E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjatë 6-mujorit Shqipëria do të avancojë në rrugëtimin evropian

03/07/2009  Ministria e Jashtme pёrshёndet presidencën e radhës së BE-së nga Suedia

Ministria e Punëve të Jashtme ka pёrshёndetur marrjen e presidencës së radhës së Bashkimit Evropian nga Suedia. Përmes një deklarate zyrtare institucioni i diplomacisë shqiptare vlerëson dhe përshëndet faktin që presidenca suedeze ka garantuar se Ballkani Perëndimor, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria, do të vazhdojë të jetë në fokusin dhe axhendën e saj. “Ne jemi të bindur se gjatë këtij 6-mujori Shqipëria do të avancojë në etapat e mëtejshme të rrugëtimit të saj evropian”, - thuhet në këtë deklaratë. Ministria e Jashtme siguron të gjithë partnerët evropianë se Shqipëria do të vazhdojë të shënojë progres thelbësor në të gjitha fushat, pasi rruga jonë është tashmë e pakthyeshme dhe vullneti për të ecur me reformat është thellësisht i bazuar në vokacionin e popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Në deklaratën e djeshme të MPJ-së vihet theksin te roli që ka luajtur presidenca çeke e Bashkimit Europian gjatë këtyre gjashtë muajve, e cila ia la stafetën presidencës suedeze. Ministria e Jashtme shqiptare përgëzon Çekinë për përfundimin me sukses të presidencës së saj ambicioze, e cila u përball me sfida jo të vogla. “Kjo presidencë pati një domethënie të madhe për Shqipërinë, pasi gjatë këtij gjashtëmujori marrëdhënia jonë me BE-në kaloi në një nivel të ri partneriteti me hyrjen në fuqi të MSA-së, depozitimin e aplikimit për anëtarësim, si dhe u arrit progres thelbësor në procesin e liberalizimit të vizave”, - thotë MPJ. Sipas saj, kontributi i presidencës çeke në këto momente të rëndësishme ka qenë tejet i çmuar. Para marrjes së presidencës së radhës së BE-së zyrtarë të lartë të qeverisë suedeze, siç thuhet edhe në deklaratën e MPJ-së, kanë garantuar se Ballkani Perëndimor, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria, do të vazhdojë të jetë në fokusin dhe axhendën e saj. Ndërkohë pak ditë më parë ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, duke folur mbi vijimin e procedurave që lidhen me aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në BE ka thënë se më parë duhet bërë vlerësimi i ecurisë së zgjedhjeve. “Unë nuk e kam lexuar raportin që ka dalë dhe më duhet ta bëjë këtë. Por nga titujt e gazetave dukej një vlerësim goxha pozitiv, megjithatë më duhet të lexoj hollësitë e tij para se të mund të gjykojmë se si të procedojmë në lidhje me atë që vërtet është më shumë një lloj formaliteti kur është fjala për aplikimin e Shqipërisë”, - tha Bildt tri ditë më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›