Gjashtë orë të bllokuar në mes të borës, shpëtohen nga toka
PUKE - Katër persona mbetën dje për orë të tëra të izoluar në Midë të Pukës. Bllokimi i rrugës nga trashësia e dëborës dhe temperaturat e ulëta ka bërë që 3 nënoficerë të policisë dhe një punonjës i Telekom-it të rrethit Pukë të mbesin për rreth 6 orë të izoluar në mes të dëborës. Sikurse mësohet 3 ushtarakët ishin efektivë të komisariatit të Pukës dhe mbikëqyrnin antenat e komunikimit të radiove të policisë, ndërsa punonjësi i Telekom-it mbante nën kontroll pajisjet e linjave të transmetimit të telefonisë, nga ku bëhet komunikimi mes rrethit të Shkodrës me Tiranën e më gjerë. Vendi ku këta persona kanë mbetur të izoluar është rreth 35 km larg qytetit të Pukës, ndërkohë që trashësia e dëborës në atë zonë është rreth 1.5 m. Sipas informacioneve të para mësohet se personat e bllokuar janë: Nazmi Hila, Arben Ndoci, Angjelin Gera dhe Pjerin Voci, që të katër këto janë banorë të Fushë Arrësit. Sikurse mësohet nga burime nga rrethi i Pukës ata ishin nisur për të marrë turnin e shërbimit në pikën e instalimit të repetitorëve në Krastë të Pukës. Por trashësia e dëborës, temperaturat e ulëta nuk i kanë lejuar që të lëvizin, duke i bllokuar në afërsi të stacionit të pompave të ujit të pijshëm të qytetit të Pukës. Kur kanë parë se nuk kanë pasur mundësi për të lëvizur nga të dy drejtimet, atëherë nëpërmjet telefonit kanë kërkuar që t’u vihet në ndihmë. Me të mësuar për lajmin drejtoria e policisë së Shtetit ka marrë masat e menjëhershme, duke nisur drejt Pukës një helikopter, ndërkohë që ka mobilizuar edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Helikopteri ka mbërritur në qytetin e Pukës rreth orës 16:15 dhe ka zbritur në stadiumin e tij. Më pas është diskutuar me strukturat e njësisë vendore të Pukës dhe të Fushë-Arrësit për të vazhduar drejt zonën ku ndodheshin personat që kërkonin ndihmë. Por, terreni i vështirë malor nuk ka krijuar kushte për ulje, duke detyruar rikthimin e helikopterit. Pas tij është nisur një helikopter i dytë me personel të ushtrisë dhe të RENEA-s, por edhe ky e ka pasur të pamundur që të arrijë tek të bllokuarit. Pas dështimit është parë si zgjidhje hapja e rrugës nga toka. Drejt zonës janë nisur rreth 30 forca policie me mjetet e tyre të transportit si dy mjete borëpastruese për hapjen e rrugës, për të shpëtuar në mbrëmje 4 personat e izoluar. r.d