Kondi firmosi bllokimin e sekuestrove
Trazhgim Sokolaj
Një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë i firmosur nga ish-kreu u këtij institucioni Thimjo Kondi dhe gjashtë anëtarë të tjerë, rrezikon dështimin e luftës së shtetit shqiptar kundër krimit të organizuar dhe pasurive të vëna nga grupet kriminale. Edhe vetë Gjykata e Lartë duket se ka përjetuar debate të ashpra para shpalljes së vendimit, i cili është dhënë me shtatë anëtarë të Kolegjit pro dhe gjashtë kundër, si rrallëherë në praktikën e këtij institucioni. Mes emrave që kanë firmosur pro, duke nxjerrë jashtë loje ligjin shqiptar “për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar” është edhe ish-kryetari i Gjykatës së Lartë Thimjo Kondi, aktualisht me aktivitet si avokat. Vendimi ka marrë shkas nga ankimi i të arrestuarit Xhevdet Troplini, i cili u kap në Durrës më 17 janar 2006 pas hetimeve të zhvilluara ndaj tij nga Prokuroria e Krimeve të Rënda mbi dosjen e ardhur nga Italia për akuzat e trafikut të drogës. Gjatë ndalimit të personit të dyshuar dhe nga kontrolli në banesë, policia gjeti dhe bllokoi 23.726.600 lekë, 20.505 euro dhe 203 dollarë amerikanë. Më pas hetimi pasuror zbuloi në pronësi të së arrestuarit edhe ish-ndërmarrjen e Rritjes dhe Zënies së Peshkut, Durrës, me një sipërfaqe të përgjithshme 9900 m2. Prokuroria kërkoi sekuestro për këto prona ndërsa procesi gjyqësor shkoi deri në Gjykatën e Lartë, e cila konsideroi se praktika e ndjekur nga gjykatat më të ulëta, përmbante shkelje por me vendim të Kolegjeve të Bashkuara, sekuestroja u la në fuqi. Pika nr.2 e vendimit të Gjykatës së Lartë, thekson “unifikimin e praktikës gjyqësore sikurse përcaktohet në këtë vendim”. Kjo fjalë në përmbajtje të vendimit e ka bërë atë të detyrueshëm për prokuroritë dhe gjykatat nën Gjykatën e Lartë, ndërsa duket se unifikimi i dokumentit ka shkaktuar pengesa serioze në hetimin dhe bllokimin e pasurive, që grupet kriminale vendosin nga veprimtaria e paligjshme me fitime marramendëse. Penalistë të kontaktuar nga gazeta, të cilët shqyrtuan vendimin e Gjykatës së Lartë, e shpjeguan atë më thjeshtë si më poshtë: Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë, me nr.2/2 i regj/themeltar, nr.1 i vendimit datë 25 janar 2007, praktikisht parashikon se një personi, nuk mund t’i hetohet dhe as t’i sekuestrohet pasuria rast se nuk provohet se pronat e tij janë vendosur me drogën e kapur nga policia, në rastin e akuzave për trafik narkotikësh, pra në rast se nuk provohet se pasuria është vendosur si produkt i rastit, që bëhet objekt i procedimit penal. Vendimi lë vend për sekuestro dhe për hetime pasurore vetëm pas momentit të bllokimit të lëndës narkotike”. Një sanksionim i tillë nga vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë, sipas penalistëve nxjerr jashtë loje ligjin për “parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, i cili u hartua dhe u miratua në vitin 2004. Ligji në fjalë i atakuar dukshëm nga vendimi i Gjykatës së Lartë, në fakt nuk është gjë tjetër veçse një përkthim besnik i paketës ligjore që zbatohet në Itali dhe që njihet me emrin “Ligji Antimafia”. Ligji i ngjashëm që u miratua në Shqipëri në vitin 2004 përcaktonte se Prokuroria mund të hetonte pasuritë e personave të arrestuar për vepra penale të krimit të organizuar. Paketa ligjore shqiptare parashikonte se pas arrestimit të së pandehurit hetoheshin dhe bllokoheshin pronat dhe pasuritë e vendosura edhe para nisjes së procedimit penal. Pas bllokimit provizor ligji ngarkonte të pandehurit me barrën e provës dhe në rast se ua vërtetonin gjykatës se prona ishte vendosur në rrugë të ligjshme dhe jo nga fitimet e trafikut, atëherë prona lirohej nga masa e sekuestros paraprake.