E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanitaret e pushuara nga QSUT-ja, protestë para ministrisë

Sanitaret e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë që u pushuan nga puna nga data 1 gusht, kanë protestuar dje përpara Ministrisë së Shëndetësisë. Mbi 80 sanitare kanë dalë në protestë, ku kanë kërkuar rikthimin në vendin e punës, pasi e kanë cilësuar si të jashtëligjshëm pushimin e tyre. Ato kanë kërkuar nga ministrja e re, znj. Anila Godo, që të ndërhyjë për rikthimin e tyre në punë, duke marrë përgjigje se rasti i tyre do të shqyrtohet.

Protesta

Sanitaret kanë akuzuar se në rastin e tyre nuk kemi të bëjmë me një reformë në shëndetësi, por thjesht me një ndryshim të stafit. Ato deklaruan se në vendin që deri pak ditë më parë mbanin, janë emëruar sanitare të tjera dhe se reforma është kryer vetëm për arsye politike.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se do të shqyrtojë ankesat e sanitareve dhe do të japë përgjigje ditët në vijim mbi shqetësimin e tyre. Burime nga ky dikaster bënë të ditur se rastet do të shqyrtohen në mënyrë të detajuar dhe se në rast se akuzat e tyre janë të vërteta, atëherë do të rikthehen në vendet e punës.

Vetë sanitaret deklaruan se ministrja e re, ish-mjeke në QSUT, znj. Anila Godo, u ka dhënë shpresë se do të gjendet një zgjidhje për problemin e tyre dhe se do të qëndrojnë përpara ministrisë derisa të marrin një përgjigje përfundimtare.

Largimi nga puna

Sanitaret u pushuan nga puna më 1 qershor pas një vendimi të drejtorisë së QSUT-së dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkurtimin e organikës së qendrës së vetme spitalore publike në vend. Sipas të dhënave paraprake, kjo ishte vetëm vala e parë e shkurtimit të organikës, çka do të pasohet edhe me largimin e një numri ende të papërcaktuar të punonjësve të këtij institucioni.

Sipas specialistëve, spitalet në vendin tonë kanë organikë të “fryrë”, kryesisht për sa u përket sanitareve. Ata thonë se numri i sanitareve është shumë herë më i madh nga sa realisht u nevojitet spitaleve dhe qendrave spitalore dhe sistemit parësor shëndetësor, duke krijuar shpenzime të panevojshme për taksapaguesit shqiptarë, ndërkohë që numri i mjekëve është mjaft i ulët.

Për këtë arsye, burime nga QSUT-ja kanë bërë të ditur se nuk do të largohet nga ky institucion asnjë mjek dhe asnjë infermiere, në mënyrë që dinamika e qendrës spitalore të mbetet e njëjtë. Kështu, do të preket vetëm shërbimi mbështetës i spitaleve, ndërkohë që do të krijohet mundësia për rritjen e numrit të mjekëve, ndihmësmjekëve dhe infermiereve në shëndetësi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›