E Diel, 1 Nëntor 2026

Koalicioni PAD – PD zyrtarizohet më 28 shkurt, në mbledhjen e Asamblesë

Konfirmojnë krerët aleancistë

TIRANE - Në prag të krijimit të koalicioneve parazgjedhore, Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka ka deklaruar dje se Asambleja e Përgjithshme e kësaj partie do të mblidhet  më  28 shkurt, për të marrë vendimin përfundimtar për angazhimin e saj në koalicionin zgjedhor për zgjedhjet e 28 qershorit.
Presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, deklaroi se “i takon forumit më të lartë të PAD të marrë këtë vendim, ndonëse personalisht kam menduar që Aleanca Demokratike është më e favorizuar me PD-në, sepse do të ketë vende më të sigurta në Parlamentin e ardhshëm”, tha Ceka.
Ndërsa Kryetari Ekzekutiv i kësaj partie, Arben Demeti, shpalosi dhe objektivat e kësaj force politike për zgjedhjet e ardhshme kur deklaroi se “objektivi themelor i PAD është që të jetë një parti parlamentare në zgjedhjet e ardhshme, dhe në ligjet e xhunglës, siç ishte Kodi Zgjedhor. PAD do të shohë mundësitë që të krijojë vazhdimësinë e saj në jetën politike shqiptare, pasi jeta politike shqiptare ka nevojë për kontributin e saj”.
Duke përjashtuar në mënyrë kategorike mundësinë e një koalicioni me të majtën, Demeti Deklaroi se “ajo çka kemi përjashtuar është bashkëpunimi me Kryetarin aktual të PS, Edi Rama, i cili është shkaktari kryesor i prishjes së opozitës në vitin 2007”, tha Demeti.
Qëndrimi i përforcuar i koalicionit PAD-PD, vjen pas takimit që kryetari i PDSH-së, Sali Berisha dhe ai i PAD-së, Neritan Ceka, zhvilluan të enjten e kaluar, ku dhe arritën në përfundimin që në zgjedhjet e qershorit 2009 këto dy forca politike të paraqiten si aleatë elektoralë dhe në qeverisjen e vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›