E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama përcolli “live” vrasjen e Osamës

Gjatë momentit të operacionit special kundër Osama bin Ladenit, të organizuar prej një jave më parë, presidenti amerikan, Barack Obama e përcillte atë, duke e shikuar nga dhoma e tij në Shtëpinë e Bardhë. Madje, Obama ka parë edhe vrasjen dhe goditjen e Bin Ladenit me një plumb në sy. Nga Express më 04 maj 2011 në ora 08:58

Satelitë të veçantë gjendeshin prej shumë ditëve të përqendruar në zonën ku banonte Osama bin Laden dhe dërgonin pamje reale. Zyrat qendrore të CIA ishin alarmuar kur konfirmuan vilën ku jetonte kreu i organizatës më të madhe terroriste të botës.
Gjatë momentit të operacionit special , të organizuar prej një jave më parë, presidenti amerikan, Barack Obama e përcillte atë, duke e shikuar nga dhoma e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Nga Shtëpia e Bardhë, saktësisht nga dhoma e "përgjimeve", Obama dëgjonte zërin e kreut të operacionit, i cili udhëzonte grupin SEALS për mbarëvajtjen e operacionit.
Helikopterët e grupit special dërgonin video dhe audio në Shtëpinë e Bardhë. Në dhomën e "përgjimit" gjendej Obama , sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë të tyre. Një moment, pasi helikopterët ishin gati për të sulmuar, të gjithë hodhën shikimin kah Obama, i cili e tha fjalën magjike, go".
Ndërkohë, shumë kilometra larg Shtëpisë së Bardhë, atje ku po bëhej gati sulmi ndaj Bin Ladenit, ndodhi diçka e pabesueshme.

"Një helikopter po sillet rrotull mbi Abbotabad dhe kjo është diçka e rrallë", shkroi në Twitter një banor i Abbotabadit, fqinj i Bin Ladenit.

Në të vërtetë, ai nuk e dinte se fqinji i tij ishte krye-terroristi, që kishte vënë në lëvizje të gjithë botën. Kur banori pa helikopterin mbi banesën e tij, thjesht e filmoi dhe videon e publikoi në rrjetin social. Ku ta dinte Sochaimp Atchar se disa minuta më vonë, helikopteri do të sulmonte banesën që gjendej ngjitur me atë.

Edhe pse porosia dhe videoja e publikuar në Twitter u lexua nga 751 vizitorë, askush nuk lajmëroi Bin Ladenin .Moslajmërimi shpjegohet se në oborrin e vilës së Bin Ladenit nuk kishte as lidhje telefoni e as lidhje interneti.

"Një shpërthim i madh tronditi dritaren time. Shpresoj të mos jetë fillimi i ndonjë incidenti të rrezikshëm" shkroi në Twitter fqinji i Bin Ladenit. Me sa duket ishte ky momenti që Obama kishte dhënë urdhrin për të sulmuar.

Disa minuta më vonë, Osama bin Laden ra i vdekur. Vrasja e tij ,për grupin që po shikonte pamjet live nga Shtëpia e Bardhë, po shënonte një fillim të ri.

Madje, Obama ka parë edhe vrasjen dhe goditjen e Bin Ladenit me një plumb në sy. Gjithë anëtarët e ekipit të forcave speciale kanë pasur nga një kamerë të vendosur në helmetë. Ndërsa lidhja direke me qendrën e CIA-s dhe Shtëpinë e Bardhë bëhej me anë të satelitit.

Fotot e shpërndara nga Shtëpia e Bardhë tregojnë se në sallën e operacioneve ka qenë e pranishme edhe Hillary Klinton. Pamja e saj me dorën e vendosur në gojë tregon ankth dhe tendosje.

Ndërsa presidenti Obama duket me vështrimin e fiksuar në kamerat, ku shfaqeshin pamjet e aksionit të skuadrës speciale. Mësohet se në momentin që është bërë dhe goditja e Bin Ladenit, një prej oficerëve në aksion ka thënë se “ne e kemi Geronimon”, i cili ka qenë dhe emri i koduar për Bin Laden.

Në sallë, Obama ka qenë i shoqëruar nga të gjithë funksionarët më të larë të SHBA-së.
Por, cila ishte njësia e cila ndërmori aksionin për eliminimin e Bin Ladenit, aksioni i së cilës u përcoll nga Obama dhe ekipi i tij?

Konsiderohet si njësia më e mirë speciale që ekziston në radhët e ushtrisë amerikane. Aksionet e saj rrallë bëhen publike. Invadimi në Grenadë në vitin 1983. Lufta qytetare në Somali në vitin 1993. Gjuetia ndaj kriminelëve serbë të luftës në vitin 1996.

Njësia speciale e flotës detare të SHBA-së, Navy SEALS, është nën komandën e drejtpërdrejtë të presidentit amerikan.

Pjesëtarët e saj janë të trajnuar, gjakftohtë: një njësi ideale për misionin për vrasjen e Bin Ladenit.

Kur iu afruan rezidencës së udhëheqësit të Al Qaedes, Bin Ladeni nuk kishte më kurrfarë gjasa. Lufta zgjati vetëm 40 minuta.

Përgatitjet për aksion, ekipi 6 i Navy Seals i filloi më 6 prill. Në kampin Alpha, pjesë e bazës ajrore ushtarake amerikane në Bagram, Afganistan, u ri-konstruktua në mënyrë të saktë rezidenca, në të cilën fshihej Bin Ladeni. Disa zyrtarë ishin skeptikë, ngase i frikësoheshin dështimit të misionit, siç ndodhi me angazhimin e kësaj njësie në Somali në vitin 1993.

Të premten, Obama dha dritën e gjelbër për fillimin e misionit. Por, drejtori i CIA-s, Leo Panetta, i cili drejtoi operacionin, shtyu misionin për 48 orë, për shkak të motit të ligë në Abbotabbad.

Dy ditë më vonë, pjesëtarët e njësisë ndërmorën aksionin dhe ia përcollën udhëheqësve të tyre lajmin aq shumë të pritur:”Armiku u vra në aksion”.

Bin Ladeni u vra, pasi që ai kishte rezistuar. Zyrtarët amerikanë mohuan lajmet fillestare, se urdhri ka qenë që Bin Ladeni të vritet e jo të kapet i gjallë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›