E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Ja koalicioni i ri i LSI-së

Dritan Prifti

Ish-miqtë lëshojnë sinjale. Edhe nanoistëve u hapet oreksi për të bashkëpunuar me koalicionin e LSI-së

Teksa divorci mes PS dhe LSI ka marrë vulën finale, askush ende nuk e di se çfarë kanë në mendje LSI-stët për koalicionin e ri që ata duan ta kryesojnë vetë dhe që e quajnë “E Majta për Integrim. Për këtë arsye, Korrieri shkoi të pyesë dje nënkryetarin e tyre Dritan Prifti. Ai tha se LSI-ja synon të bëjë pjesë të koalicionit të saj të ri, gjithë aktorët dhe faktorët e majtë. “Në koalicion i bëhet thirrje gjithë të majtëve të përfshihen dhe kontribuojnë për ringritjen e së majtës. U drejtohet jo vetëm partive, por dhe individëve të majtë që ndjehen të papërfaqësuar dhe dëshirojnë të kontribuojnë politikisht për fitoren e së majtës së vërtetë. Dje është ideuar fillimi, por bashkimi i faktorëve do të vijë me kohën.”- deklaroi Prifti. Ai sqaron se deri më dje nuk ka pasur kontakte me parti të tjera, por vetëm këshillime me shumë faktorë të së majtës dhe qendrës politike, që kërkojnë rimëkëmbjen e së majtës. Sipas nënkryetarit të LSI-së, koalicioni i ri ka si qëllim fitoren e zgjedhjeve në 2009-ën. “Nuk ka rëndësi të madhe sa deputetë vijnë në koalicion, apo sa parti politike. Rëndësi ka krijimi i një fronti të vërtetë të së majtës, të masës së gjerë të popullit të majtë, të cilët nuk e pëlqejnë politikën e përjashtimit të Ramës, të cilët nuk pëlqejnë rikthimin tek pazaret e vjetra me Berishën, të cilët duan votën e lirë dhe jo diktatin anti-demokratik të kryetarëve të partive, etj, etj”- predikon Dritan Prifti. Ai thotë se kryesocialistit Edi Rama nuk i është bërë ftesë të jetë pjesë e koalicionit, pasi sipas LSI-së, ai tashmë e ka bërë një zgjedhje duke u bashkuar me kryeministrin Berisha. Madje për Dritan Priftin shkak i krijimit të koalicionit është pikërisht ky fakt. “Ka një pazar të fshehtë Rama-Berisha për të sjellë papritur në parlamanet gjoja në kuadër të bashkepunimit të NATO-s, ligjin elektoral vetëm me pëlqimin e tyre, pa transparencë, pa debat. Kemi prova se Rama ka më të shtrenjtë uzurpimin e PS-së dhe grupit të saj të ardhshëm parlamentar nëpërmjet listave të mbyllura, sesa fitoren e së majtës në zgjedhjet e ardhshme”- shtoi Prifti ndërsa theksoi se koalicioni do të krijohet për të garantuar daljen në opozitë të kryeministrit Sali Berisha. Nanoistët “pro” koalicionit të ri Ndërsa LSI-ja fton të gjithë aktorët e majtë të jenë pjesë e koalicionit “E majta për Integrim”, deputetët e përjashtuar nga PS-ja, filluan dje të shfaqin interes për formacionin e ri politik. Veç Neritan Cekës, që ftoi madje edhe të djathtët të jenë pjesë e “Të majtës për Integrim”, pavarësisht emrit që nuk i përshtatet afrimit të parive të djathta”, Hamit Kosta pjesë e “Lëvizjes Nano”, ofron kontributin e tij, në koalicionin e ri. “Personalisht unë e mbështes Ilir Metën dhe qëndrimin e LSI-së. Vlerësoj plotësisht pozitivisht rikompozimin e koalicionit të majtë. Ne si lëvizje do të mblidhemi e do të diskutojmë ditën e hënë, për të dalë me një qëndrim të përbashkët. Por, unë personalisht jam i gatshëm të bashkëpunoj me koalicionin e ri. E them edhe një herë që e mbështes qëndrimin e Metës. Sipas Ramës i bie që vetëm ai dhe Berisha të jenë “politika e re”, ndërsa të gjithë të tjerët “të vjetër””- deklaroi dje për “Korrierin”, një nga deputetët e çregjistruar nga PS-ja, pas votimit “pro”, Bamir Topit në krye të shtetit. E ndërsa qëndrimi i “Lëvizjes Nano” pritet të zyrtarizohet ditën e hënë, sinjalet e para drejt afrimit me “Koalicionin e majta për Integrim”, filluan vetëm një ditë pas vendimit të kryesisë së LSI-së. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›