E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë gjyqtarët, vendime edhe nga jashtë shtetit

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zbuluar shkelje në 6 gjykata të vendit, gjatë një inspektimi të kryer. Gjashtë gjyqtarët i dërgohen ministrit të Drejtësisë, i cili ka të drejtën e procedimeve disiplinore

Tiranë Të paktën gjashtë gjyqtarë rezultojnë të jenë kapur me shkelje gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Konstatimi është bërë nga inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në gjykatat e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Korçës dhe Elbasanit. Në përfundim të inspektimit të realizuar me vendim të KLD-së, ky institucion ka përpiluar edhe një raport me shkeljet e evidentuara, i cili i është përcjellë ministrit të Drejtësisë për propozimin e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve të kapur me shkelje. Inspektimi në fjalë ka nisur në fillim të këtij viti, kur zv/kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu hodhi akuza të forta ndaj gjyqtarëve për udhëtimet e shpeshta jashtë shtetit, madje duke u shprehur se një pjesë e tyre rezultojnë të kenë dhënë vendime gjatë kohës që nuk ndodheshin në Shqipëri. Me qëllim kontrollin e plotë të gjyqtarëve, KLD lidhi edhe një marrëveshje bashkëpunimi më Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, i cili do të kryente verifikimet për pasurinë e gjyqtarëve që rezultonin të kishin lëvizur më shpesh jashtë Shqipërisë. Rreth një vit më pas, kur pa përfunduar inspektimi në të paktën 5 gjykata të vendit, rezulton se të paktën gjashtë gjyqtarë të këtyre gjykatave kanë firmosur vendime gjatë kohës që nuk ndodheshin në Shqipëri. Inspektorët e KLD-së mësohet se kanë gjetur me shkelje në detyrë gjyqtarët: Dhurata Bilo, Fida Osmani, Luan Lusha, Arban Lera, Ilir Pashai dhe Mimoza Margjeka. Të gjashtë këta gjyqtarë, sipas raportit të inspektimit rezultojnë se kanë dhënë vendime ose kanë zhvilluar seanca gjyqësore gjatë kohës që gjyqtarët në fjalë nuk ndodheshin në Shqipëri. Ky fakt është konfirmuar nga sistemi TIMS, i cili tregon se gjyqtarët në fjalë kanë qenë jashtë vendit kur janë zhvilluar seanca gjyqësore sipas procesverbaleve të evidentuara nga inspektorët e KLD-së gjatë kontrollit të kryer. Raporti në fjalë, së bashku me shkeljet e konstatuara dhe emrat e gjyqtarëve që dyshohet se kanë kryer abuzime me detyrën, tashmë i janë përcjellë ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi. Bashkë me të dhënat e pasqyruara në raport, KLD-ja i ka propozuar ministrit Halimi edhe masat disiplinore që duhet të kërkohen në mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. L.Bakillari

Gjyqtarët e gjetur me shkelje

Dhurata Bilo, Gjykata e Durrësit

Mimoza Margjeka, Gjykata e Durrësit

Fida Osmani, Gjykata e Tiranës

Luan Lusha, Gjykata e Kavajës

Arban Lera, Gjykata e Korçës

Ilir Pashai, Gjykata e Elbasanit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›