Xhafaj: Vota e detyruar me ligj, e parakohshme
Deklarata e kryeministrit Berisha se “do të marrë sanksione ligjore për ata që nuk votojnë”, ka të bëjë me një çështje që nuk është përfshirë në axhendën e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore. Sipas socialistëve, ideja e Kryeministrit për të detyruar me ligj qytetarët të votojnë (ky i fundit u detyrua një ditë më pas ta mohojë një nismë të tillë, pavarësisht se e deklaroi vetë gjatë punës prezantimit të bilancit të punës së qeverisë gjatë 7 muajve të parë) është krejtësisht e parakohshme për shkak të pamundësive që ofron Shqipëria për të plotësuar të gjitha kushtet e duhura zgjedhore, por edhe për shkak të infrastrukturës dhe mekanizmave të tjerë detyrues. Bashkëkryetari socialist i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Fatmir Xhafaj mohon që një gjë e tillë të jetë diskutuar ndonjëherë midis forcave politike, jo vetëm gjatë takimeve zyrtare, por edhe në bisedat informale. Megjithatë ai shprehet se në rast se një ide e tillë do të mund të realizohej, atëherë kjo do të sillte rezultate pozitive në pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, ashtu siç ka sjellë edhe në vendet ku tashmë e drejta për të votuar nuk është thjesht një detyrim moral, por edhe ligjor. “Edhe nëse këtë do ta konsiderojmë një opsion për të cilin ia vlen të diskutohet dhe të debatohet, është ende herët për të thënë se cili është dhe cili do të jetë qëndrimi që do të mbahet në këtë rast”,- tha Xhafaj. Xhafaj thekson se pavarësisht se një praktikë të tillë detyruese e aplikojnë shumë vende të tjera, midis të cilëve dhe vendi ynë fqinj, Greqia, për Shqipërinë ajo mbetet ende një opsion i pamundur për shkak të pamundësisë së shtetit për të siguruar kushtet e domosdoshme dhe të barabarta për të gjithë ata qytetarë që ditën e zgjedhjeve kanë mbushur moshën 18 vjeç. “Që në krye të herës, lind një problem i madh. Është e vërtetë që vendet e tjera e kanë një praktikë të tillë, dhe që kjo ka efektet e tjera pozitive, por duhet të kemi parasysh se vende të tilla, detyrime të tilla të rëndësishme kushtetuese i shoqërojnë edhe me një sërë masash të tjera të rëndësishme, siç janë infrastruktura zgjedhore, siç janë regjistrat e shtetasve, siç janë listat zgjedhore dhe natyrisht edhe mjetet e identifikimit të zgjedhësve”,- tha Xhafaj. Në shumë raste ku ky model është praktikuar, ka rezultuar si shumë i vështirë për t’u zbatuar. Kjo bën të dyshimtë zbatimin e tij edhe në Shqipëri, sidomos në kushtet e infrastrukturës sonë ku detyrime të rëndësishme si vjelja e taksave apo edhe detyrimet e tjera, mbeten problem. Problem mbetet në këtë rast edhe vota e emigrantëve. Kështu, në rast se do të aplikohej një detyrim i tillë ligjor, kjo do të kërkonte detyrimisht, krijimin e kushteve të barabarta për të votuar si për ata që jetojnë në Shqipëri, por edhe ata shtetas të tjerë që janë rezidentë në vendet e tjera. Ajo që vlen të theksohet në këtë rast, është se përqindja e shtetasve që nuk preferojnë ta ushtrojnë këtë të drejtë vazhdon të rritet nga njëra palë zgjedhje në tjetrën. Kështu, në vitin 1991 pjesëmarrja shënonte shifrat rekord, prej afro 98 për qind, ndërsa në zgjedhjet e korrikut 2005 arriti rekordet negative, me rreth 48 për qind.