E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjatë 2011-s 16 procedime penale dhe 8 zyrtarë në konflikt interesi

01/03/2012  Raporti vjetor i ILDKP-së

Gjatë vitit 2011 Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ndërgjegjësimin, parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit në administratën publike. Në raportin vjetor që i është dorëzuar Kuvendit ILDKP-ja thekson se në funksion të parandalimit të konfliktit të interesave janë regjistruar 210 raste, të cilat janë dërguar për interpretim, trajtim apo zgjidhje. Nga këto, “55 raste të dyshuara në konflikt interesi janë të përcjella për interpretim ligjor dhe zgjidhje nga zyrtarët, institucionet, autoritetet përgjegjëse të institucioneve etj; 35 raste të dyshuara për konflikt interesi të paraqitura nga institucione të ndryshme të administratës publike, të trajtuara dhe interpretuara në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë; 40 raste të trajtuara me autoritetet përgjegjëse të institucioneve qendrore e atyre të varësisë gjatë kontrolleve periodike të ushtruar nga ILDKP; 52 raste të trajtuara me autoritetet përgjegjëse të institucioneve të qeverisjes vendore (bashki, komuna dhe këshillat përkatës) gjatë takimeve trajnuese të zhvilluara me to në kuadër të parandalimit në kohë të rasteve të konfliktit të interesave, si dhe gjatë takimeve trajnuese të zhvilluara në këtë periudhë pas zgjedhjeve vendore 2011; dhe 28 raste, për të cilat ILDKP-ja ka ushtruar hetim administrativ për çështje të dyshuara konflikti interesi, të iniciuara mbi bazën e indiceve të marra nga ankesa të publikut, institucioneve të tjera ligjzbatuese dhe autoritete përgjegjëse”.

ILDKP-ja bën me dije se ka administruar gjatë vitit 2011 rreth 5330 deklarata të interesave private, të cilat kanë kaluar më tej në proceset kontrolluese të përcaktuara sipas ligjit. “Nga ky numër i përgjithshëm 116 subjekte kanë kaluar në kontroll të plotë për shkak të mospërputhjes mes aseteve të krijuara dhe burimit financiar të tyre”, – thuhet në raport. Në zbatim të nenit 44, pika d) dhe dh) të ligjit nr.9367, dt. 7.04.2005, është aplikuar masë administrative gjobë për 8 zyrtarë të gjendur në kushtet e konfliktit të interesave, si dhe për shkelje të ligjit mbi parandalimin e konfliktit të interesave. Sipas një informacioni statistikor nga prokuroritë e rretheve gjyqësore, për vitin 2011 janë regjistruar 16 procedime penale janë përfunduar 12 procedime penale dhe janë në fazën e hetimeve paraprake 4 procedime. Nga 12 procedimet penale të përfunduara, për 9 procedime penale është vendosur dërgimi i të pandehurve për gjykim dhe për 3 procedime penale është vendosur pushimi i hetimeve.

Për vitin 2011, në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë, për evidentimin dhe shmangien e konfliktit të interesave, “Komisioni i Shërbimit Civil ka shqyrtuar 5 raste të dyshuara në konflikt interesi në vendimmarrje, nga të cilat 4 janë shmangur dhe një rast është vlerësuar në përputhje me kërkesat ligjore; Ministria e Bujqësisë ka evidentuar një rast konflikt interesi dhe ka marrë masën e largimit nga detyra për zyrtarin e gjendur në shkelje të ligjit; Ministria e Mbrojtjes ka shmangur një rast konflikt interesi në një procedurë prokurimi, e cila është bërë prezente nga vetë zyrtari; Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë ka evidentuar një rast konflikti interesi. Për këtë rast, ILDKP ka marrë masën administrative sipas përcaktimeve ligjore; Komisioni i Prokurimit Publik ka shmangur 2 raste të konfliktit të interesave, ku vetë zyrtarët e gjendur në këto kushte kanë kërkuar mënjanimin e tyre nga procedurat përkatëse; Bashkia e Krujës, në bashkëpunim me ILDKP, kanë shqyrtuar dhe zgjidhur një rast konflikti interesi në dukje; Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka referuar në Inspektoratin e Lartë një rast të dyshuar në kushtet e konfliktit të interesave të një zyrtari në organikë të saj”, – thuhet në raportin e ILDKP-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›