E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë të plagosur në dy aksidente rrugore

Dy aksidente automobilistike në aksin kombëtar që kalon nëpër Rrethin e Krujës kanë shkaktuar gjashtë të plagosur. Ngjarjet rrugore ndodhën dje paradite në afërsi të fshatit Derven të Krujës. Burime nga policia lokale bënë të ditur se në aksidentin e parë u përfshinë dy automjete tip "Mercedes Benz" nga përplasja e të cilave u plagosën katër persona, të cilët u dërguan në Spitalin Ushtarak për ndihmë mjekësore. Ndërkaq, pak kohë më pas, një tjetër aksident ndodhi në të njëjtin aks rrugor. Si rezultat i përplasjes mbetën të plagosur dy drejtuesit e mjeteve, të cilët gjithashtu u dërguan në spital për ndërhyrje mjekësore, ndërsa policia që mbërriti në vendin e ngjarjes nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin konkret të përgjegjësive. Shkelja e rregullave të qarkullimit dhe lagështia në rrugë janë shkaqet kryesore të dy aksidenteve për të cilat kanë nisur dhe procedimet penale.

v.q.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›