E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Kërkohet" nga policia Gerti Gjenerali

29/04/2005  Shoku i Arben Grorit prej 4 vitesh vuan burgimin e përjetshëm në Itali për vrasjen e Naim Zyberit

TIRANË- Ai vuan burgimin e përjetshëm në Itali, ndërsa Komisariati numër 1 i Tiranës e kërkon në çdo skutë të metropolit për ta arrestuar. Mbase kanë harruar të marrin dijeni se i shumëkërkuari është në burg në shtetin fqinj. Fakti është që, Gerti Gjenerali është dënuar në Itali me "burg përjetë", sepse në bashkëpunim me Arben Grorin kanë ekzekutuar Naim Zyberin në spitalin e “San Paolos" më 6 gusht të 1997-ës në Milano. Mirëpo, dosja e tij ende është e hapur. Ajo fle në zyrat e hetuesve. Herë pas here hidhet ndonjë firmë sipër saj. Burime të sigurta nga Komisariati numër 1 kanë bërë të ditur për gazetën "Metropol" se, Gerti Gjenerali ka konsumuar disa vepra penale para vitit 1997, në zonën që ka në juridiksion ky komisariat dhe që prej asaj kohe ai mbetet person i shpallur në kërkim. Gjenerali ka 4 vjet që është arrestuar dhe dënuar në një shtet tjetër për një vrasje. Madje, Gjykata e Tiranës ka njohur vendimin kur gjykohej Arben Grori. Mësohet që nuk është bërë përpjekje për ekstradim.

Dënimi

Në Itali, ndërsa Arben Grori është hetuar dhe gjykuar në mungesë, Gerti Gjenerali ka qenë i arrestuar nga policia italiane dhe, tashmë është duke vuajtur masën e dënimit me burg të përjetshëm. Arben Grori e ka vrarë Naim Zyberin në bashkëpunim me Gerti Gjeneralin. Sipas akuzës italiane, dy të pandehurit, fillimisht i kanë bërë atentat në rrugë Zyberit dhe, pasi e kanë plagosur, ata kanë vendosur ta ekzekutojnë në spital. Me një tufë me lule në duar, ata janë futur në spitalin “San Paolo”, ku ndodhej i shtruar Zyberi dhe e kanë qëlluar në shtrat për vdekje me pesë plumba pistolete. Vrasja është bërë për hakmarrje. Më 2 maj 2000, në Lundër, Arben Grori së bashku me Arben Tresën akuzohen për vrasjen e Edmond Murrës dhe Saimir Çalës. Krimin e mori përsipër Tresa, por Prokuroria kërkon rigjykim.

Në Shqipëri janë të paktën 1237 të kërkuar

TIRANË- Në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit numërohen 1237 persona të shpallur në kërkim, ndërsa kjo listë, sipas kësaj faqeje të internetit, nuk është përfundimtare. Të gjithë këta persona janë të dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare për krime nga më të ndryshmet, mes të cilave spikat vrasja. Vitet e këtyre krimeve variojnë nga 1992 deri në 2005, ndërsa 1997 mban rekordin e vrasjeve dhe të këtyre të kërkuarve, një pjesë e mirë e të cilëve janë larguar nga burgu. Në asnjë nga këto raste, sipas të dhënave zyrtare të policisë, nuk ka një person që është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë e një shteti tjetër, ku ai mund të ketë kryer një krim e pastaj të kërkohet nga Policia e Shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›