E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjashtë vjedhje pa autor brenda një nate

 

TIRANE - Grupet e hajdutëve në kryeqytet duket se janë aktivizuar në mënyrë "të rrezikshme" gjatë 24 orëve të kaluara. Pothuajse të gjitha komisariatet e Tiranës kanë marrë dje kallëzime për vjedhje dyqanesh, makinash, motorësh dhe çantash. Sipas burimeve nga policia, mësohet se në Komisariatin nr. 1 ka bërë kallëzim për vjedhje 33-vjeçari Sokol Shehaj. Ai ka njoftuar policinë se gjatë natës i kanë vjedhur me thyerje dyqanin në pronësi të tij, në rrugën "Todi Shkurti", ku i kanë marrë 25 steka cigare dhe 40 mijë lekë të vjetra. Policia ka realizuar këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe fiksimin e provave, por ende nuk ka identifikuar autorët. Një tjetër dyqan është vjedhur me thyerje gjatë natës në Babrru të Tiranës. Erzen Qazimllarit ka njoftuar policinë se në mëngjes ka gjetur të thyer dyqanin e tij, ku ishin vjedhur 20 steka cigare, 10 shampo dhe 130 mijë lekë të vjetra. Edhe për këtë rast autorët nuk janë identifikuar. Po gjatë këtij intervali kohor, persona të paidentifikuar kanë vjedhur një motor tip "Honda" në pronësi të Arjan Çepeles, i cili e kishte parkuar tek rruga e Elbasanit. Gjithashtu janë vjedhur edhe dy autovetura në dy zona të ndryshme të Tiranës. Në rrugën "Gjergj Legisi" tek blloku i pallateve "Gintash", është vjedhur makina tip "Benz" me targë TR 7167 I, në pronësi të Paulin Preçit, i cili e kishte parkuar para banesës. Po kështu një tjetër makinë tip "Benz" me targë FR 606 A, në pronësi të Ismail Fejzajt, është vjedhur gjatë natës në Yzberisht të komunës së Kasharit. Ndërkohë në Komisariatin nr. 4, Nertila Gripshi, 19 vjeçe, nga Peqini, ka kallëzuar se në afërsi të Stacionit të Trenit, i kanë vjedhur çantën e dorës, ku kishte 202 mijë lekë të vjetra dhe një kartë të "Raiffeisen Bank".               e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›