Gjatë 2008-s ta ardhurat nga TVSh-ja arritën në 107 miliardë lekë

Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në vitin 2008 arritën 107 miliardë lekë, nga 106,9 miliardë leke të planifikuara. Sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave, krahasuar me 2007 këto të ardhura u rritën me rreth 19.3 miliardë lekë, ose me 22 përqind. TVSH e mbledhur nga mallrat e importuara llogaritet 74,9 miliardë ose 593 milion lekë më shumë se planifikimi, ndërsa TVSH mbi mallrat dhe shërbimet brenda vendit llogaritet 32,16 miliardë lekë nga 32,5 miliardë lekë të planifikuara, me një mosrealizim prej rreth 403 milionë lekë. Referuar statistikave, rritje të ndjeshme kanë të ardhurat nga TVSH të mbledhura nga doganat, të cilat në krahasim me vitin 2007 rezultojnë 11.1 miliardë më shumë. Por edhe të ardhurat nga TVSH-ja mbi mallrat dhe shërbimet e brendshme u rrit me 1.2 miliardë lekë më shumë se viti 2007. Ekspertë të ministrisë së Financave shpjeguan se të ardhurat nga TVSH në doganë ndikohen edhe nga ecuria në ulje e tarifës doganore, si dhe luhatjet e ndryshimit të çmimeve të mallrave të importit që shoqëruan vitin 2008. Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar parashikohet të arrijnë në 10 % të PBB-së ose 117 miliardë e 491 milionë lekë në vitin 2009.
...