Ronaldo është Di Stefano i ri

Drejtori i përgjithshëm i Real Madridit, Jorge Valdano beson se Cristiano Ronaldo është pasardhës i vërtetë i Alfredo Di Stefanos. Trajneri i Atletico Madridit, Quique Sanchez Flores, kishte thënë pas humbjes së ekipit të tij me rezultat 3-0 nga Barcelona se Messi ishte “Di Stefano i shekullit 21”.
Di Stefano ishte ylli më i madh i ekipit të Real Madridit që fitoi pesë titujt e parë të Kupës evropiane. Mirëpo, Valdano – i cili fitoi Kampionatin botëror me Argjentinën më 1986 – beson se Ronaldo është futbollisti i cili duhet të vazhdojë trashëgiminë e Di Stefanos.
“Nuk është Messi. Është Cristiano Ronaldo ai , i cili bart fanellën e njëjtë si Di Stefano. Ai është futbollist shumë i rëndësishëm që do të krijojë histori në këtë klub. Ne nuk do të shkëmbejmë Cristianon me askënd, edhe pse duhet të pranojmë se ai dhe Messi janë dy futbollistë me kualitete të larta dhe është nder i madh që i kemi në La Liga”, tha Valdano për mediet spanjolle.
Ronaldo shënoi dy herë në fitoren 4-1 ndaj Real Sociedad të dielën dhe trajneri Jose Mourinho ka lavdëruar bashkëkombësin e tij portugez. “Paraqitjet e Ronaldos në La Liga do të jenë të shkëlqyeshme, edhe nëse ai nuk shënon asnjë gol tjetër në vazhdim të sezonit”, tha Mourinho. Ronaldo dhe Messi udhëheqin si golashënuesit më të mirë në La Liga me nga 24 gola.