E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhjet, problemi kryesor për policinë

Vjedhjet janë kthyer në fenomen shqetësues për Policinë e Fierit dhe atë të Lushnjës. Banesat, njësitë tregtare, agjencitë e transfertave të parave, pikat e këmbimit valutor dhe makinat janë objektet më të parapëlqyera për hajdutët.

Statistikat e policisë tregojnë se numri i vjedhjeve gjatë katër muajve të fundit është rritur. Kjo është faktuar edhe në analizën nëntëmujore që Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit kreu në fund të javës së shkuar.

Edhe zbulueshmëria e autorësisë së këtyre vjedhjeve nuk ka qenë e lartë. Janë prekur nga vjedhjet jo vetëm qendrat urbane, por edhe zonat rurale. Autorët e vjedhjeve kanë arritur të marrin deri dhe sende të vogla pa vlerë të madhe, duke e kthyer vjedhjen në një rrugë për mbijetesë.

Ndër vjedhjet më të mëdha të pazbuluara nga Policia e Fierit janë ato të dy pikave të transfertave të parave në fshatrat Cakran dhe Fiershegan. Në të dyja rastet, sasia e parave të vjedhura ka qenë e madhe, ndërkohë që hetuesit kanë konstatuar se është përdorur e njëjta metodë nga hajdutët. Gjithashtu pa autor mbetet edhe vjedhja e 12 mijë eurove në banesën e një shtetasi nga qyteti i Lushnjës. Por për seksionin e krimeve në shkallë drejtorie policie, fenomen më shqetësues është vjedhja e kioskave dhe e automjeteve.

Edhe një vit më parë, në Fier, brenda disa javësh ndodhën vjedhje të një numri të madh makinash. Ky fenomen është kthyer edhe sivjet në mjaft shqetësues. Burimet policore tregojnë se një ditë më parë, shumë pranë komisariatit të policisë, persona ende të paidentifikuar, pasi hipën në një veturë dhe nuk po arrinin ta ndiznin kanë tentuar ta shtynin atë me qëllim që ta vidhnin.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›