Gjana: Verifikimi i tokave, ja kush penalizohet
Ministri i Bujqësisë tha se në sitën e verifikimit janë 400 mije tapi të lëshuara. Fillon kontrolli edhe për tokat në bregdet
TIRANË- Të gjitha tokat bujqësore të dhëna në zonat turistike do ti nënshtrohen verifikimit në terren. Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit Jemin Gjana ka siguruar dje të gjithë fermerët që kanë përfituar toka në mënyrë të paligjshme se nuk do të mund ti “gëzojnë” ato pa u vendosur më parë drejtësia siç e përcakton edhe ligji i ri “Për verifikimin e titujve të pronësisë”. Sipas ministrit, në sitën e verifikimit do të kalojnë të gjitha tokat bujqësore të shpërndara në zonat turistike sipas ligjit 7501 apo akteve të mëvonshme ligjore. Ndërsa në pjesën tjetër të vendit, tapitë e dhëna do të verifikohen vetëm nëse për një tokë të caktuar do të ketë ankimime në komisionet e verifikimit apo në njësitë vendore përkatëse, ndërkohë që në këtë proces parashikohet të përfshihen afro 400 mijë tapi të lëshuara. Gjithashtu ministri Gjana ka shpjeguar edhe procedurën që do të ndiqet në rastet kur do të rezultojnë toka të marra padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjet me anë të cilave është bërë shpërndarja e tyre. Në këto raste, ligji parashikon të godasë apo të penalizojë vetëm mbi individin e parë që ka përfituar në mënyrë të paligjshme, ndërsa përjashton nga kjo përgjegjësi të gjithë ata persona që e kanë blerë apo tjetërsuar pronësinë e kësaj toke. Gjana ka theksuar se përfituesi i parë që ka përvetësuar tokë në mënyrë të paligjshme do të detyrohet t’i paguajë shtetit dëmin e shkaktuar për çdo metër tokë bazuar në çmimet aktuale të tregut. “Ligji prek përfituesin e parë, pra nëse X person ka përfituar padrejtësisht atij do ti hiqet titulli i pronësisë dhe do ti merret sipërfaqja e tokës. Nëse këtë sipërfaqe rezulton se e ka shitur mbi transaksionin e dytë, të tretë apo të katërt varet sesa ai ka bërë, në këtë rast ligji nuk vepron më, toka nuk do të kthehet më ndërsa përfituesi i parë i kundraligjshëm ka detyrimin të kthejë kundravlerën në bazë të çmimeve të tregut”, - tha Gjana. Por Ministri shtoi se ajo që do të vendosë për heqjen e titullit të pronësisë nuk do të jenë komisionet e tokave apo verifikimit të titujve të pronësisë, por gjykata. Ndërkohë, ai ka pranuar se puna për verifikimin e titujve të pronësisë ka mbetur në vend për shkak se ende nuk janë ngritur komisionet e verifikimit, ashtu siç edhe e përcakton ligji i ri. Probleme janë hasur kryesisht në përzgjedhjen e individëve që do të merren me këtë proces në bazë. “Momentalisht jemi në procesin e selektimit të kandidaturave për sekretar teknikë për anëtarë të komisioneve vendore. Me ndërtimin e komisionit do të fillojmë menjëherë nga puna dhe kjo është çështje ditësh”, - tha Gjana.