E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjakosen në gjykatë për 500 metra tokë

29/04/2005  TIRANË- Pjesëtarët e një familje nga Kashari janë grindur me njëri-tjetrin, pas një vendimi të gjykatës, madje, edhe të plagosen gjatë grindjes. Gjithçka ka nisur nga një vendim i Gjykatës së Tiranës, ku ishte dhënë një zgjidhje për një çështje midis Hysni Dervishit dhe djalit të xhaxhait Ismail Dervishi. Nga padia rezulton se paditësi është Hysniu, i cili ka paditur djalin e xhaxhait. Prona është në afërsi të autostradës në fshatin Kashar në Tiranë dhe pretendohet nga të dyja palët në proces se është prona e tyre. Seanca filloi në orën 09.30 dhe ka vazhduar për një orë. Në fund, gjykata kishte dhënë zgjidhje për çështjen, ndërsa palët u larguan të qetë, pas përfundimit të saj. Në mjediset e jashtme të Gjykatës, pikërisht në oborrin e Gjykatës së Tiranës ka “plasur” sherri midis familjes Dervishi. Dëshmitarët thanë se në grindje morën pjesë shumë anëtarë të familjes, madje, edhe disa të moshuar, të cilët nuk kanë kursyer edhe grushtet ndaj të afërmve të tyre. E gjithë zënka në fjalë u realizua për pesë minuta dhe pasojat ishin të dukshme, pasi një prej tyre u plagos në krahë, ndërsa dikush prej anëtarëve të familjes Dervishi, edhe pse merrnin pjesë në një seancë gjyqësore, ku kontrollet janë të zakonshme, kishte marrë edhe një thikë, që i plotëson kushtet e armëve të ftohta. Burimet policore thanë se thika ishte rreth 20 cm dhe në formën e një biçaku dhe njëri prej tyre qëlloi në krahë. Tre prej punonjësve të briksut, Ylli Toska, Dritan Garipi dhe Ibrahim Bilali, shuan sherrin duke parandaluar ndonjë kasaphanë mes familjes. Tre prej pjesëtarëve të familjeve u ndaluan dhe u lanë të lirë në orët e pasdites së djeshme. Burime zyrtare nga Komisariati i policisë nr.2 thanë se, të ndaluarit u pajtuan në komisariat dhe konflikti që patën u zgjidh. Në orën 11.00, disa pjesëtarë të familjes Dervishi u shoqëruan në komisariat. Tre prej tyre, kushërinj të parë me njëri-tjetrin, u mbajtën për disa orë në polici, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe në fund ata u pajtuan, duke u lënë të lirë. Grindja mes familjes Dervishi është realizuar edhe disa herë, por jo në ambiente publike, por në fshatin Kashar të Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›