Intervista/Starova: Oketa, një investim i sigurtë për t’i dhënë kredibilitet Ministrisë së Mbrojtjes
Z.Starova, cili është komenti juaj për shpërthimin e së shtunës në fshatin Gërdec?
E para që mund të thuhet është se është një ngjarje e rëndë, një ngjarje ku pati shumë viktima,nga ana ime shpreh keqardhje dhe ngushëllimet e mia per të afërmit e viktimave për njerëzit e humbur, çdo jetë e humbur është një univers më vete i zhdukur, çdo jetë njerëzore mund të barazohet me të tërë botën po të kemi parasysh çdo njeri më vete. Nga kjo ngjarje dolën dhe shumë probleme,probleme që mund të simbolizohen me kraterin që hapi materialisht, një krater i tillë simbolik u hap edhe në administratën shqiptare për fat të keq dhe natyrisht gjerat e para që mund të thuhen pasi fjalën e fundit do ta thotë prokuroria,aty me sa duket ka pasur shkelje të procedurave të gjithë këtij procesi demontimi, për shkatërrimin e municioneve apo të armëve, dhe e dyta me dokumentet që po shikojmë deri tani shikojmë që ka dhe afera korruptive të padiskutueshme, një konkluzion paraprak që mund ta nxjerri dhe Prokuroria është se po kishin qene të gjithë segmentet e administratës shtetërore në lartësinë e duhur kjo ngjarje kaq tragjike dhe të më falni për cinizmin mund të shmangej. Them më falni për cinizmin sepse ka jetë njerëzore të humbura dhe familjarë që mund të lexojnë këto rreshta apo të dëgjojnë këto fjalë natyrisht mund të ndjehen dhe më keq sepse ka jetë njerëzore që mund të mos iknin. Duhen marrë masa të menjëhershme dhe më vjen mirë që më këtë ton dhe me këtë linjë ka folur Presidenti i Republikës në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, që ngjarje të tilla të mos përsëriten, të forcohen masat e sigurisë,kontrolli i zbatimit të procedurave, efiçenca e organeve të tilla si Shërbimet Inteligjente, pasi në këtë rast treguan se janë jashtë loje kështu që ata kanë nevojë për një reformë të thellë.
Këto ditë një agjenci e huaj lajmesh ka cituar një diplomat të pa identifikuar i cili hidhte idenë e një sabotazhi nga agjenturat e vendeve të rajonit qe janë kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, sipas jush sa e fortë mund të jetë kjo pistë?
Nuk mund të jem unë ai që e përcaktoj këtë pistë, i takon Prokurorisë ta zbardhe këtë pistë, por nuk është e pamundur që në një rajon me probleme, duke nisur nga problemi i Kosovës, nga problemi i raporteve midis vendeve të ndryshme që nga problemi i konkurrencave midis vendeve të ndryshme apo lobingjeve të ndryshme të cilat kanë jehonë dhe në konkurrenca më të mëdha gjeopolitike botërore nuk është çudi që shërbimet informative të përpiqen të prishin imazhin e Shqipërisë të dëmtojnë sado pak atë rrugë e cila është relativisht e suksesshme në drejtimin të institucioneve.
A mendoni se pas kësaj ngjarje të rëndë Shqipëria do ta marrë ftesën për anëtarësim në NATO?
Mendoj se nuk do të ketë asnjë ndikim, kjo është vënë re dhe nga vlerësimet dhe komentet e komentet që kanë bërë ndërkombëtarët për ngjarjen që ndodhi në Shqipëri, fakti që Shqipëria ka municione të cilat kanë nevojë për shkatërrim kjo nuk është zbuluar nga ngjarja e Gërdecit kjo është ditur dhe më parë nga zyrtarët e NATO-s, Shqipëria ka 15 vjet që shkatërron armë gjë që vërteton se ky ishte vërtetë një incident. Kjo është një gjë e rastit që mund të ndodhi,dhe nuk duhet thënë sic është thënë në disa media se Shqipëria tani është e tëra mbi mina. Ky është një fakt tjetër që e bën NATO-n të mos e marri këtë incident si diçka që duhet të pengojë marrjen e fteses për anëtarësim të Shqipërisë. Mënyra se si institucionet shqiptare iu përgjigjën kësaj krize,që nga transportimi i të plagosurve,mënyra se si po pastrohet zona,që nga kombinimi i institucioneve me njëra- tjetrën për të rifilluar jeta normale në zonat përreth është një nga treguesit se Shqipëria,institucionet e saj janë institucione të cilat funksionojnë mirë,kjo tregon se shteti bashkë me strukturat mjaft të angazhuara dinë tu përgjigjen emergjencave dinë gjithashtu të luftojnë korrupsionin dhe se janë të angazhuar për ta çuar këtë luftë deri në fund,dhe më duket se ky aspekt e gjithë këtij problemi është një tregues që Shqipëria është një vend që e meriton ta marri ftesën për në NATO, pavarësisht nga ajo që ndodhi, pavarësisht se sa tragjike ishte kjo, por shteti funksionoi.
Si e gjykoni dorëheqjen e Fatmir Mediut? Po propozimin e kryeministrit për të vendosur si Ministër Mbrojtjeje Gazmend Oketën?
Është lëvizje shumë normale, Mediu duhej ta jepte dorëheqjen, kushdo që të ishte në vend të tij do të jepte dorëheqjen, vendosja e zëvendëskryeministrit është vlerësim i lartë që bëhet nga Kryeministri i qeverisë së koalicionit të djathtë për institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes. Ai me sa duket e ka parë të arsyeshme që Ministrinë e Mbrojtjes ta vendosë në një dorë shumë të sigurtë dhe me një dorë e cila ka një autoritet dhe një përvojë e cila është përmbi thjesht se sa një Kryeministri pasi ai vjen nga një zëvendëskryeministër atje dhe ideja është që të merren masa të shpejta dhe ti japim Ministrisë së Mbrojtjes një krebilitet më të lartë se sa ministritë e tjera.
Si e shihni reagimin e opozitës pas ngjarjes së Gërdecit?
Qëndrimi i opozitës për sa kohë ajo ka klithur për ngjarjen për sa kohë ka kritikuar atë që ndodhi është në misionin e saj si opozitë, por kur opozita filloi dhe po kalon masën duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit kur nuk ka fakte, apo kur kërkon zgjedhje të parakohshme, kur ka filluar të kërkojë qeveri teknike, apo bën marshimin e homazheve, përpiqet të shtojë më shumë se ç’duhet materialin depolitik opozitar mbi këtë ngjarje të dhimbshme këtu për mua gabon dhe ky është gabim i nivelit naiv. Kjo lloj politike është po aq e vjetër sa ajo për të cilën flet shpesh kundër kryetari i opozitës së sotme z.Rama
Bisedoi: Silvana Tresa