E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, shqiptarët grevë në burg

 

Vetëvrasja e shqiptarit të dënuar Ismet Boshli në burgun grek të Malandrinës është bërë shkak për tensione dhe protesta në këtë institucion. Tre shqiptarë të tjerë të burgosur në të njëjtin institucion, refuzuan ushqimet dje duke deklaruar hyrjen në grevë urie. Shkak për protestat në qeli janë "dënimet e pamerituara" si dhe kushtet e rënda në të cilat mbahen shqiptarët e izoluar në burgjet greke. Pas refuzimit të ushqimit nga tre shqiptarët, dy bashkëkombës të tyre nga Shqipëria, që mbahen në të njëjtin burg, paralajmëruan dje publikisht se do të kryejnë vetëvrasje në shenjë proteste për kushtet mizore në të cilat po mbahen. Reagimet e ashpra nga shqiptarët që mbahen në burgun e Malandrinës në Greqi, erdhën vetëm një ditë pas vetëvrasjes së shqiptarit Ismet Boshli, i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij, të mërkurën në orën 04:00. Në një letër të lënë të lënë në qeli, shqiptari shkruante se ishte indinjuar për shkak se prej nëntë vitesh shteti grek nuk i dha asnjëherë mundësinë e daljes me kusht nga qelia në mënyrë të përkohshme, siç aplikojnë dhe përfitojnë qindra të dënuar të tjerë. Në letrën e tij, shqiptari i vetëvrarë në burg, theksonte pakënaqësinë e tij për kushtet e rënda në burgun e Malandrinës ku kishte kaluar nëntë vjet. Ngjarjet e ndodhura ditët e fundit në burgun grek kanë nxituar interesimin e mediave vendase, të cilat po i cilësojnë reagimet e institucioneve si "të avashta" krahasuar me situatën e rëndë. Mediat greke raportuan dje se dy shqiptarë, 40 dhe 25-vjeçarë, të cilët mbahen në burgun e Alikarnasus, paralajmëruan publikisht për vetëvrasje, duke e deklaruar këtë në gazetën kombëtare greke "Elefterotipia". Shqiptarët i thanë gazetës se duan të gjykohen pranë qyteteve ku banojnë të afërmit e tyre, në mënyrë që të kenë mundësi takimi me familjarët gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim. Dje në mëngjes, dy shqiptarët janë ngjitur në tarracën e burgut Alikarnas dhe duke bërtitur provokuan interesimin e mediave për gjendjen e krijuar. Duke folur në greqisht, dy shqiptarët thanë prerë se do të vrisnin veten në rast se gjendja në burgje nuk ndryshon. Zyrtarët grekë kanë reaguar disa orë më vonë, kur një drejtues i burgjeve mbajti takim me shqiptarët, të cilëve u ka premtuar se kërkesat e tyre do të merren në shqyrtim.                         re.kr

Vetëvrasja në burg, i refuzuan lejen
Policia greke e ka vlerësuar vdekjen e shqiptarit të dënuar Ismet Boshli si një vetëvrasje, nisur nga letra që viktima kishte lënë në qeli. Ai ishte shprehur në letër se po kryente vetëvrasje, pasi për nëntë vite autoritetet nuk i mundësuan daljen e përkohshme nga burgu ku qëndronte në kushte çnjerëzore. Vetëvrasja e shqiptarit shkaktoi reagimin e qindra të dënuarve të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›