Raporti, 34 nga 50 prokurorë të Tiranës me shkelje
Shkeljet e zbuluara nga drejtësia ndodhen në dorën e kryeprokurores Ina Rama dhe prokurorëve për të bërë oponencën
TIRANË- Ministria e Drejtësisë i dorëzoi zyrës së kryeprokurores Ina Rama raportin e kontrollit të kryer në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, duke rekomanduar edhe masat përkatëse për 34 prokurorë të konstatuar me shkelje.
Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë dikasterit të drejtësisë dhe vetë institucionit të akuzës, të cilët ia kanë shpërndarë të gjithë prokurorëve të evidentuar me shkelje, raportin duke i kërkuar të bëjnë oponencën e tyre në lidhje me pretendimet e ngritura nga grupi i kontrollit.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se nga 50 prokurorët që ka Prokuroria e trethit Tiranë, 34 prej tyre kanë rezultuar me shkelje të ndryshme ligjore. "Nga 50 prokurorët në detyrë, 34 prej tyre janë konstatuar me shkelje, në cilësimin dhe vlerësimin e "masave të sigurisë"; "pushimit të dosjeve"; "pezullimit të dosjeve"; "afatet procedurale të hetimit" e shkelje të tjera.
Për këto 34 prokurorë, Ministria e Drejtësisë ka rekomanduar Prokuroren e Përgjithshme të marrë masa disiplinore, nga vërejtje deri në shkarkim nga detyra. Nga 34 prokurorët e gjetur me shkelje, për 12 prej tyre është rekomanduar masa ekstreme e "shkarkimit nga detyra e prokurorit", për 10 të tjerë është rekomanduar "transferim nga institucioni" ku kryen detyrën dhe për 12 të tjerët masa të ndryshme disiplinore, si vërejtje apo paralajmërim për largim nga detyra",- thuhet nga burimet pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërkohë, pas dorëzimit të këtij raporti në Prokurorinë e Përgjithshme, kryeprokurorja Ina Rama ka nisur në drejtim të institucionit të akuzës në kryeqytet verifikimin e këtij raporti, duke konstatuar edhe ajo shkeljet e evidentuara nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë.
Pas këtij konstatimi, zyra e kryeprokurores Rama ia ka dërguar raportin e kontrollit të gjithë prokurorëve të konstatuar me shkelje, duke i kërkuar mendimin dhe argumentet "mbrojtëse" në lidhje me atë inspektim. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, ky kontroll ka filluar që nga tetori i 2008 dhe ka vazhduar deri në shkurt 2009, duke kontrolluar dosjet e shqyrtuara nga këto prokuror nga shtatori 2007 deri në shkurt 2009.
Gjatë kësaj kohe, janë kontrolluar të gjitha dosjet e "mos fillim hetimeve"; "pushimit të dosjes"; "pezullimet"; "masat e sigurisë" dhe "afatet hetimore" të një dosjeje. Të pyetur për këtë raport të Ministrisë së Drejtësisë, zëdhënësja e këtij institucioni Holta Zhiti u shpreh se "Është marrë tashmë raporti i Ministrisë së Drejtësisë dhe i është dërguar të gjithë prokurorëve për të dhënë oponencën e tyre në lidhje me kontrollin dhe institucioni i akuzës ndodhet në fazën e shqyrtimit të këtij raporti. Flamur Vezaj