E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kompanitë, tani certifikatë ndërkombëtare për cilësinë e shërbimit

16/03/2005  Shqipëria ka institucionin e vet të certifikimit të cilësisë së punës për të gjithë operatorët ekonomikë që punojnë në vend. Kjo do të thotë që kompanitë apo institucione e ndryshme t’u njihet standardi i punës që kanë në ndërmarrjen e tyre dhe që duhet të jetë i njëjtë me kriteret e kompanive apo institucioneve në Evropë. Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit ka marrë një certifikatë ISO nga Instituti Italian i Markës dhe Cilësisë, i cili është një autoritet i njohur dhe i pranuar në Evropë. Kështu, DPS-ja do të certifikojë cilësinë e punës së institucioneve ose ndërmarrjeve ekonomike, mbështetur në treguesit që janë sot në Evropë. Duket se kompanitë e para që kanë merituar certifikatën e DPS-së janë emra të njohur si “Infosoft”, “Deka”, “Kurum” apo ECF. Të certifikosh sipas standardit ISO, do të thotë të japësh një vërtetim për mënyrën se si e ndërton punën një institucion, për mënyrën e konceptit të kryerjes së shërbimit përkundrejt klientëve të vet. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimit, Arben Nati, parimet bazë në të cilat do të mbështetet puna për të dhënë një certifikatë cilësie, do të jenë orientimi i duhur drejt nevojave të klientit dhe krijimi i një mjedisi të përshtatshëm pune për personelin. Mënyrat se si drejtohet ndërmarrja dhe sa marrin pjesë të gjithë punonjësit në arritjen e rezultatit, janë gjithashtu faktorë që kanë rëndësi për marrjen e kësaj certifikate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›