Kushëriri: Rrëfej bisedën e fundit me Leka Zogun për eshtrat e të atit
Djali i xhaxhait të Leka Zogut, Skënder Zogu zbulon detajet rreth ceremonisë mortore, faktin se kushëriri nuk la testament dhe se rrugën e tij do ta ndjekë i biri. “Do të vishet me uniformë ushtarake. Pas ceremonisë në Parlament, do të shkojë te Varrezat në Sharrë, ku ka vendin e tij, pranë nënës dhe Suzanës”
Pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu I, nuk ka lënë testament, ndërsa rrugën e tij do ta vazhdojë trashëgimtari i vetëm i tij, Princi Leka. Kështu shprehet djali i xhaxhait, një prej njerëzve më të afërt në jetën e tij, Skënder Zogu, i cili tregon edhe detajet rreth ceremonisë mortore, që do të jetë e zakonshme, ndërsa Leka Zogu I do të përcillet për në banesën e fundit me uniformë ushtarake. “Me sa di unë, mbreti Leka nuk ka lënë testament. Dje erdha dhe kalova natën pranë Mbretit. Ceremonia do të bëhet në Parlament. Do të jetë një ceremoni e zakonshme, si u bë për Nënën Geraldinë dhe Suzanën. Do të vihet në arkivol me uniformë ushtarake. Pas ceremonisë në Parlament do të shkojë në Varreza në Sharrë, ku ka vendin e tij, pranë nënës dhe Suzanës. Do të mbahen edhe lutje fetare sipas zakoneve tona muslimane”, - shprehet Skënder Zogu.
Më tej ai pohon se trashëgimia do të vazhdojë, duke theksuar se Leka Zogu I ka lënë një pasardhës, Leka II, i cili punon në Ministrinë e Brendshme e që do të ndjekë rrugën e gjyshit Ahmet dhe babait të tij. Ndërkaq, Skënder Zogu rrëfen edhe takimin e fundit me Lekën. “Herën e fundit që fola dhe e takova ishte një muaj e një javë më parë, kur erdhën për një vizitë. Ishte i lodhur. Kishte një hall, biseduam gjatë të gjithë kohës për rikthimin e eshtrave të mbretit Zog dhe familjes së tij. Më 2012-n, me rastin e 100-vjetorit, do të kthehen eshtrat e mbretit Zog, princeshave, babës dhe familjes mbretërore. Ky është një vendim jashtëzakonisht i lumtur për të gjithë ne dhe kombin shqiptar. Madje, edhe eshtrat e patriotëve të tjerë si Abaz Kupi e shumë më shumë duhet të rikthehen”, - pohon 78-vjeçari.
Kushëriri i parë i pretendentit të fronit mbretëror, 78-vjeçari Skënder Zogu, tregon edhe për të afërmit që pritet të vijnë nga jashtë vendit në Shqipëri për vdekjen e Leka Zogut I. “Do të vijnë disa kushërinj të afërt. Nga Turqia do të vijë Ergun Zogu, nipi i Zija Pashë Zogollit, vëllai i Xhemal Pashë Zogollit, babai i Ahmetit dhe i timit, Xhelal Beut. Nga Franca ka ardhur zonja Silvian Myzelje, e njohur si tezja e shqiptarëve, e cila ka dërguar shumë ndihma humanitare në të shkuarën. Motra e Geraldinës, nga Marseja, vjen me djalin e saj Reno, i cili është deputet në Francë, me partinë e presidentit Sarkozy. Vijnë kushërinj nga Amerika, vjen Sermet Agolli Dushishti, nipi i mbretit Zog. Janë dërguar ftesa te Mbretëria e Belgjikës, me të cilën ka patur marrëdhënie të ngushta. Është ftuar Monarkia e Jordanisë, Arabisë Saudite dhe Spanjës”. Duke trajtuar problemin e ndarjes së trashëgimisë së pronave mbretërore, Skënder Zogu shprehet se nuk kanë marrë pasuri të madhe. “Leka ka marrë pallatin e hallave, motrave të mbretit Zog dhe vilën e Durrësit ia kanë dhënë, por është e shkatërruar nga brenda. Prona të tjera s’kanë marrë. Xhelal Beu, babai im, s’ka marrë asnjë pronë. Kemi shumë prona në Mat dhe dëshira është t’ua japim tokat fshatarëve, sepse jeta jonë ka kaluar. Mbretërit e tjerë të Ballkanit i kanë marrë direkt, por në Shqipëri ka patur shumë probleme me këtë çështje”,- pohon më tej Skënderi. I zhytur në kujtime, ai kujton se Leka Zogun I e ka njohur që në moshën 8-vjeçare, ndërsa në vitin 1961, kur vdiq Ahmet Zogu, më 9 prill ka organizuar edhe ceremoninë funerale, ku kanë marrë pjesë me mijëra shqiptarë. Për këtë pjesë ai thotë: “E kam njohur për herë të parë 8 vjeç. Më 7 prill 1939 unë isha 6 vjeç dhe në atë moshë, me babain tonë, u nisëm në Stamboll nga Shkupi. U takuam me mbretin Ahmet dhe familjen e tij në Stamboll. Princi Leka ishte 1-2 muajsh. Më pas u ritakuam në vitin 1947 në Aleksandri, në Egjipt. Në atë moshë e edukonte, thoshte mos harroni, atdheu mbi të gjitha. Shqiptarizmin mos e humbni, detyra me ndihmu shqiptarët është detyra më e lartë. Në Francë u zhvendosëm më pas dhe atje ai bëri studimet. Në vitin 1961, kur vdiq Ahmet Zogu më 9 prill, organizova ceremoninë funerale. Me mijëra shqiptarë erdhën për varrimin e Mbretit. Atëherë, Leka mori trashëgiminë, detyrën për t’i shërbyer kombit. Gjatë jetës, ai ka patur influencë në ambasada, në ShBA, ku kaloi një memorandum në Senat, për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Kjo çështje luajti kundër tij, sepse Perëndimi nuk e donte Kosovën me Shqipërinë. Kam qenë bashkëpunëtor i afërt për 15 vjet, kur isha kryetar i zyrës së shtypit të Oborrit mbretëror merresha me shtypin, televizionet, ambasadat dhe kam patur shumë kontakte me trupat diplomatike, edhe pse s’jam diplomat, por kimist tekstili. Unë do ta kujtoj Lekën si një njeri bujar, që ndante pasurinë me nevojtarët, që i kushtoi të gjithë jetën çështjes shqiptare, ashtu siç duhet të bëjë një Mbret i Vërtetë”.
Do të jetë një ceremoni e zakonshme, si u bë për Nënën Geraldinë dhe Suzanën. Do të vihet në arkivol me uniformë ushtarake. Pas ceremonisë në Parlament, do të shkojë në varreza në Sharrë, ku ka vendin e tij, pranë nënës dhe Suzanës.
Kush ishte Leka Zogu I
Më 5 prill 1939, mbretëresha Geraldinë lindi një djalë. Vetëm disa orë pas lindjes së birit të Ahmet Zogut, me anë të një rezolute, Parlamenti kërkon largimin e familjes mbretërore nga Shqipëria. Greqia, Turqia, Spanja e Franca ishin vendet mikpritëse të familjes Zogu. 20 vitet e fundit larg atdheut Leka Zogu i kaloi në Afrikën e Jugut, në Johanesburg. Megjithëse në mërgim, Ahmet Zogu, me rastin e 18-vjetorit të princit Leka, më 5 prill 1957 e shpall atë trashëgimtar të Fronit Mbretëror. Në bazë të Statutit të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928 dhe me vdekjen e Ahmet Zogut, më 1961 trashëgimtari i tij, princi Leka, në praninë e qindra shqiptarëve të ardhur nga shumë shtete të botës, bëri betimin në hotelin “Bristol”, duke u shpallur Mbreti Leka i Parë. Ishte viti 1993, kur Lartmadhëria e Tij preku sërish tokën shqiptare pas largimit kur kishte qenë vetëm 2-ditësh. Erdhi në Shqipëri për të përhapur idenë e monarkisë. Por, pasi u dëbua nga Shqipëria, u rikthye sërish më ‘97-ën për të zhvilluar një referendum, se cila do të ishte forma e regjimit.
Monarkia u rrëzua edhe këtë herë, ndërsa mori vetëm 36% të votave. Por, më 3 korrik 1997 rreth 2000 vetë mblidhen në sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës, për të kundërshtuar rezultatin e referendumit. Nën udhëheqjen e Leka Zogut dhe Abedin Mulosmanit nisen drejt godinës së KQZ-së. Tentojnë të hyjnë brenda me forcë, duke u përleshur me forcat e sigurisë. Bilanci: 1 i vdekur dhe disa të plagosur. Kështu detyrohet të largohet sërish nga Shqipëria. Disa vite më vonë, me kërkesën e Parlamentit Shqiptar, më 25 shkurt 2002 Zogu dhe familja e tij rikthehen përfundimisht në Tiranë pas 63 vitesh në mërgim. Ideja që mbrojti deri në ditën e fundit të jetës ishte: “Jam krejtësisht i vendosur që t’ia arrij qëllimit që Shqipëria të dalë si etni, shtet modern, demokratik, e lulëzuar e me mundësira për jetesë”. U aktivizua në jetën politike të vendit, duke krijuar më 29 maj 2004 partinë “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, por dy vjet më vonë u tërhoq nga politika për të vazhduar jetën jashtë palëve dhe partive politike. Kurse disa kohë më parë, ai u bë firmëtari i 20 000-të i peticionit kundër regjistrimit etnik të shqiptarëve. Ndërron jetë në moshën 72-vjeçare, duke lënë pas vetëm një djalë, Princi Leka II.