E Shtunë, 31 Tetor 2026

IPR: Berisha fitues përballë Ramës, PD 44%, PS 41%

Autori i Lajmit: red.
Sondazhi

Kompania e njohur e sondazheve IPR Marketing ka bërë publike dje në mbrëmje, në bashkëpunim me televizionin Ora-Neës, sondazhin e fundit parazgjedhor, një maratonë e cila do të mbyllet nga IPR më 28 qershor me publikimin e eksitpolleve të zgjedhjeve. Sipas këtij sondazhi, i cili ka pasur të intervistuar rreth 1504 kampione, fitues i zgjedhjeve të 28 Qershorit del Partia Demokratike e kryeministrit Berisha me 44% kundrejt Partisë Socialiste të Ramës me 41%. Sipas IPR Marketing, edhe në kuadër të koalicioneve parazgjedhore PD me aleatët Aleanca e Ndryshimit 47.9% kundrejt PS-së dhe aleatëve të saj, Bashkimi për Ndryshim 44.4%. Më tej, sipas këtij sondazhi, në vendin e tretë është Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës me 5% të votuesve, i cili në kuadër të koalicionit parazgjedhor Aleanca Socialiste për Integrim” do të merrte 6% të votave. Forca e re politike e Erjon Veliajt ka pësuar përsëri rënie të votuesve në 2.6%. Për sa u përket partive të tjera të vogla ato kanë qenë në nivelin e 1 përqindëshit, përveç koalicionit të qendrës së djathtë “Poli i Lirisë” ku të gjitha partitë së bashku marrin 1.5 për qind të votuesve shqiptarë. Në sondazhin e mbrëmshëm janë publikuar edhe kuotimi i liderëve të partive më të kuotuara dhe besueshmëria e tyre në publik ku Rama është në vend të parë me 50%, në vend të dytë Berisha me 48%, dhe më poshtë Meta me 25% e Veliaj me 41%. Po ashtu të anketuarit i janë përgjigjur edhe pyetjes se si është niveli i jetesës në Shqipëri, ku 1/3 e tyre janë përgjigjur mirë ,1/3 keq dhe 1/3, as mirë as keq , ku pjesa më e madhe të intervistuarve që janë përgjigjur për një nivel të mirë të jetesës kanë qenë simpatizantë të PD-së, dhe keq simpatizantë të PS-së. Për sa i përket marzhit të gabimit të këtij sondazhi, ka qenë në rang kombëtar +- 3.4 për qind. Ky ka qenë sondazhi i katërt dhe i fundit për kompaninë italiane IPR Marketing. Rezultatet janë shpallur nga drejtori i Përgjithshëm i kësaj kompanie, Antonio Noto, në emisionin “Ora e Debatit” të moderatorit Alfred Peza, ku kanë marrë pjesë dhe analistë e politologë që kanë diskutuar rreth testimit dhe anketimit të IPR Marketing. Sondazhi i parë i IPR Marketing u publikua në datën 15 prill, më pas vijoi një tjetër në mes të majit dhe një në datën 16 qershor. Përveç sondazheve në rang kombëtar, kompania italiane ka zhvilluar anketime dhe për qarqe të caktuara në Shqipëri, si Tirana dhe Fieri.

Shqipëria

Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot për këtë do të votonit?

PD 44 %
PS 41
LSI 5
G99 2.6
Të tjera PS 0.7
Të tjera PD 0.2

Koalicionet

Aleanca e Ndryshimit 47.9 %
Bashkimi për Ndryshim 44.4
Aleanca Socialiste për Integrim 6

1.Niveli i jetesës në Shqipëri

1/3 mirë
1/3 keq
1/3 as mirë as keq

Niveli i jetesës në krahasim me 2005

43 % mirë
35 % keq
21 % as mirë, as keq

Bipolarizmi partiak

Sipas sondazhit, 85 për qind e zgjedhësve do të votojnë vetëm PD-në ose PS-në

Liderët

Rama 50%
Berisha 48%
Meta 25%
Veliaj 41%

Besimi

Rama 40 %
Berisha 46%
Ky lajm është publikuar: 23/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›