"Gjallë", filmi i keqkuptuar
"Gjallë" është një film ku qeshet me fatkeqësinë e një jete në ankth për marrjen e gjakut. Pasi del nga salla e kinemasë, të sulen një mori përse-shë. Përse Otranto? Përse një gjuhë jo e goditur? Përse personazhe jo të përshtatshëm dhe të pavërtetë? Përse një film "jo i gjallë"?
Kinemaja e mirë të mbërthen, të zhvesh nga mendimet, gjykimet vetjake, përjetimet dhe të detyron t'i dorëzohesh asaj, të jesh "preja" e ideve regjisoriale, të harrosh ku je, kur ke ardhur dhe sa kohë ke aty.
Kjo nuk ndodhi në filmin "Gjallë" të Artan Minarollit, mbrëmjen e së shtunës në kinema "Imperial". Ishin të shumta komentet e spektatorëve për batutat e komikëve të "Portokalli"-së, përshkrimet e njërës skenë ose tjetrës, por askush nuk e zuri në gojë gjakmarrjen, kryetema e filmit, që me sa dukej duhej të kishte qenë subjekt fillestar për Minarollin, autor i skenarit.
Një film për gjakmarrjen?
Dyshimit ia zuri përfundimisht vendin bindja se "Gjallë" nuk është një film për gjakmarrjen, kur aty në finale shfaqet me titra dedikimi i autorit në kujtim të viktimave të Otrantos, ndërsa përpiqeshin të kalonin në mënyrë klandestine kufijtë, në vitin 1997.
Kjo ishte fjalia që e përmbysi të gjithë historinë që u shfaq gjatë 90 minutave në ekranin e madh, dhe i vuri vulën një keqkuptimi të madh që përfaqëson ky film në përplasjen aksidentale që u bën dy temave të realitetit shqiptar: njëra me rrënjë të thella, siç i ka kodi i maleve, tjetra - një dramë e Shqipërisë postkomuniste.
Gjuha është një tjetër element i shpërdoruar. "Gegërishtja" vinte natyrshëm në gojën e aktorëve gegë për nga origjina, si Bruno Shllaku, Tinka Kurti, Reshat Arbana, kurse e folura nga brezi i ri, vinte e ftohtë, artificiale. Të gjitha ato herët që dikush nga aktorët provonte me ndonjë shprehje tek-tuk, dukej edhe më keq.
Edhe interpretimi ose lakimi i bëhet kanunit linte për të dëshiruar. Pjesë të tij ku përkufizohet dhe interpretohet gjakmarrja vënë në gojë të burrave të malësisë, u ngjanin ca thënieve të mësuara përmendësh.
Regjisorit i ka dalë duarsh ndërtimi i karaktereve, sidomos ndërtimi i figurës së protagonistit, studentit Koli (Nik Xhelilaj) që ndiqej nga gjakësi.
Ky personazh mbetet linear, nuk i zhvillohet, është i parashikueshëm dhe i lexueshëm në ato që duhet të ishin uljet dhe ngritjet e dramës së tij.
E çuditshme sjellja e tij. Përfshihet pak emocionalisht në vdekjen e të atit, hidhet i gjallë tek kujtimet fëminisë. Duket si i zënë në kurth nga të gjitha situatat e krijuara, futet brenda tyre dhe nuk ndjen cila është mënyra së cilës duhet t'i përshtatet.
Detajet që mund të identifikonin të veçantat dhe karakteristikat e kësaj historie, të vendeve dhe të njerëzve, janë lënë pas dore, si ngjyrat në një tablo harmonike, të cilat po i lëvize nga rryma e tyre e vetvetishme, rrezikojnë ta prishin vetë tablonë. Janë detaje që mendja regjisoriale i ka lënë në terr.
"Gjallë" është një film ku qeshet me fatkeqësinë e një jete në ankth për marrjen e gjakut. Pasi del nga salla e kinemasë, të sulen një mori përse-shë. Përse Otranto? Përse një gjuhë jo e goditur? Përse personazhe jo të përshtatshëm dhe të pavërtetë? Përse një film "jo i gjallë"?