E Diel, 1 Nëntor 2026

Kume: LSI rrezikon shumë nga sistemi proporcional

Intervista/ Kume shprehet se në rast se njeri krah i politikës del në koalicion, kjo bëhet e detyrueshme edhe për krahun tjetër

Ish-Kryetari i KQZ-së dhe një nga specialistët e fushës së zgjedhjeve, Kristaq Kume, bën një analizë të mundësive që krijon sistemi proporcional për realizimin e koalicioneve dhe mënyrës së përllogaritjes së votave. Ai thekson se partitë e vogla janë të rrezikuara në rast se nuk do të bëhen pjesë e koalicioneve me partitë e mëdha.

Z.Kume, ndryshimi i sistemit zgjedhor në sistem proporcional, sa të domosdoshme e bën daljen e forcave politike në koalicione?

Sistemi proporcional, në thelbin e vet, vendos garën midis subjekteve të ndryshme politike, çka do të thotë që koalicionet në këtë sistem jo se nuk mund të realizohen, por vetë sistemi kërkon që forcat e ndryshme politike, subjektet politike të tregojnë se çfarë peshe kanë ato në elektorat. Ndërsa koalicionet, në bazë të logjikës së këtij sistemi bëhen pas përfundimit të zgjedhjeve, për të krijuar shumicën e nevojshme qeverisëse. Por siç e thashë edhe më lart, sistemi proporcional nuk i përjashton koalicionet. Në këtë lloj sistemi janë të mundshme që të realizohen dy lloje koalicionesh: koalicionet ku subjektet elektorale bëhen bashkë dhe garojnë me një listë të përbashkët kandidatësh për deputetë në çdo rajon dhe koalicionet zgjedhore, ku subjektet zgjedhore bëhen së bashku, garojnë me lista të veçanta dhe votuesi jo vetëm që voton për koalicionin, por në të njëjtën kohë i kërkohet në fletën e votimit që të votojë edhe për subjektin brenda koalicionit. Në këtë rast, ndarja e votave pas përfundimit të numërimit të tyre për çdo rajon zgjedhor bëhet në një mënyrë të tillë, ku koalicionit i jepet në fillim numri i vendeve në Parlament që ai ka realizuar nga votat e të gjitha partive që e përbëjnë dhe pastaj, këto vende që i janë dhënë nga zgjedhësit ndahen në subjektet që e bëjnë atë sipas përqindjes së votave që ka marrë secila prej tyre. Formulat për ndarjen e tyre nuk janë të njëjta. Ndryshe mund të konceptohet formula që bën ndarjen për të caktuar sa vende do të marrë koalicioni për çdo rajon dhe ndryshe se si pastaj këto vende do të ndahen mes partive apo subjekteve që e përbëjnë atë.

Në kushtet kur e djathta ka deklaruar se do të dalë në koalicion, a përbën një domosdoshmëri që edhe e majta të bëjë të njëjtën gjë?

Në kushtet kur një forcë politike, pasi bën llogaritë e veta për rajonin përkatës i del se votat e saja nuk mund të konvertohen dot në deputetë, pasi nuk do të ketë fuqi elektorale në atë rajon për të kapërcyer pragun e nevojshëm, është e domosdoshme që të ndërtohen praktika të tilla që çojnë në krijimin e koalicioneve. Duke iu referuar situatës konkrete politike që ne kemi në vendin tonë, situatë e cila mbizotërohet nga dy grupime të mëdha politike, brenda të cilave ka parti të ndryshme politike të cilat klasifikohen në parti të mëdha lider, si PS dhe PD, për secilin krah dhe parti të vogla, që kanë peshë më të pakët elektorale. Në qoftë se një krah politik, siç është krahu i djathtë në një rajon të caktuar, do të garojë si koalicion, kjo do të thotë se ai i krijon kushte shumë të favorshme vetes për të kthyer në vende në Parlament, të gjitha votat e mundshme që merr nga elektorati. Në të kundërt, në rast se nuk e bën këtë gjë, një pjesë e votave do të rrjedhin dhe nuk do të kthehen në vende në Parlament.

Pra, bëhet e domosdoshme që edhe krahu tjetër të dalë në koalicion?

Për mendimin tim, po, e bën të domosdoshme. Këto janë llogari që partitë i bëjnë vetë, por në kushtet kur përllogaritja të tregon që votat e tua nuk do të arrijnë dot që të kthehen të gjitha në favorin tënd, sa për t’u shpallur forcë e parë, atëherë edhe partitë e majta duhet t’i përgjigjen me të njëjtën praktikë elektorale koalicionit të djathtë, duke krijuar koalicion.

Për të mbetur tek realiteti shqiptar, në rast se ndonjë nga partitë jo të mëdha - po marr rastin e LSI-së - nuk do të pranojë të bëhet pjesë e koalicionit të majtë, sa rrezikon ajo?

Është shpejt për të bërë këto llogari, pasi na mungon informacioni i plotë. Ajo që mund të gjykojmë, është mbi bazën e perceptimit dhe mbi bazën e rezultateve të derisotme. Në rastin konkret LSI me këtë strukturë ose me këtë përqindje që ajo ka realizuar deri në zgjedhjet e sotme, duke garuar si pjesë e së majtës përballë të djathtës, votat e saj ka shumë shans të humbasin dhe të mos kthehen vende në Parlament. Pra, e bën të domosdoshme për mendimin që nëse njëri krah garon i gjithi së bashku, edhe krahu tjetër duhet t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Teorikisht, do të thosha kështu duhet të veprohet, por praktikisht janë partitë që duhet t’i bëjnë hesapet e veta. Megjithatë, duhet thënë se koalicionet mund të jenë të ndryshme, në forma dhe përmbajtje, në rajone të ndryshme.

Si do të konvertoheshin votat e një force brenda një koalicioni në deputetë?

Të paktën nga aq sa është e shkruajtur në Kushtetutë, thuhet që Shqipëria do të ndahet në rajone sipas njërës prej ndarjes administrative aktuale. Kjo do të thotë që procesi mbyllet brenda rajonit zgjedhor, të cilit në bazë të numrit të votuesve do t’i caktohet një numër i caktuar deputetësh për të zgjedhur. Subjektet elektorale që garojnë brenda këtij rajoni duhet të marrin numrin e nevojshëm të votave për të kaluar pragun. Në rast se nuk e kalon këtë prag, atëherë votat e tua kthehen në zero. Kur kandidon vetëm, sidomos kur bëhet fjalë për partitë e vogla, atëherë shanset janë shumë më të mëdha që të ndodhi kjo gjë pasi ka pak gjasa që një parti e vogël të marrë aq vota sa të kalojë pragun. Ndërsa kur del në koalicion, kjo do të përcaktohet në bazë të formulës që do të vendoset paraprakisht, por e rëndësishme është që votat do të mbeten përsëri brenda koalicionit.

I lejon sistemi koalicionet vetëm në rajone të ndryshme?

Sistemi, me aq sa është shkruajtur nuk ndalon që të krijohen koalicione të ndryshme, në rajone të ndryshme, megjithatë, kjo duhet të pasqyrohet e detajuar në Kodin Zgjedhor.

Kohët e fundit është hapur dhe debati për detyrimin ligjor për të votuar. Mendoni se ka Shqipëria kushtet e duhura për të vendosur një përcaktim të tillë ligjor?

Në qoftë se ne nuk arrijmë dot të realizojmë të gjitha kushtet e nevojshme dhe të mjaftueshme që në procesin zgjedhor të marrin pjesë dhe emigrantët, nuk ka sens që të vendosen kufizime të tilla. Ky problem duhet të shtrohet për t’u diskutuar vetëm nëse ne do të plotësojmë të gjitha kushtet që të gjithë shqiptarët që kanë të drejtën për të votuar, të kenë mundësi reale për të votuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›