E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti i PS, gjyqtarët shmangin Kuvendin

 

BLEDAR HOTI

Togat e zeza do të vendosin më 5 dhjetor për të mbledhur ose jo konferencën e Gjyqtarëve, pavarësisht se bojkoti i opozitës po pengon miratimin e ligjit. Kështu vendosi tryeza e rrumbullakët konsultative, e drejtuar nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, së bashku me krerët e gjykatave të vendit, shoqatat e gjyqtarëve dhe organizatat ndërkombëtare, që operojnë në sistemin e drejtësisë, si EURALIUS, USAID. Ngërçin e krijuar nga politika në mos funksionimin e KLD-së dhe të Konferencës gjyqësore, vetë “togat e zeza” e kanë zgjidhur duke pranuar që mblidhen edhe pse nuk është miratuar ligji i shumëkërkuar. Në deklaratën e miratuar me unanimitet është vendosur që “paralelisht me procesin ligjvënës, trupa gjyqësore të vetë administrohet në mënyrë të pavarur, duke thirrur në një takim të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë, në datë 05.12.2009”. “Në këtë takim do të diskutohet në lidhje me: “Pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe reformën e pushtetit gjyqësor; Rritjen e transparencës dhe të besimit të publikut tek drejtësia; Mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, thuhet në deklaratën për median. Mbi 300 gjyqtarë nga e gjithë Shqipëria do të mblidhen më 5 dhjetor për të vendosur se kur do ta mbledhin konferencën gjyqësore. Gjyqtarët njëkohësisht i kanë bërë apel partive politike që të miratojnë projektligjin “Për konferencën gjyqësore” për të zgjidhur ngërçin e krijuar. “I kërkojmë të gjitha forcave politike që të shprehin vullnetin dhe të marrin përsipër përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese për arritjen me konsensus dhe në kohë rekord për kalimin e këtij projektligji, i cili do të bëjë të mundur mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti”, thuhet në pikën 3 të deklaratës. Në të njëjtën kohë i bëhet thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të shpejtojë procesin e hartimit të draftit mbi bazën e rekomandimeve të paraqitura nga Euralius, OPDAT dhe shoqatat e gjyqtarëve. “I kërkohet Ministrisë së Drejtësisë që në kohën më të shkurtër të përshtatshme, ky projektligj me rregullimet e bëra, të kërkuara më sipër, t’i dërgohet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Shqipërisë, për miratim”, thuhet në deklaratë. Mungesa e opozitës në Kuvend po sjell mos funksionimin e KLD-së për faktin se 4 anëtarëve të KLD-së, që dalin nga Konferenca Gjyqësore, iu ka mbaruar mandati. Ndërsa dy të tjerëve u mbaron mandati brenda këtij muaji. Por Konferenca nuk mund të mblidhet pasi nuk është votuar ligji i ri, i cili kërkon një shumicë prej 3/5 të votave. Ky ligj ka ekzistuar më parë, por Gjykata Kushtetuese e shpalli si antikushtetuese një gjë të tillë, pas ankesës që bëri shoqata e gjyqtarëve.

Kërkesat e gjyqtarëve

I kërkojmë Ministrisë së Drejtësisë për të pasqyruar në draftin përfundimtar në mënyrë të detajuar, të gjitha rekomandimet e bëra nga trupa gjyqësore në tërësi, shoqatat e gjyqtarëve dhe misionit ndërkombëtar EURALIUS

I kërkohet Ministrisë së Drejtësisë që në kohën më të shkurtër të përshtatshme, ky projektligj me rregullimet e bëra, të kërkuara më sipër, t’i dërgohet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Shqipërisë, për miratim.

I kërkojmë të gjitha forcave politike që të shprehin vullnetin dhe të marrin përsipër përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese për arritjen me konsensus dhe në kohë rekord për kalimin e këtij projektligji, i cili do të bëjë të mundur mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë në tërësi dhe KLD-së në veçanti.

Në unanimitet u vendos që paralelisht me procesin ligjvënës, trupa gjyqësore të vetë administrohet në mënyrë të pavarur, duke thirrur në një takim të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë në datën 05.12.2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›