E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Kartodromit, 20 vjet burg Tufës, bie akuza e ekzekutimit

SHKRUAN: Leonard Bakillari 01-12-2011 16:24

Gjykata e Tiranës ka dënuar të arrestuarin e vetëm për vrasjen e Mirit të Xhikes për bashkëpunim në krim. Njihet ekspertiza e ADN-së, por Lavdërim Tufa shpëton nga gjurmët në armë

Tiranë Tetë vjet pas ngjarjes së bujshme të masakrës së Kartodromit, Gjykata e Tiranës ka lehtësuar Lavdërim Tufën nga akuza e ekzekutimit, duke e dënuar për bashkëpunim në krim. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie nga trupi gjykues i kryesuar nga Albert Meça. Pas një procesi që ka zgjatur për më shumë se dy vite, Gjykata e Tiranës e ka cilësuar fajtor Tufën, duke e dënuar për bashkëpunim në vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”, si dhe dy personave të tjerë që ndodheshin në lokalin “Kartodrom 2000” në momentet e ngjarjes. Vetëm një seancë më parë, dy prokurorët e çështjes kërkuan dënimin e Tufës me burgim të përjetshëm si autorin kryesor të masakrës. Por gjykata, në analizë të provave të administruara gjatë procesit të hetimit dhe gjykimit, doli në konkluzionin se Lavdërim Tufa, i cili qëndron në qeli që prej vitit 2004 ka qenë bashkëpunëtor në këtë vrasje dhe jo ekzekutori kryesor. Për këtë arsye, gjykata nuk ka miratuar kërkesën e prokurorisë për dënimin e Tufës me burgim të përjetshëm, por e ka dënuar atë me 20 vjet heqje lirie. Gjatë procesit të nisur në tetor të vitit 2009, një nga çështjet e shumëdebatuara ka qenë edhe prova e ADN-së, e cila mund të gozhdonte Tufën si autor i masakrës ku u vranë tre persona dhe u plagosën dy të tjerë. Por ekspertët e thirrur në gjykatë, thanë se ADN-ja e të pandehurit dhe ajo e gjetur në vendin e ngjarjes në një prej maskave të përdorura nga ekzekutorët përputhen në masën 90 për qind. Këtij konkluzioni ekspertët gjenetistë i shtuan edhe interpretimin e praktikës së policive shkencore në Europë dhe FBI, të cilat nuk ngrenë akuzë në rast se ADN-ja nuk përputhet në masën 99 ose 99.99 për qind. Pavarësisht këtij fakti, prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të Tufës dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm, ndërsa gjykata e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Kalvari gjyqësor i Lavdërim Tufës ka nisur menjëherë pas arrestimit të tij në nëntor të vitit 2003, si i akuzuar për vrasjen e Fatmir Ramës. Pas një procesi gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën për Krime të Rënda, Tufa u dënua me burgim të përjetshëm. Më datë 21 maj të vitit 2009, Gjykata e Lartë vendosi që të rikthejë dosjen për rigjykim në Gjykatën e Tiranës, duke e shpallur jokompetente Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Në vendim, shkalla më e lartë e gjyqësorit la si detyrë për Gjykatën e Tiranës kryerjen e krahasimit të ADN-së gjetur në vendin e ngjarjes me atë të familjarëve të Tufës. Pas kryerjes së analizave, rezultoi se ADN-ja nuk përputhej, duke lehtësuar kështu të akuzuarin për vrasje të trefishtë në procesin gjyqësor. Sipas prokurorisë, Lavdërim Tufa së bashku me një person ende të paidentifikuar akuzohet se më 29 mars të vitit 2003, rreth orës 19:50, ka vrarë me armë zjarri Fatmir Ramën, i njohur ndryshe si “Miri i Xhikes”. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e brendshme të lokalit “Kartodrom 2000”, pronë e viktimës, ku në momentet e ngjarjes ai ishte në shoqërinë e Ylli Kelmendit, Flamur Rrapajt, Kristaq Camit e Julian Durishtit. Dy persona të maskuar qëlluan me breshëri kallashnikovi, duke zbrazur mbi ta 60 gëzhoja dhe më pas u larguan. Për pasojë, u vranë tre persona, Kristaq Cami, Julian Durishti si edhe Fatmir Rama. I vetmi që arriti t’u kundërpërgjigjej autorëve të vrasjes ishte Ylli Kelmendi, i cili qëlloi, duke plagosur edhe njërin prej tyre. Policia sekuestroi në vendngjarje edhe një prej maskave që kishin përdorur autorët, duke marrë prej andej një fije floku që ka qenë edhe prova kryesore e këtij procesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›