E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjana: Prodhimet bujqësore vuajnë nga mungesa e marketingut

Fermerët vendas vuajnë nga mungesa e tregjeve, për shitjen e prodhimeve të tyre. Një gjë e tillë është deklaruar nga vetë ministri i Bujqësisë Jemin Gjana. 

“Këtë vit, prodhimi i fermerëve si në drithëra, ashtu edhe në fruta e perimeve është rritur. Por tek ne nuk ka tregje për të ruajtur këto produkte dhe për t’i përdorur ato pas përfundimit të sezonit, ashtu siç bëjnë vendet e tjera. Problem mbetët rrjeti i marketingut, dhe i ndërtimit të tregjeve të mëdha me kapacitet ruajtës”, ka thënë dje në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ministri Gjana. Mungesa e prodhimit vendas gjatë gjithë vitit është edhe arsyeja kryesore e çmimeve të larta, me të cilat përballemi çdo ditë. Kjo pasi duke qenë se gjatë muajve të dimrit kërkesa për mallra bujqësore plotësohet nga importi, çmimi i shitjes së tyre është në varësi të tregut të huaj. Gjatë raportimit në komision, ministri Gjana tha se investimet e kryera në ujitje dhe kullim, gjatë tre viteve të qeverisjes së maxhorancës, kanë përmirësuar dhe rritur ndjeshëm ujitjen e tokave bujqësore. “Gjatë viteve të fundit, janë rikonstruktuar 479 km kanale ujitëse me 490 ura, 2320 porta lëshuese, duke vënë nën ujë rreth 30 mijë ha tokë”, ka thënë ai.
Ministri Gjana vuri në dukje, se sistemi i ujitjes dhe kullimit, mbart ende probleme të trashëguara nga procesi i ndarjes së tokave, urbanizimi i tokave bujqësore etj., për zgjidhjen e të cilave dikasteri i bujqësisë po punon me bordet e ujit, me qëllim rehabilitimin e plotë të këtij rrjeti në të gjithë vendin. Madje sipas tij, realizimi i investimeve në kullim dhe në hidrovore, ka eliminuar përmbytjet në rast të shirave të rrëmbyeshëm. Pas krizës së ushqimeve që ka përfshirë shumë vende të botës, ekspertët e ekonomisë deklaruan se, e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar krizës së ushqimeve është zhvillimi i sektorit të bujqësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›