E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro: Dhjetëra kategori të reja në skemën e ndihmës ekonomike



Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, parashtron për “standard” ndryshimet rrënjësore që janë parashikuar të kryhen në skemën e ndihmës ekonomike. Grupi ndërministror i kërkuar nga Kryeministri Berisha ka arritur në përfundimin se kriteri ekonomik nuk duhet të jetë i vetmi në dhënien e ndihmës ekonomike. Në këtë mënyrë do të përfitojnë disa kategori familjesh, pavarësisht nga të ardhurat që kanë. “Në praktikë u vërejt se kishte lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve të papërfshira në skemë”, – deklaron z. Duro. Familjet që përfitojnë, janë ato që kanë si kryefamiljarë njërin nga fëmijët për arsye të vdekjes prindërve ose kur njëri prej prindërve është dënuar, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton si edhe kur kryefamiljar është një person me aftësi të kufizuara fizike. Kategori të tjera që do të shtohen janë ato që kanë si “kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një individ që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension, si dhe kur anëtaret e familjes së tij janë, mbi dhe nën moshe pune, të cilët nuk përfitojnë pension”, – bën të ditur z. Duro.

Ndërkohë, ndryshime rrënjësore duket se do të ketë edhe për sigurinë në punë. Ministri deklaron se po fuqizohet roli i Inspektoratit Shtetëror të Punës, sikurse po krijohen dhe mekanizmat për rritjen e sigurisë në punë. Ndërkohë, mosbashkëveprimi mes pushtetit vendor dhe ISHP-së duket se do të marrë fund falë një sërë aktesh ligjore të përgatitura nga ministria. “Pikërisht për institucionalizimin e këtyre marrëdhënieve, me qëllim përmirësimin e situatës, në dokumentet e përgatitura së fundi si, Strategjia dhe Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, përcaktohen jo vetëm aktorët përgjegjës, por edhe bashkëpunimi mes tyre”, – bën të ditur z. Duro.

Masat e sigurisë në punë nuk ndiqen me rigorozitet. Me sy të lirë, vetëm në Tiranë, mund të dallohen kantiere ndërtimi pa rrjete mbrojtëse dhe ku punëtorët janë të pasiguruar. Pse ndodh kjo dhe cila është ecuria e përmirësimit-përkeqësimit të situatës së sigurisë në punë, sipas mendimit tuaj?

Ministria e Punës, në zbatim të politikave të qeverisë për fuqizimin e tregut të punës, ka trajtuar me prioritet sigurinë dhe shëndetin në punë të punonjësve, si kusht themelor për zhvillimin e ekuilibruar shoqëror dhe ekonomik.

Sigurisht, me gjithë hapat pozitive të ndërmarra, si në kuadër të përmirësimeve ligjore ashtu edhe ngritjes dhe forcimit të strukturave përkatëse inspektuese, vërejmë se mbetet ende shumë për të bërë. Kështu, nga studimet e fundit kemi vënë re se ndërgjegjësimi i punëdhënësve e punëmarrësve në lidhje me shëndetin e sigurinë në punë është ende në nivele të ulëta. Sektorët më problematikë, ku vazhdon të mbetet shqetësues numri i lartë i aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, vazhdojnë të jenë ndërtimi, minierat, ndërmarrjet e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve etj.

Por, nuk mund të themi se situata është përkeqësuar pasi, po t’u referohemi shifrave, numri i aksidenteve në punë gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 rezulton shumë më i ulët se ai i tremujorit të parë të vitit 2008, po ashtu është rritur numri i mjekëve në ndërmarrje.

Megjithatë, mbetet shumë për t’u bërë ende. Sapo kemi miratuar në Këshillin Kombëtar të Punës, Dokumentin Strategjik të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, 2009-2013, nëpërmjet të cilës synohet që jo vetëm Inspektorati Shtetëror i Punës të kontribuojë në arritjen e vendeve të punës të sigurta e të shëndetshme, por edhe përfshirjen e më shumë institucioneve, partnerëve socialë si dhe gjithë opinionit publik për promovimin e një kulture parandaluese në drejtim të sigurisë e shëndetit në punë.

Përpara pak ditësh një delegacion i ILO-s cilësoi si të mangët strukturën dhe punën e Inspektoratit Shtetëror të Punës. Cilat janë masat që do merren për rivitalizimin e këtij organizmi?

Delegacioni i nivelit të lartë të ILO-s, kryesuar nga drejtori i përgjithshëm i ILO-s për Evropën Juglindore, Mark Levin, qëndroi në Shqipëri tri ditë dhe qëllimi i vizitës ishte inspektimi i situatës aktuale në fushën e të drejtës së punës dhe performancës së strukturave të Inspektoratit Shtetëror të Punës.

Në fund të kësaj vizite, unë zhvillova një takim me delegacionin ku diskutuam rreth situatës së konstatuar dhe problematikës së hasur në punën e Inspektoratit. Delegacioni parashtroi rekomandime dhe sugjerime për përmirësimin e situatës, duke ofruar mbështetje dhe asistencë në arritjen e standardeve më të mira në fushën e inspektimit të punës.

Ekspertët e ILO-s vlerësuan përpjekjet e bëra nga Shqipëria në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në punë, duke përmendur si tregues të kësaj vëmendjeje ratifikimin e një numri të madh konventash të rëndësishme të ILO-s dhe punën e bërë për plotësimin dhe përmirësimin e legjislacionit të brendshëm, duke u ndalur tek Strategjia dhe Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Sigurisht që këto dokumente të bëhen eficente është e domosdoshme forcimi i strukturave të inspektimit, hartimi i listës së sëmundjeve profesionale, si dhe trajnimi i specialistëve të shëndetësisë në këtë fushë.

Rekomandimet e raportit që pritet të na paraqiten në fund të këtij muaji, do të vlerësohen nga Ministria e Punës dhe Inspektorati që, në bashkëpunim me ILO-n, do të përgatitin ndërhyrjet e nevojshme në kuadër të një projekti të qeverisë norvegjeze.

Po ashtu, nga qershori i vitit 2008, BE-ja ka filluar financimin e projektit për mbështetje për shërbime të Inspektoratit të Punës, nëpërmjet dhënies së asistencës teknike nga ekspertët e huaj. Kjo asistencë konsiston në ngritjen e kapaciteteve institucionale të inspektoreve të punës, sidomos në drejtim të inspektimit për kushtet e sigurisë e shëndetit në punë.

Tashmë, inspektimi në punë është orientuar drejt inspektimit cilësor dhe efektiv.

Inspektorati ka 120 punonjës të cilët duhet t`i përgjigjen të gjithë tregut të punës. Kemi të bëjmë me mangësi në staf apo keqmenaxhim dhe cila është përgjigjja ndaj kësaj situate?

Ministria i ka kushtuar vëmendje të veçantë forcimit të Inspektoratit Shtetëror të Punës, i cili nëpërmjet sistemit të inspektimit në punë kontrollon zbatimin e legjislacionit të punës, ku prioritare janë krijimi i vendeve të punës, të sigurta e të shëndetshme, si dhe parandalimi i aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale.

Ky forcim ka konsistuar në drejtim të plotësimit të kuadrit ligjor, ngritjes dhe fuqizimit të kapaciteteve institucionale, futjes së politikave të reja në inspektim etj. Rritja dhe forcimi i kapaciteteve të strukturave të Inspektoratit vazhdon të jetë prioritet yni, kjo nëpërmjet edukimit dhe trajnimit, duke ndihmuar në krijimin dhe zhvillimin e njohurive profesionale.

Tashmë është riorganizuar e fuqizuar pranë ISHP-së, Drejtoria e Sigurisë e Shëndetit në Punë. Janë ngritur 12 drejtori rajonale inspektimi që mbulojnë me inspektim të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ekziston një harmoni e brishtë e punës mes ISHP-së dhe Këshillave të Rregullimit të Territorit. ISHP-ja ka kërkuar që për çdo leje të dhënë të sinjalizohet, çka deri më sot nuk ka ndodhur. A do të ketë ndërhyrje ligjore në lidhje me këtë?

Një nga problemet e hasura në punën e Inspektoratit ka qenë edhe mungesa e bashkëpunimit dhe kooperimit të strukturave të saj me strukturat që veprojnë dhe duhet të veprojnë në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Pikërisht për institucionalizimin e këtyre marrëdhënieve, me qëllim përmirësimin e situatës, në dokumentet e përgatitura së fundi si, Strategjia dhe Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, përcaktohen jo vetëm aktorët përgjegjës, por edhe bashkëpunimi mes tyre. Po ashtu, me qëllim koordinimin dhe monitorimin e këtij bashkëpunimi, është parashikuar ngritja e një komiteti ndërministror nën drejtimin e Kryeministrit.

Dokumenti strategjik është shoqëruar edhe me Planin e Veprimit, në të cilin janë përcaktuar masat konkrete, institucionet përgjegjëse për realizimin e tyre, si dhe burimet e financimit për realizimin e këtyre masave.

Një temë tjetër. Kryeministri Berisha ka kërkuar përpara disa muajsh ngritjen e një grupi pune për shikimin e mundësisë së zgjerimit të skemës së ndihmës ekonomike. Ky grup pune ka bërë propozimet e tij. Cilat janë ato dhe në ç`mënyrë do të zgjerohet skema? (kategori që përfitojnë etj.)

Me urdhër të Kryeministrit Berisha, para tre muajsh u ngrit dhe filloi nga puna grupi ndërministror, drejtuar nga ministri i Punës, për të marrë në shqyrtim dhe për të propozuar ndryshimet përkatëse në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, me qëllim reflektimin e nevojës për garantimin e përfshirjes së disa grupeve si përfitues të ndihmës ekonomike.

Grupi ndërministror është mbledhur disa herë dhe tashmë ka përfunduar draftin paraprak për ndryshimet e ligjit. Drafti, pas konsultimit me ministritë e linjës, është paraqitur për miratim në Këshillin e Ministrave dhe, më pas, në Parlament.

Ndryshimet e propozuara nuk e cenojnë skemën, por zgjerojnë kategoritë e përfituesve, kjo pasi në praktikë u vërejt se kishte lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve të papërfshira në skemë. Këto kategori do të përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljarë njërin nga fëmijët për arsye të vdekjes prindërve ose kur njëri prej prindërve është dënuar, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton. Po ashtu parashikohet të përfshihen ato familje që kanë si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizike e mendore, paraplegjik dhe tetralegjik ose invalid pune; si kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një individ që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension, si dhe kur anëtaret e familjes së tij janë, mbi dhe nën moshe pune, të cilët nuk përfitojnë pension.

Është nënshkruar marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për sa i përket emigracionit stinor, në bazë të së cilës emigracioni kanalizohet nëpërmjet zyrave të punësimit. Kur do të vihet në zbatim kjo procedurë dhe cilët janë hapat që duhet të ndjekë një emigrant-aspirant?

Marrëveshja e nënshkruar në Tiranë mes dy qeverive në fushën e punës synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona për të menaxhuar më mirë flukset e punonjësve migrantë në drejtim të dy shteteve si dhe lehtësimin e rekrutimit të shtetasve shqiptarë në tregun e brendshëm italian të punës.

Është një marrëveshje kuadër, e cila ndikon në përcaktimin e kuotave prioritare vjetore për shtetasit shqiptarë që hyjnë për punësim në Itali, pasi autoritetet italiane marrin parasysh marrëveshjet e punësimit të nënshkruara me vendet e treta në shpalljen e dekret-flukseve të përvitshme. Këtë e vërteton edhe dekreti i para pak ditëve që shpallte 80 mijë kuota për vendet joanëtare të BE-së, ku shqiptarët, falë kësaj marrëveshjeje, përfitojnë. Sigurisht që secili prej tyre do të duhet të sigurojë paraprakisht një kontratë pune nga një punëdhënës italian. Pra, në këtë kuptim, marrëveshja ka hyrë në fuqi. Për sa u përket edhe pikave të tjera të marrëveshjes, ku proceduarat do të kanalizohen edhe nëpërmjet institucioneve, strukturat tona janë duke punuar me ato italiane dhe shumë shpejt do të konkretizohet edhe kjo pjesë e marrëveshjes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›