Jep dorëheqjen kreu i QSUT-së
Drejtori i QSUT-së Mati Pepa ka njoftuar dorëheqjen dje rreth mesditës, pasi më parë kjo i ishte kërkuar nga Ministrja e re e Shëndetësisë, znj. Anila Godo. Ministrja kishte kërkuar largimin e drejtorit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, z. Mati Pepa, duke përsëritur në këtë mënyrë kërkesën e kahershme të ish-ministrit, Nard Ndoka dhe ky përndryshe nga herët e tjera ka pranuar të largohet duke dhënë dorëheqjen.
Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat pohuan për gazetën se doërheqja ishte zyrtare ndonëse kërkesa nuk i është dërguar ende zyrtarisht Kryeministrit, kjo do të ndodhë ditët në vijim. Kompetenca për shkarkimin dhe emërimin e drejtorit të QSUT-së i takon Kryeministrit Berisha, i cili e ka refuzuar më parë një kërkesë të tillë të bërë nga Nard Ndoka.
Përplasja Ndoka-Pepa
Duket se radha e shkarkimeve do të prekë persona të tjerë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Kështu, pritet dorëheqja e drejtorit të Drejtorisë Spitalore në këtë ministri, z. Emanuel Dungu, ndërkohë që pas kësaj dorëheqjeje do të merret vendimi edhe për drejtorin e QSUT-së, i cili emërohet dhe shkarkohet me propozim të ministrit të Shëndetësisë, nga Kryeministri, z. Sali Berisha.
Z. Mati Pepa ka qenë në qendër të sulmit të ish-ministrit, Nard Ndoka, pas përçarjes së Partisë Demokristiane. Ndoka, i cili e propozoi Mati Pepën në krye të qendrës spitalore, i propozoi tri herë Kryeministrit Berisha shkarkimin e drejtorit të QSUT-së, duke marrë përgjigje negative. Z. Pepa u bashkua me grupin që kërkoi largimin e z. Ndoka nga Partia Demokristiane dhe është aktualisht anëtar i kryesisë së PDK-së të drejtuar nga z. Anton Gurakuqi.
Ndryshimet në MSH
Në çastin që u emëruar ministre, znj. Anila Godo deklaroi se do të reformonte një pjesë të stafit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të institucioneve që varen nga kjo ministri, në mënyrë që të mos përbëhej nga staf i ngjyrosur politikisht. Godo deklaroi se në vend të këtyre personave do të emëroheshin specialistë të fushës dhe se nuk do të ekzistonte asnjë ndikim politik. “Do të kemi një reformë, por ju siguroj që nuk do të ketë lëvizje partiake, por profesionale”, – deklaroi ajo.
Menjëherë pas marrjes së detyrës së re, ministrja e Shëndetësisë, znj. Anila Godo, lajmëroi largimin nga ky dikaster të sekretarit të përgjithshëm, z. Afrim Krasniqi, në vend të të cilit u vendos ish-drejtoresha e përgjithshme e Tatim-Taksave, znj. Gerta Picari. Ndërkohë, pas kësaj u larguan nga puna shefja e kabinetit të ish-ministrit Ndoka, znj. Erestina Halili, këshilltari politik Lazër Stani si edhe punonjës të tjerë të dikasterit.