikës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare. Është e pamundur të jepen në dy rreshta kontributet e tij në këtë lëmë. Por, s’mund të mos përmendet koncepti i i tij i FUQISË në marrëdhëniet ndërkombëtare që mbetet një çelës për të shpjeguar shumë ngjarje dhe procese të ditëve tona.
Fuqia, shprehej ai, është potenciali i një subjekti ndërkombëtar për të ndikuar, përcaktuar dhe sunduar sjelljen e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë. Fuqia dhe forca janë dy koncepte kategorikisht të ndryshëm. Fuqia është virtuale si madhësi kurse forca është një madhësi empirike e matëshme ushtarakisht, kulturalisht, ekonomikisht. Fuqia nuk varet vetëm nga aktori që e zotëron, por edhe nga gjendja e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që e rrethojnë atë. Në këtë mënyrë fuqia është një MARRËDHËNIE dhe jo një atribut i një shteti çfarëdo. Prandaj, ajo është e pamatshme nga pikëpamja sasiore dhe empirike. Ajo s’varet vetëm nga shkalla e armatimit të një shteti, por nga i gjithë sistemi i marrëdhënieve globale ndërkombëtare.
Raymond Aroni parashikonte që një gjysmë shekulli më parë se në kushtet e lidhjeve ndërkombëtare ekonomike të përbotëshme lufta do të kishte gjithmonë e më pak mundësi të shprehej në format e saj të kaluara të ndarjes së kampeve në dy fronte dhe në një luftë transhesh. Demokratizimi i fuqive të mëdha botërore, dalja në skenë e opinioneve publike lokale në fuqitë e mëdha nuk do ta likuidonte luftën, por do t’i jepte asaj forma të reja, krejt të papara në të kaluarën. Po kështum duke kritikuar teorinë e Klauzeviçitm sipas të cilit lufta do të ishte vazhdimi i politikës me mjete të tjera, Raymond Aroni përpunon një formulë shumë herë më të hollë dhe më të pasurm duke u shprehur se aty ku fillon lufta nuk mbaron politika, sepse politika mbetet edhe në kohën e luftës, përderisa në kohët moderne, vetë lufta nuk ka për qëllim gjithmonë çrrënjosjen radikale dhe përfundimtare të kundërshtarit (mbarimin e politikës), por shpesh ka për qëllim që vetëm të vendosë marrëdhënie të reja politike me të. Përgjatë luftës, paradoksalisht, marrëdhëniet politike me kundërshtarin nuk shkëputen domosdoshmërisht, por ecin paralel me veprimet ushtarake.