E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Protesta e opozitës cenon imazhin

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, reagoi dje për organizimin e protestës se opozitës para selisë, ku organizohet samiti i radhës i OSBE-së, Presidencën e së cilës e ka Greqia. Duke komentuar lajmërimin për protesta nën moton "Mbroj Votën Time" gjatë mbledhjes se ministrave të Jashtëm të OSBE-së, Meta deklaroi se PS po dëmton imazhin e vendit.
"Është diçka qesharake dhe jo serioze pasi kutitë janë hapur dhe firmosur. Nëse do të ketë protesta edhe në Athinë, kjo do të dëmtojë imazhin e vendit", pohoi Meta. Shefi i diplomacisë shqiptare nënvizoi se protestat do të ishin tej mase të dëmshme tani që Shqipëria është në prag të liberalizimit të vizave.
"Shqipëria është në prag të heqjes së vizave nga BE, ka një perspektivë për zhvillim dhe modernizim të infrastrukturës. Pra, është një Shqipëri më ndryshe nga ajo që shqiptarët bënin gjithçka për t‘u larguar", shtoi Meta.

Ministri i Jashtëm, i cili sapo mbërriti mbasditen e së hënës në Greqi, u vu në dijeni për organizimin e mitingut të emigrantëve që mbështesin kërkesën e opozitës. Përveçse e konsideroi atë qesharake dhe një përpjekje jo serioze për vendin, kryediplomati shqiptar citoi pjesë nga raporti i OSBE-së, i cili, sipas tij, vë në dukje përmirësimin e organizimit të zgjedhjeve në Shqipëri dhe plotësimin e një sërë standardesh që nuk janë plotësuar më parë. Protesta e emigrantëve shqiptarë, anëtarë të PS-së, synon që të sensibilizojë faktorin ndërkombëtar në lidhje me situatën politike në Shqipëri dhe kërkesën e vazhdueshme të opozitës për të hapur kutitë e dyshuara. Pas protestës, opozita ka nisur përpjekje të reja për të gjetur mbështetjen e faktorit ndërkombëtar në qëndrimin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›