E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, ndihmë medias për publikimin e të dhënave të kufomës

Policia e Shtetit, në pamundësi për ta identifikuar ndryshe kufomën e gjetur të masakruar tri ditë më parë, kërkon ndihmën e mediave vizive dhe të shkruara, si dhe të qytetarëve të ndryshëm për të identifikuar të riun e moshës 18-25 vjeç. Sipas burimeve zyrtare policore, nga strukturat e hetimit të krimit në Policinë e Shtetit është duke u punuar intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe vënien para drejtësisë së autorëve të saj. Ndërkohë Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e këtij shtetasi. Për çdo informacion qytetarët mund të telefonojnë në numrin publik pa pagesë 129. Kufoma e gjetur tri ditë më parë është e seksit mashkull, me gjatësi trupore 1.68 cm, mosha 18-25 vjeç, me flokë ngjyrë të zezë të qethur shkurt e të lyer me xhel, sytë bojë qielli. Ai mbante veshur një bluzë të zezë, në pjesën e përparme të bluzës ka mbishkrimin “Emporio-Armani”. Po ashtu mbante veshur pantallona treçerekëshe doku me ngjyrë bezhë, si dhe atlete ngjyrë gri me mbishkrimin “Nike”. Policia e Shtetit, duke falënderuar përfaqësuesit e medias për bashkëpunimin e vazhdueshëm, kërkon ndihmën e tyre në publikimin e këtij informacioni, me qëllim që të bëhet i mundur identifikimi i këtij shtetasi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›