E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi uron Vaçe Zelën

Mbrëmja e djeshme i është kushtuar ikonës së muzikës shqiptare, Vaçe Zelës. Ndonëse nuk ka mundur të jetë në Tiranë, në 70-vjetorin e lindjes së këngëtares, ajo ka marrë shumë urime. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përmes një telefonate të ngrohtë i ka shprehur urimet më të përzemërta Artistes së Popullit dhe Nderit të Kombit. Duke vlerësuar interpretimin e jashtëzakonshëm të këngëve të muzikës së lehtë e popullore shqiptare së këngëtares Vaçe Zela, Topi i uroi ikonës së shenjtë të muzikës shqiptare shëndet dhe jetë të gjatë. Presidenti i Republikës ka theksuar se figurat e shquara kombëtare, perlat e muzikës shqiptare, gjithnjë do të jenë në vëmendjen e shtetit shqiptar dhe do të kenë mbështetjen e duhur për kontributin e dhënë në evidentimin e vlerave të artit e të kulturës. Nga ana e saj, këngëtarja e ka falënderuar Presidentin Topi për urimet. Një udhëtim përmes këngëve që Vaçe Zela ka kënduar në vite, ka qenë urimi i përvjetorit që i ka shkuar këngëtares nga Pallati i Kongreseve. Nën kujdesin e Zonjës së Parë, Teuta Topi, u zhvillua mbrëmja gala për nder të këngëtares së madhe, nën titullin "Vaçe Zela, një grua, një mit". Rreth 15 këngë të sjella ndër vite nga Vaçe Zela, janë kënduar nga artistë të ndryshëm si: Qemal Kërtusha, Irma Libohova, Myfarete Laze, Sidrit Bejleri, Vikena Kamenica etj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›