E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Garancia ime për zgjedhje të lira



Arben Ristani, paraditen e djeshme zbrazi zyrën në katin e tretë të ndërtesës së Shkollës së Magjistraturës, tashmë për t’u zhvendosur drejt zyrës së re, atë të kryetarit të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ish-drejtori i Magjistraturës dhe ish-anëtar në KQZ, z. Ristani që sot është kreu i ri i këtij institucioni. Për “standard”, z. Ristani flet për detyrën e re, problematikën, synimet dhe garancitë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Ai zbardh rrugët e menaxhimit në këtë proces sa të vështirë, aq dhe të ndërlikuar, referuar faktit të kontestimeve nga politika sa herë që në Shqipëri janë zhvilluar zgjedhje. Beson se të qenit jurist dhe konsensusi i arritur mes pozitës dhe opozitës për Kodin e ri Zgjedhor do ta bëjnë më të lehtë punën e tij në krye të KQZ-së për t’u siguruar shqiptarëve më datën 28 qershor, zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Bisedoi: Valentina Madani

Z. Ristani, sapo keni marrë besimin e Parlamentit për të drejtuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Si do ta “përktheni” këtë besim?

Ndihem i impresionuar nga vullneti i Parlamentit i cili bëri që të më besonte këtë detyrë. Është një besim shumë i madh të cilin mua më duhet ta përkthej si përkushtim ndaj kësaj pune të re. Unë kam qenë për dy vjet me radhë anëtar i KQZ-së dhe është goxha përgjegjësi, pasi ke ndikim direkt në mbarëvajtjen e demokracisë në Shqipëri. Ju e dini që zgjedhjet e lira janë themeli i të gjithë demokracive të zhvilluara. Në këtë kuptim besoj që do të jap më të mirën për ta bërë me sukses këtë detyrë.

Një jurist në krye të KQZ-së e bën më profesional këtë institucion?

Nuk i mëshova këtij fakti, sepse e supozova të ditur, pasi kjo është motoja e çdo juristi dhe njeriu të përgjegjshëm. Të zbatosh ligjin është detyra më minimale e një qytetari të vërtetë të një vendi, aq më tepër kur ke dhe profesionin të tillë.

Ju tashmë jeni kryetar i ri KQZ-së si përfaqësues i PD-së në këtë detyrë. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë sërish me një KQZ të politizuar?

Sipas ligjit, i takonte mazhorancës parlamentare, pra PD-së, propozimi për kryetarin. Dhe po sipas ligjit mazhoranca do të përzgjidhte 4 kandidatura nga të cilat partia më e madhe e opozitës do të eliminonte dy prej tyre. Dy kandidaturat e tjera do të kalonin në Parlament për votim. Kështu që pas një periudhe negociatash brenda vetes, PD-ja seleksionoi një sërë kandidaturash, besoj po kaq të mira nga pikëpamja profesionale, njerëzore, përkushtimi sa dhe kandidatura ime. Por edhe për shkak të eksperiencës sime të mëparshme në KQZ u vlerësua që të mbështetej kandidatura ime. Pra, si të thuash pranë forcave të djathta pasi edhe kur jam zgjedhur si anëtar, jam zgjedhur po nga këto grupime politike. Ndaj si të thuash, besimin politik e kisha. Për fat, pata dhe besimin profesional për shkak të punës që kisha bërë në KQZ, gjë që ndikoi në vendimin përfundimtar.

KQZ-ja është një prej institucioneve më të kritikueshme në kohë zgjedhjesh. Ju tremb ky fakt me marrjen e detyrës së re?

Sigurisht, askush nuk do të dëshironte të tërhiqte mbi vete kritika pa fund dhe ndonjëherë dhe teprime. Por fakti është se KQZ-ja është një nga organet më transparente që zhvillon veprimtarinë në këtë vend, gjithmonë me mbledhje dhe vendimmarrje kolegjiale të cilat janë gjithmonë të hapura. Është e pranishme media, partitë politike, vëzhguesit ndërkombëtarë, kështu që duke qenë një performancë e hapur e KQZ-së dhe transparente, do të thotë që të gjithë e kanë të qartë se çfarë ndodh atje. Vetëm dashakeqësia mund të bëjë që KQZ-ja të goditet pa të drejtë. Për sa i përket ndonjë gabimi që mund të ndodhë gjatë punës, sigurisht që kritikat vlejnë për t’i riparuar ato, por që në këto kushte mendoj duke i shtuar kësaj përkushtimin tonë dhe profesionalizimin mendoj që do ja dalim për të mbartur sa më pak kritika.

Ju vini në krye të këtij institucioni nga një konsensus politik pozitë-opozitë. Do ta përcillni këtë frymë edhe gjatë drejtimit të këtij institucioni?

Sigurisht. Unë i përkas më tepër konceptit luajal bashkëpunues. Dhe për sa kohë që i gjithë procesi i anëtarëve të rinj të komisionit ka kaluar nga një konsensus goxha i gjerë i forcave politike, shpresoj shumë që do të vazhdojë dhe që do reflektohet edhe në punën e KQZ-së. Pra, duke qenë se unë bashkë me anëtarët e tjerë njoh tashmë edhe begraundet e tyre, vura re që janë të gjithë njerëz të përkushtuar ndaj profesionit me një karrierë të gjatë në profesionet reciproke dhe mendoj që do të sjellin në komision atë më të mirën që kanë përfituar nga përvoja dhe karriera e tyre profesionale. Kështu që nuk besoj që do të më duhet të drejtoj me “dorën e fortë”, por do të përpiqem të ndërtoj marrëdhënie bashkëpunimi në mënyrë që të gjithë t’i shërbejmë një qëllimi të madh.

Cilat janë detyrat tuaja më urgjente në krye të KQZ-së?

KQZ-ja ka goxha detyrime ligjore të cilat duhen përmbushur me seriozitet, çka do të thotë se duhet të bëhet punë urgjent sa më shpejt për të garantuar një proces sa më të lirë zgjedhor. Kështu që punët në tërësi do të jenë të shumta. Duhet bërë gati e gjithë infrastruktura zgjedhore dhe duhet punuar sa më mirë për të vendosur njerëzit në vendet e duhura dhe për të pasur një infrastrukturë sa më në rregull. Për sa i përket punës në të ardhmen më të afërt, dua t’i jap një perfermoncë KQZ-së sa më luajale, bashkëpunuese me organizatat ndërkombëtare dhe ato kombëtare dhe partive politike të cilat kanë një impakt në procesin zgjedhor. Nga ana tjetër dua të nxjerr në pah sa më shumë të jetë e mundur karakterin festiv të zgjedhjeve, pasi siç keni vënë re edhe kudo në botë, zgjedhjet kanë një karakter festiv, në kuptimin që fushatat elektorale të partive politike janë të organizuara në formë festash dhe është e tillë sepse është një moment shumë i rëndësishëm në jetën e gjithsecilit pasi çdo shtetas i këtij vendi do të ketë mundësinë që të ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin shoqëror kolektiv. Dhe ky është një moment që duhet të jetë jetik. Duke nxjerrë në pah dhe duke punuar për këtë element, mendoj se do të ndikojnë dhe në rënien e tensioneve që jo pak herë na janë krijuar probleme në zgjedhje. Besoj se do t’ia arrij kësaj duke u nisur dhe nga fryma konsensuale që ka dalë në pah kohët fundit midis forcave politike, pozitë dhe opozitë.

Cilat janë pikat kryesore të punës suaj?

Pika kryesore do të jetë nxjerrja e akteve normative për të normuar të gjithë punën për zgjedhjet. Në këto përfshihen, qoftë ngritjet e komisioneve, qoftë të niveleve të dyta, të treta, grupeve të numërimit, nxjerrjen e rregullave se si ato do të punojnë, rregulloreve, kalimin e tyre. Është risi e Kodit të ri Zgjedhor i cili parashikon formimin e një regjistri për komisionerët të cilët do të trajnohen në mënyrë që të kemi një bazë të qëndrueshme, njerëz të cilët pas trajnimit do të marrin pjesë vazhdimisht në zgjedhje. Është risi shumë e mirë detyrimi ligjor për të vendosur kamera dhe monitor në ambientet e numërimit të votave të cilat do të ndikojnë shumë mirë në transparencën e të gjithë procesit zgjedhor. Punët pra këtu janë të fokusuara në funksion gjithnjë të përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, fletës së votimit, kutive, vulave; do të ketë patjetër një fushatë publicitare për të nxitur njerëzit që të votojnë. Pra duhen organizuar njerëzit, baza materiale, dalja e vendimeve, krijohen marrëdhëniet e bashkëpunimit. Pra janë një sërë gjërash të renditura sipas afateve për të cilat vendos Kodi i ri Zgjedhor.

Ju duhet të tregoni përgjegjshmëri edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar i cili ka vënë si një ndër kushtet kryesore të anëtarësimit të Shqipërisë në BE pikërisht çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta... Kjo nënkupton një përgjegjshmëri në nivelet më maksimale?

Sigurisht i gjithë përqendrimi i vëmendjes është tek zgjedhjet aq më tepër që janë deklaruar shumë herë si një ndër kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kjo tregon përgjegjshmëria që ne duhet të kemi ndaj këtij procesi, duhet të jetë në nivelet maksimale dhe kuptohet që për ta realizuar procesin, neve na duhet dhe infrastruktura zgjedhore. Edhe përvoja ka treguar se edhe shteti nuk është kursyer për sa u përket buxheteve dhe vendosjes në funksion të KQZ-së të të gjithë infrastrukturës së nevojshme. Neve na duhet vetëm të mobilizohemi dhe të përkushtohemi për ta organizuar procesin politik. Nga ana tjetër nuk besoj se do të mungojë mbështetja e duhur për të vënë në dispozicion të gjitha fondet e mundshme për të realizuar zgjedhjet. Problematika në zgjedhje nuk ka qenë për shkak se ka munguar mbështetja.

Si do të menaxhohet i gjithë procesi zgjedhor duke pasur parasysh problematikën e viteve të mëparshme?

Në fakt Kodi i ri Zgjedhor ka sjellë disa risi të cilat do të ulin pjesën e problematikës së zgjedhjeve. Ajo më kryesorja është formatimi i komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta të grupeve të numërimit. Në zgjedhjet e kaluara vendore, KQZ-ja administroi një numër njerëzish i cili kalonte 100 mijë veta duke pasur parasysh se kanë qenë rreth 500 mijë qendra votimi me 14 komisionerë. Tashmë janë përgjysmuar dhe grupet e numërimit janë të përbëra prej 4 vetash. Kështu që do të kemi mundësi menaxhimi më të mira nga pikëpamja njerëzore. Nga ana tjetër, është vënë detyrim ligjor trajnimi dhe evidentimi i njerëzve që do të merren me zgjedhjet. Ajo që mendoj se do të jetë më mirë krahasuar nga zgjedhjet e tjera, që kërkon dhe vullnetin e palëve, është që komisionerët emërohen mbi bazën e propozimeve të partive dhe emërohen në kohën e duhur që të kemi mundësi dhe kohë për t’i trajnuar. Kjo, me qëllim që mos të ndodhë ajo që ka ndodhur si në zgjedhjet e mëparshme, ku komisionerët janë ndërruar në ditën e fundit. Pra nga pikëpamja njerëzore të arrijmë të administrojmë procesin me njerëz kompetentë dhe të trajnuar. Nga pikëpamja e infrastrukturës, ajo nuk është se ka munguar ndonjëherë, nuk ka pasur probleme të tilla. Një problem i cili ka çaluar është ajo çfarë ka ndodhur në zgjedhje, shkelje flagrante të ligjit. Në organet e ndjekjes penale nuk janë ekzekutuar. D.m.th. ka pasur gjithmonë komisionerë që kanë marrë vulën dhe kanë ikur, ka pasur komisionerë që kanë thyer kutitë dhe ndëshkimi ndaj tyre nuk ka qenë i tillë që të krijojë precedentin dhe të zvogëlojë mundësinë që të ndodhë përsëri i njëjti fenomen. Shpresoj që gjëra të tilla nuk do ndodhin dhe do të kemi një proces zgjedhor të rregullt.

Gjithmonë zgjedhjet në Shqipëri janë shoqëruar me kontestime. Po me ju në krye të KQZ-së, ç’do të ndodhë?

Sigurisht që do bëjmë çmos që të punojmë për të mos pasur kontestime. Por problemi është të mos lëmë vend nga pikëpamja ligjore për kontestimet pastaj është në vullnetin e palëve dhe praktika ka treguar që në mënyrë ligjore ose jo ligjore gjithmonë ka pasur kontestime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›