E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë ditë pritje për Kubican

Nga Express më 08 shkurt 2011 në ora 09:31

Kirurgu i Robert Kubicas ka njoftuar se do të nevojiten së paku gjashtë ditë para se të dihet nëse polaku është operuar me sukses. Të dielën, Kubica iu nënshtrua operacionit që zgjati shtatë orë në spitalin Santa Corona në Pietra Ligure në Itali, pas lëndimeve të rënda në të dyja duart e sidomos në të djathtën, gjatë një aksidenti në Rallyn e Andoras.

“Dora e djathtë e ngasësit të Renaultit ishte prerë në dy vende me dëme të mëdha në asht” dhe operacioni u desh të “rindërtojë funksionet e dorës në pjesën e parakrahut”. Ai kaloi një natë të qetë. Kirurgu i tij, Mario Igor Rosello nuk bëri të ditur nëse Kubica ishte zgjuar nga koma të hënën në mëngjes. Por, ai është optimist për shëndetin e Kubicas, edhe pse pranon se do të nevojitet një javë para se të jetë më i sigurt.

“Dora është e ngrohtë, që nënkupton se operacioni shkoi mirë. Por, do të na nevojiten se paku gjashtë dite për të kontrolluar qarkullimin e gjakut nga krahu dhe nëse ajo përgjigjet si duhet”, tha Rosello për agjencinë e lajmeve Reuters. Nëse shpëton dorën, Kubica thuhet se do të kalojë një vit rehabilitim para se të kthehet në Formula 1.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›