E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Lapraka, model i periferisë me standarde bashkëkohore

Tiranë- Kreu i bashkisë, Edi Rama e ka quajtur sot Laprakën modelin e një periferie me standarde bashkëkohore, nën shembullin e të cilës do të behen blloqet e banimit në këtë periferi. Gjatë një takimi të zhvilluar me qytetarët e Njësisë Bashkiake numër 11, Rama debatoi lidhur me hartimin e Buxhetit me pjesëmarrje 2009. Takimi vijon në kuadër të dëgjesave publike me komunitetin “Thuaj fjalën tënde”.

“Ne mund të themi me plot gojën që me bllokun e Laprakës, hapim një kapitull të ri për këtë zonë ku kemi filluar të ndërhyjmë prej kohësh e ku po plotësojmë infrastrukturën me kanalizime, me ujësjellës, me ndriçim, me gjelbërim, (sepse në Laprakë do të mbjellim rreth 400 pemë), me hapësira publike, (sepse nuk është vetëm rruga për makinat por janë edhe këndet për fëmijët, këndet për të moshuarit), me rindërtimin e kinemasë së vjetër që do të kthehet në një qendër me shumë funksione për të rejat dhe të rinjtë e Laprakës, me bibliotekën që do të rindërtohet nga e para, me shkollën e re në Laprakë, me shkollën e re tek Bregu i Lumit”- tha Rama në fjalën e tij para komunitetit.

Ai ka numëruar ndryshimet e bëra, ndërkohë që ka theksuar se tashmë puna po përqendrohet në blloqet e banimit. “Me këtë lloj modeli, të harmonizimit të nevojave për infrastrukturë, siç ndodh në bllokun e Laprakës, me hapësirë publike, me çerdhe, kopsht, shkollë të standarteve evropiane, me gjelbërim, me qendër multifunksionale për të rejat dhe të rinjtë, me bibliotekën e rindërtuar, ne mund të themi se jemi në shekullin e ri, edhe në këtë zone”- iu drejtua ai banorëve.

Në Njësinë Bashkiake nr.11 janë realizuar deri tani rikualifikimi urban i unazës ekzistuese, rikualifikimi i fasadave përgjatë unazës, rikualifikim i hapësirave urbane, rikonstruksioni i rrugës tek ”Bregu i Lumit'', rikonstruksioni ishkollës 9-vjeçare “28 Nëntori”, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›