Gjana: Po kryejmë analizat për misrin kallp
Specialistët e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit po kryejnë analizat përkatëse në mostrat e misrit që ka rezultuar kallp në disa zona të vendit. Kjo është konfirmuar dhe nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana. Ministria nga ana e saj garantoi dje të gjithë fermerët për cilësinë dhe sigurinë e farërave dhe fidanëve bujqësore të importuar, që shiten në tregjet e vendin. Duke vlerësuar problemin me 100 kv farë misri, e cila prodhonte vetëm kallinj bosh (ngjarje e ndodhur ditët e fundit në zonën e Matit, Elbasanit e Peqinit), kreu i Bujqësisë tha dje në një konferencë për shtyp, se inspektorët po kryejnë me rigorozitet dhe saktësi kontrollin e farërave dhe fidanëve në të gjithë vendin. Për mbjelljet e pranverës 2008, - tha z. Gjana, - janë kontrolluar 27 subjekte importuese dhe janë asgjësuar 1.237 kv farë misri e papërshtatshme për mbjellje. “Kjo tregon se nuk kemi pasur arsye për të mos e groposur edhe 100 kv farë misri tjetër, pasi kjo sasi ka rezultuar me probleme gjatë stadit të prodhimit”, - theksoi ministri Gjana. Megjithatë, - u shpreh ministri i Bujqësisë, janë ngritur grupet e kontrollit, - që po identifikojnë në terren, në dy qarqe të vendit, situatën e prodhimit bosh të kallinjve. Gjana theksoi se dëmshpërblimi i fshatarëve, që nuk kanë marrë prodhim misri, do bëhet pasi të merren rezultatet e analizave të farës. Firma “Agro-Blend” ka importuar nga Franca 100 kv farë misri, që ka rezultuar me probleme gjatë fazës së pjalmimit. Në tregun shqiptar të farërave dhe fidanëve, operojnë 27 kompani, të licencuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për importin e farërave bujqësore.