Gjata: Fletët e votimit t'i çojë Topalli në Venecia

Konstitucionalisti Rustem Gjata i kërkon forcave politike të kenë më shumë besim tek Gjykata Kushtetuese
TIRANË - "Çështja e fletëve të votimit duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe kjo gjë duhet të bëhet nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli". Ky është vlerësimi që i bën çështjes ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Rustem Gjata. Konstitucionalisti u shpreh se në situatën në të cilën ndodhet vendi, kryetarja e Kuvendit do të ishte institucioni i duhur për të vënë në lëvizje Komisionin e Venecias.
"Presidenti nuk ka motive politike t'i drejtohet, por nëse forcat politike nuk duan t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, do të ishte më mirë t'i drejtohet kryetarja e parlamentit", - tha Gjata.
Për ish-kreun e KQZ-së, ankimimi drejtuar Komisionit të Venecias duhet të jetë i përgatitur me kujdes, duke përfshirë në të shkaqe të mjaftueshme për manipulime në zgjedhje. Juristi Gjata deklaroi se Komisioni i Venecias është i mbivlerësuar. Sipas tij, mungesa e besimit në Gjykatën Kushtetuese do të habisë ekspertët ndërkombëtare.
Për konstitucionalistin Rustem Gjata kërkesa e klasës politike drejtuar Komisionit të Venecias, duke i kërkuar këtij të fundit që të shprehet për hapjen ose jo të kutive, të materialeve zgjedhore dhe atyre të votimit, rrezikon që të mos merret fare në konsideratë.
"Çdo lloj kërkesë mund të bëj unë, por varet ai organ a do ta marrë apo jo në shqyrtim. Përderisa kemi organet tona, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, ne kurrë s'do të krijojmë precedentë për të harruar këto organe.
Edhe ata mund t'ia drejtojnë vetes pyetjes: Pse këta nuk i drejtohen Gjykatës Kushtetuese kur e kanë Gjykatën Kushtetuese", - sqaroi Gjata. Në deklaratat e ditëve të fundit edhe socialistët kanë pranuar se mënyra më e mirë për të vënë në lëvizje Komisionin e Venecias është nëpërmjet Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ose presidentit Topi.
Ndërkohë, demokratët nuk janë shprehur ende për rrugën se si mund të vihet në lëvizje Komisioni i Venecias, por kanë shprehur gatishmërinë për të ngritur komisionin hetimor.
PD, akuza Ramës për lejet e ndërtimit
Partia Demokratike akuzoi sërish kreun e Bashkisë së Tiranës njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, se merr shuma të mëdha parash për lejet e ndërtimit.
Deputetit Osman Metalla deklaroi se 'mister 20 %-shi', siç e cilësojnë demokratët, prej kohësh është fshehur në strofullën e lepurit. "Prej 4-javësh Mr. 20%, Kryestrumbullari i korrupsionit në Shqipëri e Ballkan, Kryetari i Bllokmenëve Junior, i vetëdeklaruar si fakir-fukara, nuk po del nga strofulla e Lepurit.
Publikimi i kontratës ku njëri nga zhvilluesit e qytezës "Edvin and Tan Lepri" detyrohet të fusë me 20% aksioner Dritan Avllajn, të njohur si Tan Lepri, ka tronditur thellësisht Edvin Leprin", tha ai.
Deputeti i mazhorancës u shpreh se "kontrata ku vetëm njëri prej 20%-ve me vlerë fitimi 100 milionë euro, detyrohet të vihet në emër të partnerit të Kryetarit të Bllokmenëve Junior, është arsyeja e saj. Sipas tij, skema e gjobitjes të ndërtuesve me 20%, e faktuar me dokumente autentik, është arsyeja pse prej 12-vitesh, të huajt nuk lejohen të ndërtojnë në Tiranë.
"Publikimi e zbulimi me prova shkresore i skemës së prerjes së gjobave prej 20%, si në këtë kontratë, vetëm me njërin prej zhvilluesve, na detyron t'i kërkojmë përgjigje për pyetje të thjeshta. z.Rama: Ku je? Ku je futur?" - u shpreh Metalla.