Gjata: Ligjërisht KQZ mund të asgjësojë fletët e votimit
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, deklaroi dje se KQZ ka të drejtë ligjore për të asgjësuar fletët e votimit. Sipas tij, KQZ-së nuk duhet t’i bëhet presion politik, pasi çdo gjë është parashikuar në Kodin Zgjedhor. “Nuk mund t’i thuash një institucioni të bëjë të kundërtën e asaj që e ka të përcaktuar me ligj”, - tha Gjata. Ish-kreu i KQZ-së tha më tej se edhe Komisioni Hetimor nuk ka tagër ligjor që t’i kërkojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos asgjësojë fletët e votimit të përdorura në zgjedhjet e fundit parlamentare. Nga ana tjetër, edhe Kristaq Kume, ish-kreu i KQZ-së, u shpreh dje se KQZ është në të drejtën e saj kur bëhet fjalë për asgjësimin e fletëve të votimit. “Të mos bëhet KQZ, duke ekzekutuar në të drejtën e plotë të tij këtë detyrim, target i luftës politike”, - tha Kume.