E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti jep medalje në Ditën e Drejtësisë



Tiranë - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në Pallatin e Brigadave dhe zhvilloi një takim në kuadër të Ditës së Drejtësisë me juristë të shquar amerikanë: me gjykatësit Uoker, Magnuson dhe Atër, të cilët shoqëroheshin nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uithers. Presidenti Topi, pasi u uroi miqve mirëseardhjen duke i falënderuar për praninë në ceremoninë me rastin e Ditës së Drejtësisë dhe për ndihmesën dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në reformimin dhe përmirësimin e Drejtësisë shqiptare, përshkroi reformat e ndërmarra në vend si ajo në Gjyqësor, ndryshimet në Kushtetutë dhe reformën zgjedhore, të cilat janë miratuar me një konsensus të gjerë politik. Topi vlerësoi sukseset e arritura në drejtim të procesit transparent dhe krejtësisht publik të reformimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri duke bërë të mundur pavarësinë e tij, rritjen e profesionalizmit, etikës dhe efektshmërisë së juristëve, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të këtij sistemi, duke vënë në pah edhe nevojën për më tepër kurajë në mënyrë që të gjitha gjykatat e vendit tonë dhe drejtësia të ecë përpara në përmbushje të kërkesave të qytetarëve për drejtësi dhe arritjes së standardeve të vendeve më të përparuara demokratike. Pol Magnuson, gjyqtar federal i shtetit amerikan të Minesotas, Xhon Uoker, kryetar i Gjykatës së Apelit në Nju Jork dhe Robert Atër, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë të shtetit të Uashingtonit vlerësuan lart rolin dhe kontributin e presidentit Topi dhe punën e mirë të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë procesit të reformimit gjyqësor në vendin tonë dhe përparimet e sukseset e shënuara jo vetëm në dhënien e drejtësisë, por edhe në rritjen e besimit të publikut në sistemin gjyqësor shqiptar, duke theksuar që njerëzit e drejtësisë kanë gjithmonë nevojë për më tepër inkurajim dhe mbështetje në vendosjen përfundimtare të shtetit ligjor dhe sigurimin e pavarësisë së plotë të tij. Në shenjë nderimi dhe respekti për punën e kryer, Presidenti Topi dekoroi disa juristë të mirënjohur të vendit, për arritjet e tyre të rëndësishme në fushën e të drejtës dhe për kontributin e rëndësishëm që kanë dhënë në këtë fushë: z. Skënder Begeja dhe z. Njazi Jaho me urdhrin “Mjeshtër i Madh”, z. Vladimir Kristo, z. Spiro Peçi, znj. Shpresa Breçaj dhe z. Skënder Kaçupi me urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, z. Skënder Breca dhe z. Vasillaq Simeon me Medaljen e Mirënjohjes.

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›