E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë të vdekur nga përplasja e trenave të metrosë në Uashington

Gjashtë persona humbën jetën dhe mbi 70 të tjerë u plagosën nga një përplasje trenash të sistemit të metrosë në Uashington.

Dy trenat u përplasën pasdite, rreth ores 5 pikërisht në kohën kur njerëzit ktheheshin nga puna dhe trenat ishin mbushur udhëtarë. Është aksidenti më i rëndë që ka ndodhur ndonjëherë në sistemin e transportit të kryeqytetit amerikan.

Zyrtarët federalë dhe lokalë po hetojnë aksidentin.

Qindra zjarrfikës po vazhdojnë kërkojnë në vagonat e dy trenave. Autoritetet e përshkruajnë përplasjen si një "aksident me shumë viktima".  Një tren u përplas dhe më pas hipi mbi trenin tjetër. Vagonat u çanë dhe u përlasën me njëri-tjetrin. Punonjësve të shpëtimit iu desh që t'i prisnin disa nga trupat dhe t'i nxirrnin nga trenat me mjete të posaçme. Disa orë pas aksidentit, autoritetet thanë se të paktën gjashtë prej të plagosurve ishin në gjendje të rëndë; 14 u shtruan në spital dhe 50 të tjerë u kuruan në vendgjarje për plagosje dhe dëmtime të lehta. Një nga personat që humbën jetën ishte makinistja e njërit prej trenave.

Xhon Kato, Menaxher i Përgjithshëm i Sistemit të Transportit të Kryeqytetit u tha gazetarëve se treni i parë ndaloi duke pritur që të kalonte më parë një tren që ishte në stacion, kur treni i dytë, për arsye ende të panjohura, u përplas me të nga mbrapa.

"Është një ngjarje jashtëzakonisht tragjike dhe ne do ta hetojmë deri në fund për të zbuluar se çfarë ndodhi".

Debi Kerseman e Bordit të Sigurisë të Transportit Kombëtar u tha gazetarëve se përparësia tani është shpëtimi dhe gjetja e viktimave. Kjo do të pasohet nga një hetim i hollësishëm, përfshirë FBI-në, agjencinë e saj dhe zyrtarët lokalë.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Barak Obama dhe gruaja e tij Mishelë dërguan ngushëllimet për viktimat.

Sistemi i metrosë së Uashingtonit përdoret nga qindra mijëra banorë të Uashingtonin, Virxhinias dhe Merilendit si edhe nga vizitorë nga e gjithë bota. Përplasja e fundit vdekjeprurëse në sistem ishte në vitin 1982, kur tre persona humbën jetën kur një tren doli nga shinat gjatë një stuhie me dëborë.  //kk//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›