E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjata: Kolegji dha vendim të drejtë për Tiranën

TIRANË- Ish kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Clirim Gjata e ka konsideruar të drejtë vendimin e dhënë nga Kolegji Zgjedhor, për të mos pranuar kërkesë padinë e Partisë Socialiste. Në një intervistë për NEWS 24, Gjata deklaroi se kërkesë padia ishte jashtë afatave ligjore, pasi ajo duhej bërë 3 ditë pasi KQZ në funksionin e KZAZ së Tiranës, shpalli Bashën fitues.

Ndërsa lidhur me mosrakordimin e shifrave, Gjata tha se një gjë e tillë është gabim njerëzor, i cili nuk mund të shmanget, c’ka do të thotë se nuk përbënte provë për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve.

“Kemi qënë ne, të paktën ekspertët ligjorë që kanë thënë duhen numëruar fletët e votimit të kutitë e gabuara, nuk mund t’i lësh ato në mënyrë indiferente, nuk mund t’i konsiderosh të pavlefshme, sepse nuk ta lejon ligji që t’i konsiderosh të tilla, edhe kolegji na dha të drejtë. E njëjta gjë edhe tani, nuk mund të kërkohej pavlefshmëria tani. Pavlefshmëria duhej kërkuar që në momentin e parë, kur KQZ-ja në rolin e KZAZ shpalli Lulzim Bashën fitues të zgjedhjeve. Pse? Kërkesa për pavlefshmëri bëhet brenda tre ditëve nga vendimi i KZAZ-së, thotë ligji. Këtu është e mbyllur historia. Partia Socialiste të gjitha bateritë i shpenzoi kundër numërimit të fletëve të kutitë e gabuara, nuk u mor me pavlefshmërinë. Kur kjo u rrëzua dy herë, u mbyll kjo histori, atëherë u kujtuan për pavlefshmërinë dhe thanë që zgjedhjet janë të pavlefshme”, tha Gjana.

Edhe juristi Ylli Manjani, në një prenoncim për NEWS24, gjithashtu nënvizoi se vendimi i Kolegjit nuk kishte asgjë të papritur, ndërkohë cështjen e mosrakodrimit të shifrave ai e vlerësoi si një problem që ka ndodhur në gjithë proceset zgjedhore të vendit, dhe me shumë gjasa do të jetë edhe në të ardhmen.

“Arsyeja tjetër e analizës së shifrave është që Partia Socialiste kishte edhe një rrjeshtim taktik të gabuar në lidhje me këtë. Sepse nuk është se e ngriti këtë pretendim që në ditën e parë. Por edhe kur zoti Rama shpalli veten fitues me +10, ishte e njëjta situatë me mosbalancimin e numrave. 870 vota kanë qënë më shumë të gjetura në kuti se sa të pasqyruara në dokumentat zgjedhore. Nuk mund të jenë të vlefshme kur i fiton ti dhe të pavlefshme kur i fiton kundërshtari”, tha Manjani.

Të dy juristët nënvizuan se argumentat ligjore të përfaqësuesve të socialistëve nuk ishin të qartë, madje në brendësi të padive ka patur edhe elementë politik.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Gjata: Kolegji dha vendim të drejtë për Tiranën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›