E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrigjimi i gabimeve në formularin A1

01/03/2012  Gara për pranimet në Universitete, nëse nxënësit gabojnë në plotësimin e formularit përjashtohen nga gara

Harizaj: preferencat e maturantëve në formularin A2 këtë vit do plotësohen online

Plotësimi i formularit për zgjedhjen e degëve ku maturantët duan të vijojnë studimet e larta në universitet publike do të bëhet në sistemin online dhe jo duke e plotësuar atë pranë shkollave, sikundër ka ndodhur deri në maturën e vitit të shkuar. Ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve bëjnë me dije se hedhja e këtij formulari online do të shkurtojë kohën e marrjes së të dhënave, mbi të gjitha preferencat e maturantëve për vijimin e studimeve të larta në publik. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, ka komunikuar gjatë ditës së djeshme se po punohet intensivisht që formulari A-2 të plotësohet online nga maturantët. "Jemi në fazën intensive të realizimit të kontratës dhe shumë shpejt mund të fillojë aplikimi për këtë kontratë, moduli online për maturën shtetërore, aplikimi online. Në të ne kemi të dhënat njëherësh dhe në kohën e duhur", - shprehet Harizaj.

Kujdesi për të mos u skualifikur

Maturantët mund të humbasin të drejtën për të konkurrua për shkollat e larta publike, në rast se do të plotësojnë në mënyrë të gabuar formularin A-1 apo A-1Z, që janë kushti bazë i regjistrimit për garën e pranimeve në universitete. Një përzgjedhje e gabuar e lëndëve me zgjedhje në këtë formular mund t’i penalizojë maturantët, për këtë Harizaj shton se duhet treguar kujdes i veçantë. Kjo pasi me kalimin e datës 10 mars, që është dhe afati i fundit zyrtar për dorëzimin e formularit A-1 të plotësuar, maturantët nuk do të kenë më asnjë shans për të bërë korrigjimet e tij. Sipas rregullores së provimeve, maturanti që ka plotësuar formularin, por më pas konstaton se ka bërë ndonjë gabim, ka të drejtë të bëjë një plotësim të dytë pranë shkollës së tij, duke tërhequr modelin e parë të dorëzuar. Korrigjimi i gabimeve detyrimisht duhet të bëhet para datës 10 mars, në të kundërt maturanti humbet vijimin e procedurës për shkollën e lartë. Harizaj thotë se të rinjtë mund të zgjedhin edhe më shumë se tri lëndë me zgjedhje, por kriteri kryesor që duhet të plotësohet në këtë rast është kufiri minimal prej tetë kreditesh për të gjitha lënët. “Në rast se zgjedh dy apo tri lëndë, shuma e krediteve të tyre duhet të jetë jo më e vogël se tetë. Përveç kësaj ata duhet të bëjnë kujdes që të zgjedhin lëndë që kanë koeficient që i ndihmojnë, i maksimalizojnë mundësinë për preferencën që kanë projektuar për të vazhduar studimet e larta. Formulari quhet i pavlefshëm, sepse është konceptuar i tillë që kriteri për lëndën lejon që të zgjidhet lirisht, por duke plotësuar kushtin që shuma e kreditove për të gjitha lëndët e zgjedhura të mos jetë më e vogël se tetë”, - pohon Harizaj.

Ambientet e provimit

Një tjetër ndryshim që pritet të shoqërojë provimet e maturës së këtij viti është edhe përcaktimi i vendndodhjes se ku do të jepen provimet. Sa i takon zgjedhjes së sallave ku do jepen provimet, bëhet me dije se është në proces diskutimi mundësia e përdorimit të ambienteve universitare, në mënyrë që të pakësohen mundësitë për kopjime apo shkelje të natyrave të tjera gjatë orëve të zhvillimit të provimeve. Po ashtu gjatë këtij viti numri i administratorëve mbikëqyrës do të jetë më i madh.

Mblidhet sot këshilli bashkiak

Dosja me 5 vendimet që

Do të kalojnë për miratim

Një ndër projektvendimet kryesore që pritet të marrë sot miratimin në mbledhjen e këshillit bashkiak është kalimi i ujësjellësit në pronësi të Bashkisë, e cila do të miradministrojë furnizimin me ujë të qytetarëve, që deri më sot ka hasur në probleme të shumta. Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për shpërndarjen në programe dhe zëra buxhetorë të fondit të papërdorur të vitit 2011”, prej rreth 357 milionë lekësh, fond i cili i shtohet buxhetit të këtij viti. Këto fonde, sipas projektvendimit, janë planifikuar për t’u investuar në procesin e shpronësimit të ish-pronarëve për zgjatimin e bulevardit “Bajram Curri” në pjesën e zonës së “Ali Demit”, mirëmbajtjes së varrezave të Sharrës dhe Tufinës, për gjelbërimin, për çerdhet dhe kopshtet, minibashkitë, për ngritjen e një qendre sociale në Laprakë, e cila do të quhet “Shtëpia Jonë e Përbashkët”. Një tjetër projektvendim që do të kalojë në këshill është edhe ai që parashikon dhënien e një shume prej 80 milionë lekësh klubit të Tiranës, që do të përdoret për nevojat e klubit, si për përmirësimin e infrastrukturës. Në mbledhje do të paraqitet për miratim edhe hapja e qendrës së re sociale “Shtëpia e Përbashkët” në Laprakë për kategoritë në nevojë. Ndërsa vendimi i fundit ka të bëjë me propozimin për vendosjen e pllakës përkujtimore në banesën ku ka jetuar Artisti i Popullit, “Nder i Kombit”, Kadri Roshi, konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›