PS, Braçe kundër ligjit për kazinotë
Tiranë- Ligj kriminal, korruptiv dhe klientelist e ka quajtur nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, ligjin për kazinotë dhe lojrat e fatit, diskutuar një ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë një konference për shtyp, Braçe ka sqaruar se ligji që synon të miratohet rrufeshëm në parlament liberalizon totalisht biznesin e bixhozit duke garantuar përhapjen e tij në çdo cep të vendit, nga Tropoja e tij deri në Konispol, kur dihet se ky biznes ashtu siç edhe biznesi tjetër me tregtinë e armëve dhe municioneve nuk është si biznesi i energjisë fjala bie, madje nuk është as si biznesi tashmë shumë i përhapur i zyrave juridike në territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Ligji është kriminal pasi nuk vendos kufizime në hapësirë për përhapjen, apo kufizime në CV-në penale të biznesmenëve apo bizneseve, shoqërive që licencohen në biznesin e bixhozit. Nuk vendos kufizime në moshën e lojtarëve apo edhe në moshën e të punësuarve në këtë biznes”- tha Braçe, duke kundërshtuar prerë miratimin e tij dhe duke e quajtur një ligj për të shpërndarë favore me licenca preferenciale edhe në biznesin e bixhozit, për klientët politikë të Sali Berishës.
Sipas Braces, në mënyrë kriminal mosha e lojtarëve dhe mbi të gjitha mosha e të punësuarve në këtë biznes vesi ulet nga 21 vjeç në 18 vjeç. Për këtë ai ka cituar një nga nenet e ligjit ku dëshmohet qartë ulja e moshës, gjë që bie ndesh me ligjin që garanton mbrojtjen e të miturve.
Ligji, sipas tij është klientelist, pasi aplikon tarifa preferenciale për kategori të ndryshme lojrash fati, aq sa kalohet në absurd kur aplikon tatim mbi xhiron edhe aty ku xhiroja nuk ekziston apo është e pamatshme. Ndërsa korruptiv, sepse sipas Braces ul në mënyrë drastike për gati tre herë e gjysmë tarifën e pagesës për liçensën e kazinosë.
Ai thekson më tej se ligji ofron dy shkallë për pagesën dhe natyrisht duke cenuar rëndë nenin e mëparshëm, nenin 13 në ligjin aktual i cili thotë se “për të marrë licensën e kazinosë duhet të paguash 1 Miliardë, pa diferencuar territorin e Republikës së Shqipërisë”, ndërkohë që ligji aktual përcakton edhe zonat ku ndërtohen kazinotë, pra zonën turistike të Vlorës, zonën turistike të Sarandës, zonën turistike të Durrësit, qytetin e Tiranës, zonën turistike të Velipojës, duke i dhenë të drejtën Këshillit të Ministrave që numri i Kazinove përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
“Ligji që sjell Këshilli i Ministrave jo vetëm që i vë në diskutim këto zona, pra e heq këtë kufizim në hapësirë, por jep liri për të ndërtuar kazino ku mundet. Dhe jo vetëm kaq por siç u thashë ul vlerën e pagesës për licencën e kazinosë, nga 10 Milionë USD, pra nga 1 Miliardë lekë të rinj në 300 Milionë lekë ose në 3 Milionë USD”- tha Braçe, duke e lidhur këtë me kazinonë që pritet të hapet në Durrës dhe pronari i saj do të përfitojë 7 milionë dollarë nga gjithë ndryshimet që sjell ligji i propozuar.
Në përfundim të fjalës ai ka kërkuar sqarime nga Berisha, për arsyet se pse e detyrojnë atë të ulë çmimin e licensës së kazinosë nga 10 Milionë USD në 3 Milionë USD dhe ta kthejë mbrapsh ligjin.