E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjakovarët ftohen në Norvegji

Nga Moral Pozhegu më 19 gusht 2011 në ora 10:20

Klubi i futbollit Gjakova, në konkurrencën e kadetëve dhe juniorëve, ka marrë ftesë për të marrë pjesë në turneun e futbollit Norge Cup 12, pas suksesit që e arriti në turneun e madh të futbollit në Suedi – Gothia Cup. Këtë e ka bërë të ditur koordinatori i klubit gjakovar, Besmir Haxhikadrija.

“Pas sukseseve që i arriti në kampingun botëror Gothia Cup, KF Gjakova, klub me traditë dhe ambicioz, ka marrë ftesë për pjesëmarrje vitin e ardhshëm edhe në Norge Cup 12, sepse u vlerësua lart ekipi ynë nga protagonistët e organizimit të turneut suedez. Gjakova e shënoi fitoren më të thellë atje, duke arritur rekord në këtë turne, pasi e mposhti ekipin Opssal të Norvegjisë, 11:0”, deklaroi Haxhikadrija, sipas të cilit, përpos Norvegjisë, ekipi i kaltër mund të marrë pjesë edhe në një turne në Kroaci, po ashtu vitin e ardhshëm.

Ndërsa, trajneri Gëzim Daka theksoi se ekipi gjakovar do të synojë gjithmonë të përmirësohet, edhe pse përfundoi në pozitën e katërt në turneun gjigant të Suedisë, ku morën pjesë shumë ekipe nga mbarë bota.

Si rezultat i sukseseve në Suedi, Daka tregoi se udhëheqësit e Gjakovës janë në kontakte me udhëheqësit e Young Boysit për futbollistin e talentuar Leonard Ndrecaj, i cili do të provohet te klubi zviceran në shtator. Koordinatori Haxhikadrija njoftoi po ashtu se KF Gjakova shumë shpejt do të binjakëzohet edhe me klubin shqiptar nga Norvegjia, ‘FK Fortuna’.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›