E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjana: Dy variantet e bashkimit të së djathtës

Jemin Gjana shprehet se modeli i së djathtës italiane të Berluskonit është më i mundshmi për t’u aplikuar dhe në Shqipëri

Afrimi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ka vënë në lëvizje të djathtët për të realizuar një formë të atillë organizimi midis tyre, që të krijonte mundësi për të maksimizuar rezultatin elektoral. Një nga njohësit më të mirë të çështjeve zgjedhore dhe organizative në Partinë Demokratike, ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana jep alternativat më të mundshme se si e djathta mund të dalë në zgjedhjet e ardhshme qendrore. Duke përcaktuar pranverën e vitit 2009 si kohën limit kur dhe duhet të ketë përfunduar çdo lloj debati për formatin e së djathtës, Gjana, vlerëson se mbeten të hapura të gjithë opsionet e realizimit të këtij qëllimi. Sipas tij, një e djathtë e bashkuar në zgjedhjet e ardhshme mund të arrihet kryesisht nëpërmjet dy rrugëve: shkrirjes së brendshme të disa subjekteve politike me PD-në dhe rrugës së dytë, që duket se është edhe më e mundshmja, krijimi i një lloj organizimi kolegjial në formën e një federate apo konfederate. “Mendoj se ndërtimi ose ristrukturimi dhe modaliteti i funksionimit të djathtës, të partive politike të së djathtës, qoftë në një proces shkrirje të brendshme të disa prej tyre, qoftë në një modalitet të krijimi të një strukturimi më funksional, janë të domosdoshme”,- tha ministri Jemin Gjana. Duke u përqendruar tek ideja e parë, ajo e shkrirjes së brendshme apo bashkimit si një forcë e vetme politike të disa subjekteve që deri më tani militojnë si parti më vete, ai thekson se kjo përbën një shans për t’u bashkuar me PD-në të gjithë ata individë apo forca politike që dikur kanë qenë pjesë e saj. Referuar pikërisht rastit të reformatorëve, të cilët kanë shprehur prej kohësh dëshirën për t’u bashkuar me PD-në si një forcë e vetme, Gjana ka theksuar se kjo është tërësisht e mundshme. Megjithatë ai edhe në këtë rast nuk ka ngurruar ta konsiderojë vullnetin e reformatorëve të Pollos për t’u kthyer në gjirin e demokratëve, si një shenjë pendese për largimin e disa viteve më parë, largim që sipas tij ka qenë i pamotivuar. “Nuk mendoj se unë mund të marr përsipër të komentoj nëse PDR dhe PD, dhe forca të tjera politike, do shkojnë drejt organizimesh të tjera të strukturave të së djathtës. Ajo që mund të them si njeri që nuk është larguar kurrë nga strukturat e partisë, është se konsideroj se edhe largimet, nuk kanë qenë largime të motivuara, ndërsa bashkimet mund të jenë më të motivuara se largimet, pasi personalisht nuk kam gjetur kurrë arsye të largimit të Pollos prej PD-së”,- tha Gjana. Përsa i përket rrugës së dytë, asaj të krijimit të një subjekti politik kolegjial të tipit të federatës apo konfederatës, ku secila parti do të mund të ruante identitetin e saj, ministri demokrat shprehet se për ta realizuar e djathta shqiptare ka tashmë të gatshme disa modele për të ndjekur, siç është rasti i koalicionit të djathtë francez apo atij italian. “Modelet dhe modalitetet janë tek të tjerët, si tek e djathta franceze apo e djathta italiane. Pra, nuk është se mungojnë modelet dhe nuk është e paarsyeshme që pas dy dekadash jete politike dhe e djathta shqiptare të shohë modelet më të mira të kontinentit, për të realizuar zgjidhjet që mund të jenë më funksionale”, - tha Gjana. Kjo mënyrë, sipas tij, do të bënte të mundur, së pari, të ruante identitetin e secilës forcë që nuk dëshiron të shkrihet me PD-në dhe, së dyti, të eliminonte pengesat që sjell ndryshimi në program, siç është rasti i republikanëve, të cilët kanë shpallur si bazë të organizimit të tyre politik, luftën për rikthimin e pronës dhe të ligjit për dënimin me vdekje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›